Kërko

2020.12.03 Nuovo codice penale vaticano 2020.12.03 Nuovo codice penale vaticano 

Kodi Penal i Vatikanit: për një ligj, që ecën me hapin e kohës

Doli, nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, Kodi Penal Vatikanas. Është fjala për një vepër, që e aktualizon variantin e botuar që në vitin 1929 e që u desh të reformohej disa herë, për të vijuar ecjen me hapin e kohës.

R. SH. - Vatikan

Kodi i ri është shumë më i përshtatshëm për përdorim nga ana e punonjësve të drejtësisë vatikanase, për juristët dhe të gjithë ata, që merren me çështjet e së drejtës penale, në krahasim me atë, që ishte në fuqi deri sot, në Shtetin e Qytetit të Vatikanit. Ky edhe objektivi i  atyre, që e përgatitën për shtyp Kodin Penal: imzot Juan Igantio Arrieta, Sekretar i Këshillit Papnor për Tekstet  Ligjore dhe motra Maria Luisi, punonjëse e të njëjtit dikaster, e edhe të Shtypshkronjës së Vatikanit, që e botoi. Kodi i ri është rezultat i integrimit të Kodit Penal, që njihet me emrin “Zanardelli”, në fuqi, në Vatikan që nga viti 1929, me modifikimet e panumërta të bëra deri më sot. E kjo sepse, natyrisht, nuk përkonte më plotësisht me kohën e sotme e me ndryshimet e shoqërisë në rrjedhë të një shekulli të tërë. Këto ndryshime e bënë një tekst krejt të ndryshëm, në krahasim me atë që vijonte t’i bënte ballë një kohe tejet të gjatë.

Për të kuptuar Kodin, duhet kuptuar Vatikani

Për ta kuptuar Kodin, duhet kujtuar së pari se Vatikani është Shtet i veçantë e se qëllimi i tij i vetëm është të garantojë pavarësinë e plotë të shërbimit baritor të Atit të Shenjtë e të Kishës. Gjithsesi, Qyteti i Vatikanit ka edhe karakteristikat kryesore të çdo shteti e, prandaj, edhe ligjet e veta civile e penale, që nuk kanë karakter kishtar: këto ligje janë në fuqi në territorin e shtetit të vogël e vihen në jetë nga gjykata civile, që ekziston brenda Shtetit.

Ndryshimi nga Kodi Kanonik

Kodi i ri ndryshon nga ai Kanonik, sepse nuk ka të bëjë me lëndë fetare, as me disiplinën e klerikëve, dënimet e të cilëve kanë natyrë shpirtërore. Ndonëse Drejtësia kanonike mbetet gjithnjë burimi i parë normativ dhe kriteri i parë i referimit interpretues i Shtetit, e kjo do të thotë që, edhe pse është fjala për norma e dënime me karakter shekullar, gjykatësi penal i Vatikanit duhet t’i ketë mirë parasysh  kriteret e humanizmit e të rendit të vlerave, që imponon disiplina kanonike.  

Cilat faje të reja dënohen nga Kodi i ri?

Janë të ndryshme. Për shembull, krimet informatike, trafiku i drogës, krimet financiare e tjerë e tjerë. Tani  ekziston edhe bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë lëmë.

Synimi, pra, është “të rivendosë drejtësinë e lënduar, t’i parandalojë shkandujt e të  vërë themelet e dënimeve me qëllime edukative”.

04 dhjetor 2020, 15:50