Kërko

Vatican News

Zoja e Guadalupes: më 12 dhjetor, Ndjesa e Plotë nga shtëpia

Papa Françesku u jep të gjithë besimtarëve të botës mundësinë për të marrë Ndjesën e Plotë me rastin e 125-vjetorit të Kurorëzimit të Virgjërës së Guadalupes, pavarësisht se u duhet të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të koronavirusit

R.SH. - Vatikan

Pendestaria Apostolike e shtrin Ndjesën e Plotë mbi besimtarët e të gjithë botës, të cilët do të kremtojnë 125-vjetorin e Kurorëzimit të Zojës së Guadalupes nga shtëpia, nesër, më 12 dhjetor. Bazilika mariane në Meksikë është mbyllur që nga data 10 e do të qëndrojë e tillë deri më 13 dhjetor, për shkak të pandemisë së Covid-19, në mënyrë që të shmangen turmat tradicionale, të zakonshme në këtë periudhë. Kujtojmë se Papa Françesku do të kremtojë nesër në orën 11.00 meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, pikërisht me rastin e festës së Zojës së Guadalupes

Kërkesa e kryeipeshkvit të Qytetit të Meksikos

         Mundësia për të marrë Ndjesën e Plotë nga shtëpia iu kërkua Atit të Shenjtë më 3 dhjetor nga kardinali Carlos Aguiar Retes, kryeipeshkëv i Qytetit të Meksikos. “Të vetëdijshëm se përkushtimi ndaj ‘Virgen Morena’ shtrihet përtej kufijve – shkruan kardinali meksikan pas miratimit të kërkesës - Ati i Shenjtë mendoi se duhej t’u ofronte mundësinë për Ndjesën e Plotë të gjithë besimtarëve katolikë të botës, që bashkohen me ne në kremtim, duke iu përmbajtur kushteve të Ndjesës. Uroj që shtegtarët, të cilët kërkojnë ngushëllimin, mbrojtjen dhe dhembshurinë e Nënës së Zotit nga thellësia e zemrave të tyre të plagosura, të përfitojnë nga ky hir, që na e mundësoi Papa Françesku dhe që shtrihet edhe mbi besimtarët e vdekur. Këtë vit, ta lemë Zojën të vijë për vizitë në shtëpitë tona. T’ia hapim dyert dhe t’i lartojmë zemrat që ajo të na bekojë dhe të na mbulojë me mantelin e saj. Të lutemi që Zoti ynë Jezu Krisht dhe Nëna e Tij Shenjte, Zoja e Guadalupes, të vazhdojnë të na shoqërojnë dhe të na bekojnë në këtë rrugë kaq të dhimbshme për gjithë popullin e Zotit në kryeipeshkvinë tonë dhe në gjithë botën”.

Kushtet e Ndjesës së Plotë

         Besimtarët mund ta marrin Ndjesën e Plotë, edhe pa lëvizuar nga shtëpitë, por duke nderuar një fugure të Zojës së Guadalupes e, sidomos, duke ndjekur meshët e kremtuara në Shenjtëroren Meksikane përmes mediave (radio, televizion dhe transmetim të drejtpërdrejtë në internet). Gjithashtu, duhet të plotësojnë kushtet e zakonshme: të luten sipas ndjeteve të Papës, të rrëfehen dhe të kungohen (sapo kjo të jetë e mundur).

         Pendestaria Apostolike e ka zgjatur tashmë Vitin Jubilar Guadalupan deri më 12 tetor 2021, për të kujtuar 125-vjetorin e Kurorëzimit të Zojës së Guadalupes më 12 dhjetorin e vitit 1895. Ky Vit filloi më 8 shtator 2019 e duhej të përfundonte më 12 tetorin e këtij viti, por gjatë gjithë këtyre muajve, pandemia nuk i lejoi njerëzit të shkojnë për shtegtim në shenjtëroren mariane më të vizituar në botë.

11 dhjetor 2020, 11:52