Kërko

Vatican News

Parolin, mësuesve katolikë: dëshmitarë shprese në një kohë tronditjeje

Në një videomesazh për 75-vjetorin e themelimit të Shoqatës Italiane të Mësuesve Katolikë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit i nxit të jenë elementë kohezioni, në një kohë të pasigurt, karakterizuar nga pandemia

R.SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shpreh vlerësimin e thellë për impenjimin e mësuesve katolikë, duke u dërguar një videomesazh anëtarëve të Shoqatës Italiane të tyre, lidhur në internet me rastin e 75-vjetorit të themelimit. Në një “kohë të pasigurt, por plot shpresa për rimëkëmbjen”, vëren kardinali, duke iu referuar atmosferës pas Luftës II Botërore, “prania juaj ishte shprehje e ndërgjegjes së pjekur të krishterë dhe e përvojës së fuqishme kishtare, si dhe vendtakim për kërkesat e ligjshme të kombit”.

“Edhe sot vendi, veçanërisht shkolla, po kalon një çast tronditës, për shkak të pandemisë”, nënvizon kardinali Parolin, duke u kërkuar anëtarëve të Shoqatës Italiane të Mësuesve Katolikë, që, si në fillim të historisë së tyre, të jenë “element kohezioni”. “Dëshmoni - i nxit - vullnetin për t’u përkushtuar me bujari në të mirë të studentëve, të cilët kanë nevojë të shohin tek ju dëshmitarët e së vërtetës, të shpresës dhe të dashurisë”.

Identiteti i fortë është garanci për veprimin e frytshëm

 Në videomesazh, kardinali Parolin i inkurajon të jenë gjithmonë të vetëdijshëm për traditën. “Identiteti i lashtë dhe i fortë, siç është ai që shprehet në motivacionin fillestar të vetë Shoqatës - thotë ai - është garancia më bindëse për frytshmërinë e punës në kontekstet e reja dhe të vështira, në të cilat jeni të thirrur të veproni”.

Puna edukative na fton të kuptojmë praninë vendimtare të një mësuesi tjetër, “në të vërtetë, të mësuesit të vetëm, Krishtit”. Kardinali Parolin ia beson mësuesit Birit të Zotit, që leksionet e tyre të kenë “forcën simbolike të gjestit, bërë disa herë nga Krishti, për të vendosur fëmijët në qendër të vëmendjes”.

31 dhjetor 2020, 15:03