Kërko

Koha e Ardhjes: jemi të gjithë shokë udhe drejt amshimit

Predikatari i Shtëpisë Papnore mbajti sot, në Sallën e Palit VI, meditimin e dytë të Kohës së Ardhjes, në praninë e Papës Françesku. Duhet ta rizbulojmë - kujtoi - “besimin në jetën e pasosur”. Amshimi “nuk është vetëm premtim e shpresë”, por edhe prani, që vërshoi në histori me Krishtin.

R. SH. - Vatikan

Pasi në Predikimin e parë të Ardhjes i pati nxitur besimtarët të reflektojnë për domethënien e vdekjes, sot kardinali Cantalamessa i ftoi të meditojnë për një “të vërtetë” tjetër, që pandemia e nxori në plan të parë të mendimeve tona. Të duket sikur virusi erdhi të na kujtojë se jeta është e shkurtër - e kalimtare janë të gjitha sendet që na duken të përjetshme. Gjithçka kalon:

“E vërteta e dytë e amshuar”, që pandemia e vuri në plan  të parë, është natyra kalimtare e të gjitha sendeve. Gjithçka vjen e shkon e zhduket: pasuria, shëndeti, bukuria, forca fizike…. Mjafton t’i krahasojmë fotograftë e sotme - tonat a të personaliteteve të famshme - me ato të njëzet a tridhjetë vjetëve më parë, për ta kuptuar kaq e gjë. Po ne, të kapërthyer nga ritmet e jetës, nuk  duam të ndalemi  asnjë çast për të kuptuar pasojat e kohës, që shkon. E bashkë me të, edhe ne!”.

E ja që, në një çast të vetëm, gjithçka na dukej e fuqishme, ligështohet si cipëz akulli mbi të cilën rrëshqet gjithë gaz me patina. Cipëza thyhet papritmas nën këmbë e ti ndjen si fundosesh në ujin e akullt:

“Stuhia - pati thënë Ati i Shenjtë në bekimin e paharrueshëm ‘Urbi et Orbi’ të 27 marsit të kaluar -  e nxjerr në pah ligështinë tonë e i zbulon siguritë tona të rreme e të kota, mbi të cilat i bazuam planet tona, zakonet tona, dëshirat tona. Cipa e akullit thyhet e ti rrokullisesh në pus të pafund!”.

Besimi në amshimin dhe ungjillëzimi

“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj” (Is 40,1). Me këto fjalë  të Izaisë niste Leximi I i së Dielës II të Ardhjes - kujtoi Predikatari. Është ftesë, madje urdhër, përjetësisht aktual drejtuar barinjve e predikatarëve të Kishës. E sot - vijoi - duam ta pranojmë këtë ftesë e të meditojmë mbi kumtimin - absolutisht ngushëllues që na ofron besimi në Krishtin

Meditimi ynë i sotëm mbi jetën e pasosur - shtoi -  nuk na përjashton nga detyrimi për ta jetuar me të gjithë banorët e tjerë të kësaj toke këtë çast tragjik, që po kalojmë: por ne, besimtarët, duhet të jemi të aftë t’i japim  guxim e shpresë edhe atyre, që nuk e kanë ngushëllimin e fesë.  

Kriza planetare, rast për të zbuluar një shkëmb për jetën tonë

Kriza planetare, që po jetojmë, mund të jetë rast për të zbuluar se, pavarësisht nga të gjitha, e kemi një tokë të fortë, madje një shkëmb, mbi të cilin mund ta ndërtojmë jetën tonë tokësore-kujtoi Kardinali Cantalamessa:

“Fjala Pashkë - Pesach në hebraishte - do të thotë kalim e në latinisht përkthehet transitus. Që në shqip do të thotë “të vdesësh”. Edhe fjala vetë të kujton diçka kalimtare, domethënë me prirje të padëshiruar, të keqe. Shën Agostini  ka arritur ta  ndriçojë kuptimin e saj: ‘Të kremtosh Pashkët, shpjegon, do të thotë të kalosh, por të kalosh në çka nuk kalon kurrë; do të thotë të kalosh nga bota, për të mos kaluar me botën. Të kalosh me zemër, para se të kalosh me trup’”.

E çka nuk kalon kurrë është amshimi. Ndaj duhet ta zbulojmë besimin në jetën  tjetër. E kjo është ndihmesa e madhe që mund të japin fetë, njëheresh me përpjekjen për të krijuar një botë më të mirë e më vëllazërore.

Besimi në amshimin dhe ungjillëzimi

Për të krishterët besimi në jetën e pasosur nuk bazohet mbi argumente filozofike të diskutueshme rreth pavdekësisë së shpirtit. Bazohet mbi një fakt të mirëpërcaktuar, në ngjalljen e Jezu Krishtit e në premtimin e Tij:

“Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa […] Po shkoj t’ju përgatis një vend. Pasi të kem shkuar e t’ju kem përgatitur një vend, do të vij përsëri e do t’ju marr me vete, që aty ku jam unë të jeni edhe ju” (Gjn 14,2-3)”.

Këtë të vërtetë të madhe e ngushëlluese kujtoi predikatari e shtoi:

“Për ne, të krishterët, jeta e amshuar nuk është kategori abstrakte, është Vetje! Të shkosh në jetën e pasosur do të thotë të shkosh për të jetuar me Krishtin, të ngjallesh si Ai në jetën trinitare. ‘Dëshiroj ta lë këtë jetë e të shkoj e të rri me Krishtin’- u thoshte Shën Pali Filipianëve të tij të dashur. E këtë na e pësërit edhe ne!”

 Predikatari e përfundoi meditimin me një lutje drejtuar Zotit:

“O Zot, që na bashkon në një vullnet të vetëm, ndihmoje popullin tënd të dojë çka  urdhëron e të dëshirojë çka premton, që ndërmjet ngjarjeve të botës, zemrat tona të ngulen atje, ku është gëzimi i vërtetë”.

11 dhjetor 2020, 11:12