Kërko

Papa me  Presidentin e IFAD, Gilbert Hounbo Papa me Presidentin e IFAD, Gilbert Hounbo 

Ndihmë konkrete e Selisë së Shenjtë Ifad-it për të luftuar urinë

Gazeta “L’Osservatore Romano” jep njoftimin lidhur me vendimin e Selisë së Shenjtë për t’i ofruar një mbështetje të rëndësishme Ifad-it, agjencisë së Kombeve të Bashkuara, që punon përkrah më të varfërve.

R. SH. - Vatikan

Gazeta “L’Osservatore Romano” jep njoftimin lidhur me vendimin e Selisë së Shenjtë për t’i ofruar një mbështetje të rëndësishme Ifad-it, agjencisë së Kombeve të Bashkuara, që punon përkrah më të varfërve. “Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bashkojë forcat për ardhmërinë e qëndrueshme të të gjithëve”, shkruan në një letër sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

“Ngjarje e pashembullt”. Kështu e quan Ifad financimin prej 25 mijë dollarësh që Selia e Shenjtë do të dhurojë për të mbështetur e për të zhvilluar veprimtaritë e Agjencisë së OKB-së, që lufton kundër urisë e varfërisë në mbarë botën. Duke dhënë këtë lajm të gëzuar, të marrë nga gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, ndërmjet kaq lajmeve të ngarkuara me trishtim, që dëgjohen në këtë kohë, kanali i Ifad citon letrën e kardinalit Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit,  në të cilën nënvizohet rëndësia e nismës:

“Nuk mund të rrimë në heshtje përballë gjithë kësaj vuajtje”- shkruan kardinali Parolin. - “Sot, më shumë se kurrë bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bashkojë forcat për të përgatitur e për të realizuar një ardhmëri, që të jetë e qëndrueshme, përfshirëse, e drejtë për të gjithë. E pikërisht këtë duhet të bëjmë: t’i ndihmojmë popujt më të varfër e më të pambrojtur në botën tonë”.

Themelore, puna së bashku

Lajmi për kontributin e Selisë së Shenjtë u dha dje, në kuadrin e procesit të ri të mbledhjes së fondeve për Ifad nga ana e vendeve anëtare. Me këtë rast presidenti i Ifad, Gilbert F. Houngbo, theksoi:

“Është themelore  të punosh së bashku për t’i shndëruar sistemet tona ushqimore e për t’u krijuar prosperitet e mirëqenie popullsive fshatare më të varfëra të botës”.

13 dhjetor 2020, 11:37