Kërko

Vatican News
Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes  (Vatican Media)

Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes: motra vdekje, burim i jetës së pasosur

Predikatari i Shtëpisë Papnore, Raniero Cantalamessa, krijuar kardinal në Koncistorin e 28 nëntorit të kaluar, mbajti sot, në Sallën e Palit VI, meditimin e parë të Kohës së Ardhjes, në praninë e Papës Françesku. Frati-kardinal ftoi për të reflektuar mbi kuptimin e vdekjes: jeta e besimtarit - kujtoi- është e amshuar.

R. SH. - Vatikan

“Na mëso t’i numërojmë ditët tona, e do të fitojmë urtinë e zemrës”. Kjo, tema me të cilën kardinali Raniero Cantalamessa përuroi, në të Premten e parë të Kohës së Ardhjes, ciklin e meditimeve, në program edhe për 11 e 18 dhjetorin e ardhshëm.

Hirësia e tij e hapi  reflektimin me një poezi tipike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Meditim poetik, i kompozuar vetëm me shtatë fjalë, por që flasin më shumë se një roman. I titulluar “Ushtarët”, përshkruan gjendjen shpirtërore të ushtarëve gjatë Luftës I Botërore, në llogore, ku:

“Ndjehesh/si ndjehen/mbi pemët/në vjeshtë/ gjethet e verdha”.

Sot - kujtoi kardinali prediktar - mbarë njerëzimi ndjehet si gjethet e verdha të vjeshtës, që të kujtojnë se jeta është e përkohshme, se një ditë gjethi zverdhet, këputet nga dega dhe “vdes” mbi tokën e lagur nga shirat e vjeshtës.  Në vitin, që vuan nga tmerri i koronavirusit - ftoi predikatari - të përpiqemi ta bëjmë tonin mësimin, që mund të nxjerrim për jetën personale e shpirtërore. Me reflektime, që mund t’i bëjmë  ndërmjet nesh, por pa ngulmuar shumë, për të mos i shtuar vështirësitë që has edhe feja për shkak të zgjatjes pa fund të pandemisë.

E të vërtetat kryesore, mbi të cilat reflektoi predikatari papnor ishin: së pari, fakti se jemi të gjithë të vdekshëm e se “nuk kemi banesë të përhershme” mbi këtë tokë; së dyti, se jeta e besimtarit nuk mbaron me vdekjen. Besimtarin e pret jeta e amshuar; së treti se nuk jemi vetëm në barkën e vogël të planetit tonë, sepse “Fjala u bë njeri e erdhi të banojë ndër ne”. Këto janë  maksima të amshuara!

“Vdekja - thoshte Shën Agostini- është sëmundja vdekjeprurëse, që na ngjitet që në lindje”. “Motra vdekje - pohoi kardinali Kantalamessa - është motër  e madhe  e edhe pedagoge vërtet e mirë. Na mëson shumë gjëra. Vdekja, pas së cilës vjen menjëherë gjyqi i Zotit, është edhe një pikë e vlefshme vrojtimi:

“Vdekja është fundi i të gjitha ndryshimeve e padrejtësive, që ekzistojnë mbi botë. Vdekja, thoshte aktori komik Totò, është ‘nivelues’, që u jep fund të gjitha privilegjeve. Sa mizori, sa shëmtime më pak do të kishte mbi këtë dhe nëse njerëzit e dhunshëm e shtypësit e popujve do të mendonin se edhe atyre do t’u duhet të vdesin së shpejti! Shikimi i jetës me syrin e vdekjes, të jep një ndihmë të jashtëzakonshme për të jetuar mirë. Je i kapërthyer nga ankthi i problemeve e vështirësive? Shikoi këto trazira si të ishe në shtratin e vdekjes! Ke sherr me dikënd? Shikoje sherrin nga shtrati i vdekjes. Çdo të kishe bërë për t’i dhënë fund? Do të ishe munduar të fitoje a të falje? Mendimi i vdekjes na shpëton nga lidhja e ngushtë me sendet që kemi këtu, poshtë,  kur harrojmë  se banesa jonë e fundme nuk është  mbi dhe”.

Për ta ndriçuar këtë  mendim, Kardinali i ri citoi, në përfundim disa nga vargjet e   Këngës së Krijesave të Shën Françeskut, që i kushtohen pikërisht vdekjes:

Lëvduar Qofsh, o Zoti im,

për motrën tonë, vdekjen e trupit,

asnjë njeri prej saj  nuk mund të shpëtojë!

Mjer ai që vdes me mëkat të rëndë

E lum kush është, ashtu si Ti dëshiron!

Pse vdekja e dytë atë s’mund ta dëmtojë!

04 dhjetor 2020, 13:12