Kërko

Vatican News

Fisichella: ta shikojmë Krishtin që vjen, për të mos e ndjerë vetminë

Kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri flet për ekspozitën e tiulluar “100 Shpella Betlehemi në Vatikan”, që u hap dje, duke pohuar vlerën e këtij simboli e duke kujtuar edhe një libërth kushtuar Krishtlindjes me titull: “Lindi për ne”.

R. SH. - Vatikan

Traditë që vijon, kjo e ekspozitës “100 Shpella Betlehemi në Vatikan”. Në vigjilje të hapjes, imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të ri, kujtoi zhvendosjen e edicionit 2020 për shkak të emergjencës shëndetësore, nga Rruga e Pajtimit - poshtë Kolonatit të Sheshit të Shën Pjetrit, ku do mund të soditet deri më 10 janar 2021.

Ekspozitë mahnitëse

“Vendosëm ta realizojmë ekspozitën jashtë, e pikërisht për të respektuar rregullat kundër infektimit me sëmundjen, që vijon të bredhë edhe atje ku ngrihen Shpellat e Festës së madhe - pohon Prelati - duke shpjeguar edhe  mënyrën si janë vendosur Shpellat, ardhur nga mbarë bota: në kasolle druri, ndërmjet Kolonave. Të kënaqin nën dritën e diellit, por të mahnisin edhe më shumë në errësirën e natës, me lojën dritave, që  të bën ta ndalosh  hapin për një vizitë të jashtëzakonshme Krishtit Fmijë, që e shikojmë të punuar në të gjitha format e me të gjitha materialet e mundshme.

100 Shpella Betlehemi për t’ua lehtësuar njerëzve barrën e pandemisë

Në salla a nën shtylla - kujton imzot Fisichella - lindja e Krishtit mbetet simbol i thjeshtësisë. Kur jemi përballë Shpellës, do të thotë se jemi para dashurisë së Zotit, që shfaqet para syve tanë të mahnitur me thjeshtësinë më të madhe. Gjithnjë! E sidomos në këtë Krishtlindje 2020, për t’ua lehtësuar sadopak shumë njerëzve barrën tejet të rëndë të pandemisë, që mbajnë mbi shpatulla.

Zoti nuk na braktis kurrë

Nëse është e vërtetë që vdekja, sëmundja, vetmia e pasiguria ta zbehin çdo shpresë, është po aq e vërtetë edhe se gjithçka duhet kapërcyer. “Duhet të kemi në shpirt sigurinë se nuk jemi vetëm. Se një mori njerëzish e jetojnë si ne të njëjtin çast. E, sidomos, se Zoti nuk na braktis kurrë”. Ky, për imzot Fisichellën, është mesazhi që del nga Shpella e Betlehemit: “Nëse jeton i trishtuar e i vetmuar, afroju Shpellës e shikoje Foshnjën Hyjnore, që  erdhi edhe për ty! Hapi krahët e përqafoje fort, fort, e do të ndjehesh më pak i vetmuar, duke menduar se ke pranë një Zot, që ka në dorë fatet e  jetës tënde e të mbarë njerëzimit!

Ekspozita e 100 Shpellave të Betlehemit

Nëse duam të dimë diçka më shumë për 100 Shpellat, mund të shfletojmë librin “Lindi për ne! Krishtlindje me Papën Françesku”, botim i Shtypshkronjës së Vatikanit, me parathënie nga imzot Fisichella. Libri  përmbledh fjalime të shkurtra të Papës me raste të ndryshme:

“Me këtë botim – na kujton Prelati - mbajmë gjallë mesazhin, që na dorëzoi Papa vitin e kaluar në Greçio, me Letrën apostolike “Admirabile Signum”, që Shpella e Betlehemit të mbetet simbol i dashurisë së Zotit për njeriun, por edhe mjet i fuqishëm i ungjillëzimit”.

Pakëz histori

 “100 Shpella Betlehemi”, është ekspozitë veprash arti, që nisi të organizohej në vitin 1976, për të mbajtur gjallë një traditë tipikisht italiane,   në rrezik të zhdukej e për ta nxitur të organizohej edhe jashtë Italisë. Titulli “100 Shpella Betlehemi” të kujton numrin e Shpellave që ekspozoheshin, e vijojnë të ekspozohen, që në fillim të kësaj tradite. Sot vizitorët kanë mundësi të admirojnë një mori variantesh e të thellojë njohjen e tyre në lëmin e  artit të Shpellave të Betlehemit si dhe të  cilësive të tyre stilistike.

“100 shpellat e Betlehemit”, në Vatikan

Manifestimi mbahej çdo vit në Romë, në Sallat sugjestive të Bramantes, pranë Bazilikës së Shën Marisë të Popullit, por më pas, në edicionin e 43-të, u zhvendos. Kjo, edhe për arsye se organizimi ndeshi shumë pengesa. Atëhere Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e  Ri, vendosi  ta organizojë në Vatikan. Prej këndej, u quajt: “100 Shpella Betlehemi në Vatikan”, hapur në periudhën e Krishtlindjes, nga 17 dhjetori 2018 deri më 13 janar 2019 pranë Sallës Shën Piu X, në Via della Conciliazione (Udha e Pajtimit). Sivjet, një zhvendosje e re.

 Larmia e madhe e Shpellave të Betlehemit

Në ekspozitë, Shpellat e Betlehemit përtërihen çdo vit, sepse çdo vit vijnë të reja, nga të gjitha rajonet e Italisë dhe nga 25 vende të tjera të botës: janë vepra artistësh, artizanësh italianë e të huaj, koleksionistësh, amatorësh, studentësh, nxënësish, që nga shkolla fillore, tek ajo e mesme, përfaqësuesish të shoqatave kulturore të angazhuar në veprimtari shoqërore, muzesh kombëtare e të huaja. Shpellat ndërtohen me një mori materialesh, që nga koralet - tek argjendi, porcelani, qelqi, bronzi, qeramika, balta, druri, tapat, kopsat, dritat e makinave të autove e lapsat; janë të lëvizshme e të palëvizshme, me përmasat më të vogla, deri tek përmasat e njeriut.

Zanafilla e Shpellës Betlehemit

Shpella e Betlehemit, për të krishterët, është rikujtim artistik e simbolik i ngjarjes më të madhe të historisë njerëzore: lindjes, në Betlehem, të Jezusit, Shëlbuesit të botës e Zotit, që u bë njeri, për të banuar ndër ne.

Përfaqëson edhe një traditë të rrënjosur thellësisht në kulturën popullore italiane. U realizua për herë të parë në Greccio, pranë Rietit, nga Shën Françesku, si Shpellë  Betlehemi me figura të gjalla. Për të vijuar deri tek ne e tutje, sepse, sipas shumëkujt, pa Shpellë Betlehemi nuk mund të ketë Krishtlindje!

14 dhjetor 2020, 11:49