Kërko

Editorial

Në vitin e distancimit, afërsia e Papës

Në vitin 2020, pa udhëtime apostolike dhe me një numër të vogël audiencash të përgjithshme në praninë e besimtarëve, Papa Françesku u qëndroi afër të gjithëve, përmes meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës

ANDREA TORNIELLI

 2020-a e Papës Françesku, ashtu si për secilin prej nesh, u shënua thellësisht nga pandemia. Asnjë udhëtim, një numër i vogël audiencash të përgjithshme me praninë e kufizuar të njerëzve në fund të verës, që pastaj, u ndërprenë sërish me ardhjen e valës së dytë të infektimeve me koronavirus, kremtime publike në formë të reduktuar, me pjesëmarrjen e grupeve të vogla besimtarësh. Mungoi kontakti i përditshëm me njerëzit, kontakti fizik i përqafimeve, i shtrëngimit të duarve, i fjalëve pëshpëritur me lot në sy, i bekimeve me kryq mbi ballë, i shikimeve, që kryqëzohen dhe takohen. Edhe Françeskut, në një farë mënyre, iu desh ta kryente misionin e tij në “smart working”, nga shtëpia, duke u lidhur virtualisht e duke shumëfishuar kontaktet telefonike.

Viti i Papës Françesku u karakterizua edhe nga fjalët e Nxitjes Apostolike “Querida Amazonia”, ku u pasqyrua reflektimi gjatë Sinodit të tetorit 2019, botuar në prag të shpërthimit të pandemisë: një thirrje e fuqishme për të parë se ç’po ndodh në atë rajon të harruar. Këshilla për udhë konkrete drejt ekologjisë njerëzore, që merr parasysh të varfrit, drejt vlerësimit të kulturave dhe drejt një Kishe misionare me fytyrë amazonike. Pastaj, posa Covid-19 dukej sikur kishte deklaruar armëpushimin, së paku në Itali, Françesku rifilloi audiencat e përgjithshme me besimtarët, duke u ofruar atyre një cikël katekizmi mbi atë të ardhme, që duam të ndërtojmë pas pandemisë. Së fundi, tetorin e kaluar, dhurata e një enciklike të re, “Fratelli tutti”, e cila këshillon vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore si përgjigje ndaj hijeve të urrejtjes, dhunës dhe egoizmit, që ndonjëherë duket se mbizotërojnë në botën tonë të munduar, jo vetëm nga koronavirusi, por edhe nga luftërat, padrejtësitë, varfëria, ndryshimi i klimës.

Ngjarja simbolike e vitit të sapokaluar, që mbeti në kujtesën e të gjithëve, ishte ajo e 27 marsit (të Premten e Madhe të Pashkëve), me Statio Orbis, përgjërimi drejtuar Zotit që të ndërhyjë dhe ta ndihmojë njerëzimin e prekur nga pandemia: Françesku vetëm, në shi, në Sheshin e Shën Pjetrit krejt shkretë si kurrë më parë e, njëkohësisht, plot e përplot, falë miliona e miliona njerëzve të lidhur në mondovizion për t’u lutur në heshtje. Papa, i cili ngjiti ngadalë shkallët e gjera për të arritur në tremen e kishës dhe na kujtoi se jemi të gjithë në të njëjtën barkë, pa mundur të shpëtojmë të vetëm; Papa, që puthi këmbët e Kryqit të Shën Marçelit, mbartur në procesion nga romakët kundër murtajës; Papa, që bekoi qytetin dhe botën me të Shenjtnueshmin Sakrament, ndërsa sirenat e ambulancave dëgjoheshin në sfond, në një Romë të paralizuar nga lockdown.

Por pati edhe një ngjarje tjetër të përditshme, më pak zulmëmadhe, por më e rëndësishme, që i dha mundësinë Françeskut të shoqëronte miliona njerëz në botë, gjatë pjesës së parë të këtij viti 2020, në kohën e frikës dhe të tronditjes. Ishte mesha e përditshme, që kremtohej në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në 7 të mëngjesit: për tre muaj me radhë, Pasardhësi i Shën Pjetrit trokiti butë në dyert e shtëpive tona, na ftoi të mos dëgjonim fjalime të mëdha apo katekizma të gjata, por, para së gjithash, të dëgjonim fjalët e Shkrimit Shenjt, komentuar me homeli të shkurtra thënë pa letër e ndjekur, pas kremtimit eukaristik, nga disa minuta adhurimi të heshtur para të Shenjtnueshmit Sakrament. Çdo mëngjes, çdo mesditë, ose çdo mbrëmje, në varësi nga ora e asaj zone të botës, shumë e shumë njerëz, madje edhe jo-praktikantë dhe jo-besimtarë, u sintonizuan me radion, TV, transmetimin në internet, për të dëgjuar mesazhin e Ungjillit dhe zërin e Ipeshkvit të Romës, që u bë famullitar i botës.

E, nëse bënë përshtypje pamjet e Papës, i vetëm në shesh më 27 mars, edhe më shumë mallëngjyen ato të sa e sa besimtarëve, gjunjëzuar para një ekrani, ose një celulari gjatë meshës, nga Amerika në Evropë, nga Kina në Afrikë. Thjeshtësia e atyre kremtimeve, të paraprira nga lutje të shkurtra për kategoritë më të prekura nga Covid-19, na bëri shoqëri, na dha rreze shprese, na ndihmoi të lutemi, na bëri të ndihemi më pak të vetmuar, më pak të izoluar, më pak të braktisur. Afërsia me Popullin e Zotit, shoqërimi i realizuar përmes atyre meshëve në ekran, që mbërritën në çdo cep të botës, e bëri të qartë se ç’do të thotë, për Papën, të jesh bari i Kishës universale, ndërmjetës për njerëzimin e plagosur, dëshmitar i Ungjillit, i cili vepron mbi gjithë familjen njerëzore në shumë mënyra, shpesh të paparashikueshme dhe të fshehta.

29 dhjetor 2020, 11:25