Kërko

Comastri: O Zojë e Papërlyer, na ndihmo të gjejmë udhën e pastrisë, që çon në dashurinë e vërtetë

Kardinali Angelo Comastri, mëkëmbësi i Papës për Shtetin e Vatikanit, kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer. Për dashurinë njerëzore dha shembullin e Zojës, “zemra e së cilës – pohoi - ka mbetur gjithmonë e pastër, kurrë nuk është prekur nga mëkati”

R.SH. - Vatikan

Përqendruar mbi pastrinë e mbi bukurinë e dashurisë njerëzore, homelia e meshës së sotme, kremtuar në orën 10.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, nga mëkëmbësi i Papës për Shtetin e Vatikanit, kardinali Angelo Comastri, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer.

          Reflektimi i kardinalit mbi dashurinë dhe mbi mënyrën si e përjetojnë atë sot të rinjtë u nis pikërisht nga fjalët që Zoja i tha Bernardette Soubirus, kur iu duk më 25 mars 1858, duke e paraqitur kështu vetveten:

          “Unë jam e Zëna pa mëkat!”. Pra, - komentoi kardinal Comastri – “Zemra ime ka mbetur gjithmonë e pastër, kurrë nuk është prekur nga mëkati, i cili është një grusht baltë, që e ndot dlirësinë e zemrës njerëzore e, sidomos, e ndyen dashurinë dhe e shndërron në egoizëm, krejtësisht i kundërt me dashurinë”.

Fjalët e Nënë Terezës

          Por, dy vite me parë, lumi Gave, që rrjedh pranë Shpellës së Lurdës, doli nga shtrati dhe e përmbyti krejt shpellën. Kur u largua, la pas një shtresë balte, që kardinali Comastri e interpretoi si shenjë, sikur Zoja të donte t’i thoshte njerëzimit se e ka tradhtuar dashurinë e vërtetë, se është ndyrë me baltë.

          “Nënë Tereza e Kalkutës – përmendi kardinali shenjten shqiptare të dashurisë, të cilën e ka njohur personalisht dhe e nderon jashtëzakonisht - nuk është lodhur kurrë duke thënë: ‘Sot gënjeshtra më e madhe është ajo që ka të bëjë me dashurinë: shumë nuk e dinë më se çfarë është dashuria, deri në atë pikë sa quhet ‘dashuri’ edhe kur shkon me një prostitutë”.

          Është e nevojshme ta kesh të pastër zemrën, për ta provuar dashurinë e vërtetë, që është dhurim i vetvetes, por i kujt vetvetje – pyet kardinali Comastri. Njeriu duhet të ketë diçka për të dhuruar e vetëm zemra e pastër  na jep aftësinë për t’i ndierë vërtet tonat ndjenjat, në mënyrë që të jemi në gjendje t’i dhurojmë.

Historia e vrasësit të Maria Goretit

          Homelia e vikarit të Papës për Vatikanin u drejtohet kryesisht të rinjve, të cilëve u flet për shenjten e pastrisë, Maria Goretin, vajzën që preferoi të vdiste, por të mos jepej. Nuk e bën këtë përmes biografisë së virgjëreshës, por përmes fjalëve të letrës së vrasësit të saj, Alessandro Serenelli, i cili – tashmë 80 vjeç – shkruan pendesën e vet për aktin e shëmtuar të përpjekjes për përdhunimin e vajzës, që i kushtoi 30 vite burg. Seksualiteti, reflekton kardinali, në planin e Zotit, është gjuha e trupit përmes të cilit duhet të shprehet dashuria: por, nëse mungon dashuria, seksualiteti degjeneron në një tekë të thjeshtë, në lojën e dy trupave deri në neveri, deri në përbuzje.

          “Sa shumë duhet rimenduar mënyra e jetesës së rinisë! – vëren kardinali Comastri - Rinia nuk është koha e shkeljeve dhe e lirisë pa rregulla! Të mendosh kështu është gabim fatal, që e shkatërron vetë të riun, sepse e bën atë të paaftë të përballet me sfidat dhe angazhimet e ardhshme të jetës: prandaj, nuk e çon drejt lumturisë”.

Dhurata e dashurisë

          Fjalët e Alessandro Serenelli-t nuk kanë nevojë për koment: janë britma e një njeriu, që pasi ka provuar tmerrin e fajit, dëshiron që të tjerët të mos ecin në udhën e ndërmarrë prej tij në rini:

          “Ta kuptojmë thirrjen, që del nga historia e Alessandro-s e është kjo: t’i edukojmë të rinjtë me ndjenjën e vërtetë të dashurisë, duke i çliruar ata nga iluzioni se mund të bëhen të lirë duke iu nënshtruar çdo instinkti! Liria qëndron në të qenit zot i ndjenjave për t’i bërë ‘dhuratë dashurie’ përmes gjuhës së seksualitetit, brenda së cilës pulson mrekullia e jetës njerëzore”.

          E për të nënvizuar se ky është mesazhi i solemnitetit të Zojës së Papërlyer, kardinali Angelo Comastri e përfundoi homelinë me lutjen:

          “O Zojë e Papërlyer, grua tejet e pastër e shi për këtë, e aftë për dashuri të vërtetë, na i hap sytë e zemrat që ta gjejmë udhën e pastrisë, e cila hap gonxhen e dashurisë së vërtetë. Amen”.

08 dhjetor 2020, 12:03