Kërko

Vatican News
PHILIPPINES-CRIME-RIGHTS PHILIPPINES-CRIME-RIGHTS 

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve: lutjet i besohen bashkësisë së Grandchamp

Janë motrat e Zvicrës, të Bashkësisë së lindur në vitet ‘30, ardhur nga vende e tradita të ndryshme kristiane, që i nënshkruan sivjet reflektimet, të cilat do të mbahen nga 18 deri më 25 janari i ardhshëm, me temë: “Rrini në dashurinë time: do të jepni shumë fryte”. Tri, shtyllat mbi të cilat bazohet materiali i shkruar nga rregulltaret, janë: lutja, jeta në bashkësi e mikpritja.

R.SH. - Vatikan

Materiali kushtuar Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të mbahet nga 18 deri më 25 janar,  sivjet u përgatit  nga Bashkësia murgare e  Grandchamp, në Zvicër. Njoftimi jepet në kanalin e Këshillit papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Tema e zgjedhur me këtë rast, shkëputur nga Ungjilli i Gjonit (15, 1-17), është Rrini në dashurinë time: do të jepni shumë fryte”.

Temë kjo, që shpreh thirrjen për lutje, për pajtim e për unitetin e Kishës e të gjinisë njerëzore, karakteristike për Bashkësinë e Grandchamp. Është bashkësi motrash nga tradita të ndryshme të krishtera  e nga vende të ndryshme. U themelua në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitet ’30 disa gra të traditës së reformuar të Zvicrës, në zonën frengjishtfolëse, që i përkisnin një grupi të njohur me emrin Dames de Morges” rizbuluan rëndësinë e heshtjes në dëgjimin e Fjalës së Zotit e, njëkohësisht, rifilluan praktikën e ushtrimeve shpirtërore për të ushqyer jetën e fesë, sipas shembullit të Krishtit, “që tërhiqej gjithnjë në vende të shkreta, për t’u lutur”.

Shumë shpejt me to u bashkuan edhe të tjera, të cilat nisën të ndiqnin rregullisht ushtrimet shpirtërore, për të ushqyer jetën e fesë. Lindi, atëhere, nevoja e një strehe, për pritjen e shtegtareve, që dëshironin të tërhiqeshin në lutje. Në rrjedhë vitesh Bashkësia e Grandchamp krijoi lidhje të ngushta me Bashkësinë e Tezesë e me atin Paul Couturier, figurë-kyçe e historisë së Javës së Lutjes.

Sot në Grandchamp jetojnë rreth 50 motra, të angazhuara në kërkim të rrugëve të pajtimit ndërmjet të krishterëve brenda familjes njerëzore e në respekt me mbarë krijimin.

Lutja, jeta në bashkësi, mikpritja

Tri, shtyllat, mbi të cilat bazohet materiali i përgatitur: lutja, jeta në bashkësi dhe mikpritja. Janë një thirrje e vërtetë “për të mbetur në Krishtin” e për t’i afruar edhe të tjerët,  që t’i japin fund ndarjeve ndërmjet të krishterëve. Kur dëgjojmë Jezusin - jeta rrjedh fuqishëm brenda nesh - nënvizohet - Ai na fton, që Fjala e Tij të banojë ndër ne, e çdo kërkesë do të na plotësohet. Duam të bashkohemi me Krishtin, për t’iu bindur urdhërimit të Tij: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë”.

“Lutu e puno, që Zoti të mund të mbretërojë mbi gjithësinë” - është rregulli i jetës së motrave: rregull, që e kujtojnë çdo ditë në lutje, në Grandchamp. E kjo tregon se “lutja dhe jeta e përditshme janë dy realitete, të bëra për të qenë gjithnjë së bashku”.

22 dhjetor 2020, 09:31