Kërko

Vatican News

Shën Pjetri ndriçohet për Krishtlindje me dritat e Bredhit e të Betlehemit

Pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit, përurimi tradicional i Betlehemit dhe ndriçimi i Bredhit të Krishtlindjes. Gjatë ceremonisë së kryesuar nga Kryetari dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, u ndriçua edhe grupi i Familjes Shenjte, pjesë e skulpturës Angels Unawares, e pranishme në shesh.

R.SH. - Vatikan

Ngjarje e pritur nga të rinj e të moshuar, që ndiqet jo vetëm nga qytetarët e Romës, por edhe nga turistë e shtegtarë. Kjo ka qenë gjithmonë ceremonia tradicionale e ndezjes së dritave të Bredhit të Krishtlindjes dhe e përurimit të Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit, që nga viti 1982, vit në të cilin Papa Gjon Pali II e filloi këtë traditë. Kësaj radhe, në përputhje me rregullat kundër pandemisë Covid-19, ishte i pranishëm vetëm një grup i vogël besimtarësh, por ceremonia u transmetua drejtpërdrejt në faqen e Vatican Media, TV 2000 dhe në Eurovision.

Kontributi i Sllovenisë dhe i Italisë

Ceremoninë e hapi kardinali Giuseppe Bertello, kryetar i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit. “Ky Betlehem - komentoi kardinali, duke kujtuar se ai është sjellë në Shën Pjetër nga Teramo e Italisë - na bën të kuptojmë se Ungjilli mund t’i gjallërojë të gjitha kulturat dhe të gjitha profesionet. Kthehet në pikë mbërritje dhe nisje për dioqezën e Teramos, e cila ka bërë një udhë të rëndësishme baritore përgatitjeje për Krishtlindjen, bazuar në të. Një udhë, që u takua me atë të Sllovenisë, nga ku vjen bredhi, i cili na kujton bukurinë e jashtëzakonshme të këtij vendi dhe traditat e tij”.

Shndritja e Familjes Shenjte në veprën Angels Unawares

Gjatë ceremonisë, Sheshit të Shën Pjetrit iu shtua edhe një ndriçim tjetër i veçantë. Është fjala për grupin e Familjes Shenjte pasqyruar në skulpturën Angels Unawares nga kanadezi Timothy Schmalz, skulpturë, që ndodhet në Shesh që nga 29 shtatori 2019 në përkujtim të Ditës së 105-të Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve. Skulptura prej bronzi është një barkë me një grup migrantësh dhe refugjatësh me kultura e prejardhje të ndryshme, madje, edhe nga periudha të ndryshme historike. Që sot janë ndriçuar tri figurat që pasqyrojnë Familjen Shenjte të Nazaretit. Një simbol – shkruan në një notë për shtyp Seksioni i Migrantëve dhe i Refugjatëve në Dikasterin për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor - i cili dëshiron të nxjerrë në pah kuptimin e thellë të Krishtlindjes dhe të kujtojë se edhe Jezusi, Maria dhe Jozefi ishin migrantë, në ikje për t’i shpëtuar jetën Birit të Zotit.

Kopja e kësaj skulpture u përurua më 8 dhjetor në Grand Army Plaza të Nju Jorkut, në lagjen Brooklyn. Edhe ajo do të ndriçohet si në Vatikan, gjatë gjithë periudhës së Krishtlindjes. Për të kujtuar, në dy anë të botës, se në këtë kohë pandemie, të gjithë presim lindjen e Shëlbuesit të njerëzimit.

11 dhjetor 2020, 17:39