Kërko

Një botë e lirë nga armët bërthamore, për të mirën e familjes njerëzore

Lidhja ndërmjet paqes dhe çarmatosjes në kohë pandemie, në qendër të një uebinari, promovuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me rastin e paraqitjes së librit “Një botë e lirë nga armët bërthamore”. Kardinali Silvano Maria Tomasi: “armët bërthamore nuk mund të pranohen në asnjë mënyrë”

R.SH. - Vatikan

“Një botë pa armë bërthamore”. Kjo është tema e uebinarit (seminarit në internet) për çarmatimin atomik, organizuar me rastin e paraqitjes së librit të botuar nga Georgetown University Press, me titull “Një botë e lirë nga armët bërthamore”. Takimi, në orën 16.00, në kanalin YouTube të Vatican News.

Jo armë, por zhvillim

 Në këtë kohë të karakterizuar nga pandemia, po bëhet gjithnjë e më urgjente thirrja e Papës Françesku, i cili në Letrën enciklike “Fratelli tutti” përvijon një detyrë morale dhe humanitare: “Paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar – shkruan Ati i Shenjtë - nuk mund të bazohen në ndjenjën e gënjeshtërt të sigurisë, në kërcënimin për shkatërrim të ndërsjellë a për asgjësim të plotë, ose thjesht në ruajtjen e ekuilibrit të pushtetit”. “Në këtë kuadër - shton Papa - objektivi përfundimtar i eliminimit të plotë të armëve bërthamore kthehet në sfidë dhe detyrë morale e humanitare”. “Me paratë që përdoren për armë dhe shpenzime të tjera ushtarake - nënvizon Françesku - të krijojmë një fond global, i cili t’i japë fund urisë dhe të promovojë zhvillimin e vendeve më të varfra”.

Paqja arrihet ditë për ditë

Fjalët e Papës Françesku për paqen ndjekin ato të shën Palit VI në Letrën enciklike “Populorum Progressio”. Zhvillimi, shkruante Papa Montini, është emri i ri i paqes. “Pabarazitë tepër të mëdha ekonomike, shoqërore dhe kulturore nga një popull në tjetrin shkaktojnë tensione dhe përçarje, si edhe vënë në rrezik paqen”. “Paqja nuk është mungesë lufte, rezultat i ekuilibrit të brishtë të forcave”. “Ajo - nënvizonte Papa Pali VI - arrihet dita ditës, duke zbatuar një urdhër, që vjen prej Zotit e që kërkon një drejtësi gjithnjë e më të përsosur ndërmjet njerëzve”.

Armët bërthamore i shërbejnë logjikës së frikës

Uebinari i sotëm lidhet pikërisht me dy enciklikat papnore: “Fratelli tutti” dhe “Populorum progressio”. Por edhe me fjalët e Papës Françesku më 10 nëntor 2017, kur iu drejtua pjesëmarrësve në Simpoziumin Ndërkombëtar për Çarmatimin, promovuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor me temën: “Perspektivat për një botë të lirë nga armët bërthamore dhe për çarmatimin e plotë”. “Nuk mund të mos ndiejmë shqetësim të madh – pati thënë Papa Françesku me atë rast - nëse shohim pasojat katastrofike humanitare dhe mjedisore, që vijnë nga çdo përdorim i armëve bërthamore”. “Prandaj, edhe duke marrë parasysh rrezikun e shpërthimit aksidental të armëve të tilla, për shkak të ndonjë gabimi, duhet dënuar me forcë përdorimi dhe zotërimi i tyre, pasi ekzistenca e tyre është në funksion të logjikës së frikës, që nuk ka të bëjë vetëm me palët në konflikt, por me gjithë racën njerëzore. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të mbizotërohen nga forca ushtarake, nga kërcënimi i ndërsjellë, nga demonstrimi i arsenaleve ushtarake”. “Armët e shkatërrimit në masë, veçanërisht armët bërthamore – pati nënvizuar Ati i Shenjtë - nuk mund të përbëjnë bazën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet anëtarëve të familjes njerëzore, e cila, përkundrazi, duhet të frymëzohet nga etika e solidaritetit”.

Dialog ndërkulturor e zhvillim i gjithanshëm njerëzor

Takimi i sotëm synon të vazhdojë diskutimin, që filloi në atë Simpozium të vitit 2017. Ai bazohet në librin “Një botë e lirë nga armët bërthamore” botuar në përkujtim të 75-vjetorit të bombës atomike mbi Hiroshimë dhe Nagasaki. Qëllimi është promovimi i dialogut ndërkulturor dhe sensibilizimi për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, siç kërkon Papa Françesku në enciklikën “Laudato sì”. Këtë nënvizon kardinali Silvano Maria Tomasi, për një kohë të gjatë, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së,në Gjenevë dhe bashkëpunëtor i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, duke kujtuar synimet e takimit të sotëm:

 Është ftesë për të rinovuar përpjekjet që të eliminohet kërcënimi e përdorimi i armëve atomike, si edhe për t’i bërë njerëzit të kuptojnë qëndrimin e Papës Françesku, i cili gradualisht ka arritur në këtë përfundim: përdorimi i këtyre armëve nuk është vetëm etikisht i papranueshëm, por ashtu është edhe zotërimi i tyre. Ky hap ka sjellë një reflektim të ri dhe më të thellë për të sqaruar se paqja nuk është vetëm mungesë lufte, por përfshin zhvillimin dhe drejtësinë në marrëdhëniet ndërmjet popujve dhe shteteve. Kjo ide themelore, e cila çohet përpara nga Papa Françesku, u ritheksua edhe në udhëtimin e tij historik në Japoni dhe në enciklikën e fundit “Fratelli tutti”. Është vlerësim moral për faktin se armët bërthamore, me pasojat e tyre, nuk mund të pranohen në asnjë mënyrë. Paqja e vërtetë përfshin një kuadër më të gjerë, ku bën pjesë siguria për të gjithë e jo vetëm për disa.

16 dhjetor 2020, 10:59