Kërko

Urim nënave, që i mbrojnë fëmijët me dashuri të pafundme e flijime të pallogaritshme në mes të krizës.  Urim nënave, që i mbrojnë fëmijët me dashuri të pafundme e flijime të pallogaritshme në mes të krizës.  

“Shndriti një Dritë”: urimi i Krishtlindjes, nga Akademia për Jetën

Video të shkurtëra me urime për Krishtlindje, realizuar nga akademikët me smartphones. Është kjo nisma “A Light Has Shone”, e Akademisë për Jetën në kanalet e saj shoqërore, për t’ia uruar Krishtlindjen mbarë botës

R. SH. - Vatikan

Nismë e vogël, për një mesazh të madh: mesazhin e shpresës, të vëllazërimit e të paqes, në një kohë dramatike për njerëzimin. Imzot Vincenzo Paglia, Kryetar i Akademisë Papnore për Jetën e paraqiti kështu nismën që, nga dhjetori, do të jetë në mjetet e komunikimit: “Një reflektim mbi shoqërinë që duhet ndërtuar në dritën e Ungjillit, në kohën e pandemisë.

Akademikët janë 163 (shkencëtarë, pedagogë e specialistë të disiplinave të ndryshme humanistike. 57% prej tyre vijnë nga Evropa, 13% nga Amerika Veriore, 15% nga Amerika Lartine, 9% nga Afrika e 1% nga Oqeania. Janë ata autorë të videos me urimet, xhiruar në viset ku jetojnë e punojnë e postuar në mjetet shoqërore të komunikimit - Twitter e YouTube - si dhe në kanalin e Akademisë Papnore për Jetën.

Mesazhet e akademikëve

Profesoresha Hye-Jin Kim e universitetit të Ulsan (Koreja e Jugut), në videon e saj, me një fëmijë në krahë, jep këtë mesazh:

“Amësia është gjëja më e vështirë, posaçërisht gjatë kësaj pendemie. Dëshiroj të nis një mesazh, që i vlerëson e i mbështet këta prindër, të cilët i mbrojnë fëmijët e tyre me dashuri të pafundme e flijime të pallogaritshme në mes të krizës. U uroj të gjithëve Krishtlindje të lumtur e të begatë”.

Jo, diktaturës së algoritmit

Nisma e “A Light Has Shone -Krishtlindje 2020” - shpjegon një komunikatë e Akademisë për Jetën - është edhe rast për të bërë një bilanc të shkurtër të veprimtarisë së 2020-tës, që u hap me Asamblenë e 26 e 27 shkurtit të kaluar, kushtuar Inteligjencës Artificiale dhe me nënshkrimin e “Rome Call for Al Ethics”, më 28 shkurt, ndërmjet Microsoft, IMB, Fao e Italisë. Pasaj Akademia Papnore i kushtoi  pandemisë dy dokumente: më 30 mars (Pandemia dhe Vëllazërimi Universal) dhe më 22 korrik (Bashkësia njerëzore në epokën e pandemisë)

Perspektivat e  vitit 2021

“Për vitin 2021 – vëren imzot Paglia - premtojmë se do të vijojmë  reflektimin mbi ndryshimet që shkakton pandemia mbi stilet e jetës sonë. Po përgatisim, me Akademikët tanë, edhe takime on line, që do të realizohen në praninë e Asamblesë, në shtator 2021. Temat e tjera, në qendër të vëmendjes, kanë të bëjnë me mjekimet paliative dhe vaksinat, tashmë letra e lakmuesit e përçapjeve etike për shëndetin global”.

03 dhjetor 2020, 13:01