Kërko

Faqja e re e internetit "Fratelli tutti” Faqja e re e internetit "Fratelli tutti”

On line, faqja e re e internetit, kushtuar “Fratelli tutti”

Është pjesë e faqes së internetit të Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, por mund të shihet edhe drejtpërdrejt në www.fratellitutti.va. Propozohet një faqe kryesore me ngjyra, mjaft e pasur dhe e lehtë për t’u konsultuar, prej së cilës mund të klikohet në disa seksione për të shkarkuar tekstet, videot dhe kontributet e larmishme, kushtuar Enciklikës së fundit të Papës Françesku. Nisma, në bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Komunikimin

R.SH. - Vatikan

Të përhapet kudo mesazhi i vëllazërimit dhe i miqësisë shoqërore, që përmbahet në Enciklikën e fundit të Papës Françesku, “Fratelli tutti”, duke u thelluar në aspektet e ndryshme të tekstit dhe në magjisterin e Atit të Shenjtë. Ky është synimi i faqes së internetit kushtuar Enciklikës, që mund të konsultohet nga faqja kryesore e Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, ose drejtpërdrejt, në adresën www.fratellitutti.va.

Tri gjuhë e lehtësi në konsultim

 Faqja - siç shpjegon vetë Dikasteri - është e pasur me grafikë dhe përmbajtje, e lehtë për t’u konsultuar e, tani për tani, publikohet në tri gjuhë (italisht, spanjisht dhe anglisht), megjithëse përmban edhe tekste të shumta në gjuhë të tjera, përfshirë frëngjishten, portugalishten, arabishten dhe gjuhën kineze.

Seksionet dhe materiali në dispozicion

Nga menyja fillestare, e cila me ngjyrat e saj të kujton botimin në letër të Enciklikës, pas një hyrjeje të përgjithshme, mund të shihen katër Seksionet, të cilat përditësohen vazhdimisht: “Enciklika”, ku mund të shkarkohet teksti në gjuhët në dispozicion dhe mund të rishikohet videoja e konferencës së paraqitjes, më 4 tetor, mbajtur në Sallën e re të Sinodit në Vatikan; “Reflektime”, që përfshin komente dhe analiza nga drejtuesit e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, nga përfaqësues të Kishave lokale, nga përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, fetare dhe jo-fetare, si dhe nga ekspertë ndërkombëtarë. Veçanërisht i gjerë, seksioni “Lajmet”, në të cilin artikujt, videot dhe intervistat gazetareske për “Fratelli tutti” paraqiten me një dritare të veçantë kushtuar Vatican News. Së fundi, seksioni “Burimet”, ku bëjnë pjesë infografi dhe materiale të tjera për analizë dhe reflektim, si Lutja drejtuar Krijuesit, hartuar enkas për Enciklikën. E faqet përmbajnë edhe lidhjen multimediale me rrjetin Twitter.

Së shpejti gjuhë të tjera, edhe shqip

Po punohet – saktëson Dikasteri - për paraqitjen në gjuhë të ndryshme (edhe në shqip), për një seksion që përmban videot kushtuar Enciklikës dhe për një hapësirë ku të vendosen kontributet e Kishave lokale, të organizatave, shoqatave e bashkësive, fetare a jo, nën titullin “Nisma”, që synojnë zbatimin e parimeve të “Fratelli tutti”. 

03 dhjetor 2020, 12:41