Kërko

Krishtlindja Krishtlindja 

Nëntëditëshi i Krishtlindjes

Sot mё 16 dhjetor, nё javёn e tretё tё Kohёs sё Ardhjes, qё na paraprinë e përgatit pёr kremtimin e Lindjes sё Jezu Krishtit, Kisha katolike e fillon nёntёditёshin e kёsaj sё kremte madhore.

R.SH.- Vatikan

Mё 16 dhjetor,  nё javёn e tretё tё Kohёs sё Ardhjes, qё na paraprinë e pёrgatit pёr kremtimin e Lindjes sё Jezu Krishtit, Kisha katolike e fillon nёntёditёshin e kёsaj sё kremte madhore.

Në liturgjinë e tri të dielave të para tё kohёs liturgjike tё Ardhjes e në ditët e pushimit, deri më 16 dhjetor, theksohej me forcë tema e Ardhjes së dytë të Jezusit, në fundin e kohëve. Ndërsa ndërmjet 17 e 24 dhjetorit, kujtohen çdo ditë skena, ngjarje e profeci, që na çojnë drejt Shpellës së Betlehemit, drejt kremtimit të ditëlindjes së Birit të Zotit, Jezu Krishtit që përkujtohet sidomos nëntë ditë para Solemnitetit.

Nëntëditshi i Krishtlindjes, pra, kremtohet në periudhën e dytë të Kohës së Ardhjes. Kujtojmë se takimet e bashkësisë së krishterë nëntë ditë me radhë para Festës sё Lindjes sё Jezusit, kanë karakter thellësisht shpirtёror, popullor e festohen krahas liturgjisë zyrtare tё Kishёs. Shprehjet e përshpirtërisë së popullit, vijnë nga Mesjeta e largët, për të përforcuar fenë e devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, Virgjërës Mari dhe Shenjtorëve.

Kjo traditë lindi në kohët kur bashkësia e krishterë ishte larg burimeve të Biblës e të liturgjisë, ose kur këto burime ishin të ndaluara e populli shtegtonte si në shkretëtirë, plot etje, në pritje të ujit të gjallë, nё pritje tё Dritёs sё Zotit.

Shtegtim, që vijon edhe në kohët moderne, në të cilat populli i Zotit përpiqet ta ruajë të pacenuar  traditën e vet, e, pa harruar përmasën liturgjike kishtare, merr pjesë nëntë ditë me radhë në kremtimet prekëse tradicionale, shoqëruar kryesisht me uratё, dёgjimin e Fjalёs sё Zotit, meditme a predikime, me muzikë liturgjike si ajo gregoriane etj. Kremton, pra, me besimin e sigurt se shpresa nё Ardhjen e Zotit nuk të zhgënjen, vetëm atëherë kur pranohet me gjithë zemër.

Atëherë prania e Zotit lëshon mbi hijen e ftohtë të dimrit të shpirtit, rrezet e Diellit, në pritje të Ditës së madhe të kthimit të parë e të fundmë. E populli  vijon udhën drejt Krishtlindjes, i bindur se nuk sos me krye në shkëmb, shteg pa shteg, por shkon pas Dritёs, si barinjtë nё kohën e Lindjes sё Jezusit, drejt takimit me Foshnjën Hyjnore.

Kisha, pra, na ftojnë të gjithëve, ta kremtojmë këtë Solemnitet pa e harruar protagonistin e festës, do të thotë Jezusin Fëmijë. Për Krishtlindje, t’i bëjmë vend Jezusit, në vend të shpenzimeve e të zhurmave. Për Krishtlindje, ashtu si Maria, t’i bëjmë vend Jezusit, që vjen. Kisha është në pritje, ashtu si Maria, që mezi ç’pret ta shohë në fytyrë birin e saj. Edhe ne, si Kishë, e shoqërojmë Zojën Mari në këtë kohë, duke pritur me padurimin e saj.

Zoti vjen dy herë. Tani përkujtojmë lindjen e Tij fizike, por Hyji do të vijë sërish në fundin e kohëve. Ka edhe një ardhje të tretë, siç pohon Shën Bernardi: “Ka një ardhje të tretë të Zotit: ajo e çdo dite. Hyji i bën vizitë çdo ditë Kishës së Tij! Viziton secilin prej nesh e shpirti ynë bëhet më i ngjashëm me Të: shpirti ynë i ngjan Kishës, shpirti ynë i ngjan shën Marisë.

Etërit e shkretëtirës thonë se Maria, Kisha e fryma (shpirti) jonë janë femërore e ç’mund të thuhet për njërën, mund të thuhet edhe për tjetrën. Shpirti ynë është në pritje, në pritje për ardhjen e Hyjit; zemër e hapur që e thërret: “Eja, o Zot!” E Shpirti Shenjt e nxit secilin prej nesh,  që këto ditë të lutet, e posaçërisht në pragun e Krishtlindjes duke thënë “Eja! Eja!”. Me fjalët e  antifonave të mëdha të Nëntëditëshit që paraprin Krishtlindjen, të kërkojmë e urojmë: “O urti, o çelësi i Davidit, o mbret i popujve, eja!”.

16 dhjetor 2020, 15:28