Kërko

Shën Jozefi Shën Jozefi 

Pesë gjeste, për t’i përngjarë Shën Jozefit

Regjenti i Pendestarisë Apostolike, imzot Nykiel, shpjegon, në një intervistë për gazetën vatikanase “L’Oservatore Romano”, natyrën e ndjesëve lidhur me këtë Vit të veçantë të Shën Jozefit.

R. SH. - Vatikan

Me Letrën apostolike “Patris corde” – “Me zemrën e Atit”, Papa Françesku kujtoi këto ditë 150-vjetorin e shpalljes së Shën Jozefit Pajtor i Kishës universale. Me këtë rast, që të premten e kaluar e deri më 8 dhjetor 2021 do të kremtohet “Viti i Shën Jozefit”. Ndërsa regjenti i Pendestarisë Apostolike, imzot Nykiel, shpjegon, në një intervistë për gazetën vatikanase “L’Oservatore Romano”, natyrën e ndjesëve lidhur me këtë Vit të veçantë.

Papa shpall “Vitin e Shën Jozefit”

Atë i dashur, atë në butësi, në bindje, në mirëpritje; atë i guximit krijues, punëtor, gjithnjë në hije: me këto fjalë e përshkruan Françesku Shën Jozefin në Letrën Apostolike “Patris corde” - Me Zemrën e Atit”, botuar   me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së fatit të Marisë Pajtor i Kishës katolike nga i Lumi Piu IX, me dekretin Quemadmodum Deus. Ndërsa regjenti i Pendestarisë Apostolike, imzot Nykiel, shpjegon, në një intervistë për gazetën vatikanase “L’Oservatorwe Romano”, natyrën e ndjesëve lidhur me këtë Vit të veçantë, kushtuar Atit  të kujtuar të Krishtit, shoqëruar me ftesën për të kryer vepra bamirëse, duke ndjekur shembullin  e “njeriut të drejtë”. E kujton edhe  pesë gjestet që duhet të bëjë besimtari, i cili dëshiron t’i përngjasë Shën Jozefit.

 Pesë  gjeste, për t’i përngjarë Shën Jozefit

“Për t’i përngjarë Shën Jozefit, së pari, besimtari duhet të bëjë vullnetin e Zotit, duke gjetur kohën e duhur për meditim personal, ose për të marrë pjesë në ndonjë rit shpirtëror, sipas shembullit të Shën Jozefit, i cili ishte gjithnjë i gatshëm për t’iu përgjigjur zërit të Zotit.

Së dyti, të bëhet mjet i drejtësisë e i mëshirës së Atit, përmes kryerjes së veprave të mëshirës fizike e shpirtërore, si Shën Jozefi, njeriu i drejtë.

Të përtërijë, së treti, bashkimin me Zotin ndërmjet familjarëve, miqve, të fejuarve, përmes Rruzares Shenjte.

Pastaj, së katërti, ta shenjtërojë punën e vet, duke ia besuar ndërmjetësimit të Shën Jozefit ose të lutet për ata, që kërkojnë punë dinjitoze.

Së fundi, t’i lutet Zotit për t’i mbrojtur të krishterët që pësojnë persekutime, duke thënë litanitë e Shën Jozefit ose uratë tipike për ritet lindore”.

E kjo atmosferë lutjeje – kujton - lidhet ngushtë edhe me situatën aktuale, të trazuar thellësisht nga pandemia. Të rikujtosh se Shën Jozefi është Pajtor i Kishës universale, do të thotë edhe t’i lutesh të ndërmjetësojë që të marrë fund sa më shpejt pandemia e, me të, gjithë kjo vuajte, kjo dhimbje që peshon rëndë mbi shpirtin e njeriut e të botës. E jo më pak, mbi  zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.

Pa harruar edhe kushtet e parashikuara për të marrë ndjesën për pleqtë, të sëmurët e njerëzit në prag të vdekjes, me besim në ndërmjetësimin e Shenjtit, Pajtor i një vdekjeje të mirë.

Fakti që ai ishte ati i kujtuar i Krishtit, mund e duhet konsideruar edhe atë i kujtuar i gjithë të krishterëve, në çdo rrethanë jete - thekson imzot Nykiel, duke shpjeguar, në intervistën për gazetën vatikanase “L’Oservatorwe Romano”, natyrën e ndjesëve lidhur me këtë Vit të veçantë e duke kujtuar, në përfundim, një fragment nga shkrimet e Shën Terezës së Jezusit, doktore e Kishës, tejet e devoçme e Shën Jozefit:

“Zgjodha si ndërmjetësues Shën Jozefin e Lumnueshëm e u mbështeta shumë në Të. Nuk më kujtohet t’i kem kërkuar ndonjë hir e të mos ma ketë nxjerrë nga Zoti, duke më shpëtuar gjithnjë nga rreziqet e shpirtit e të korpit… Përmes Tij Zoti dëshiron të na bëjë të kuptojmë se ashtu si ishte atë, mbi tokë, ashtu mund të jetë edhe në qiell”.

12 dhjetor 2020, 15:27