Kërko

 Santissimo Nome di Gesù Santissimo Nome di Gesù 

Dita e fundit tё Vitit 2020 - Bekuar e Gëzuar Vitin e ri 2021!

Zotit t'ia besojme Vitin e Ri e t'i themi në Ty, o Zot shpresuam; në Ty, o Zot, do ta mbështesim rishtas shpresën tonë. Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde Hyjore, të cilën s'ka forcë që mund ta shuajë. Bëj që çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë, shëndetin, mbarësinë e paqen gjatë Vitit të Ri e tërë jetën. Zoti që kurorëzon këtë vit, ju pasuroftë me dhanti e të mira të Tij Hyjnore gjatë Vitit të Ri! Gëzuar!

R.SH. - Vatikan

Të dashur miq tё Radio Vatikanit – Vatican News kudo që jeni, nё pragun e festës sё Vitit tё Ri, në punë a në shtëpi, me të afërmit e miqtë, vetëm a me shokë, redaksia shqipe ju uron me gjithë zemër ta kaloni me shpresё pragun e Vitit tё Ri.

Ju urojmë të gjithëve ta kaloni Vitin e Ri 2021 pranë Zotit. Është i vetmi që mund ta ndihmojë njeriun e t’u japë përgjigje tё gjitha pyetjeve që e mundojnë, t’ia lehtësojë gjithë mjerimet, t’ia shumëfishojë gjithë gëzimet. 

Këto orё të fundvitit, lavdërimi e falënderimi drejtuar Hyjit, shoqërohen edhe me një rrëmim të sinqertë të ndërgjegjes sonё personale e komunitare. Të gjithë i kërkojmë falje Zotit për mungesat, për fajet, të sigurtë se Hyji, i pasur me mëshirë e dashuri të pamasë, është pafundësisht më i madh se mëkatet tona.

Prandaj, në mbarim të vitit, Kisha na fton të përqendrojmë vështrimin tonë mbi Jezusin Foshnje, Diellin e ri që u shfaq në horizontin e njerëzimit, sepse në Të koha merr domethënien dhe përmasën e vërtetë. Udha drejt lumturisë së vërtetë është Jezu Krishti, e vetëm në Të njeriu gjen bukurinë dhe kuptimin e jetës.

Pikërisht për këtë, besimtarët e krishterë janë të thirrur t’i jetojnë këto orë, duke i bërë të vetat ndjenjat e Virgjërës Mari, e, së bashku me Të, ta mbajnë të fiksuar shikimin mbi Krishtin Zot e Shpëtimtar, dhe, të ngushëlluar nga drita e Tij Hyjnore, të jenë përherë të lidhur me Atin Hyjnor, të cilit, duhet t’i paraqesim gëzimet e shpresat, trishtimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme, problemet e koronavirusit dhe ato të të varfërve e sidomos të atyre njerëzve që vuajnë, që prania e Zotit ta “mbush” me vlerë e domethënie historinë dhe jetën e mbarë njerëzimit.

Hyji nuk e ka mbushur kohën duke zbritur e depërtuar në të prej së larti, por “nga brenda”, duke u bërë farë e vogël për ta udhëhequr njerëzimin deri në rritjen e pjekurinë e plotë.

E siç pohon edhe kalendari, Koha kalon, rrjedha e saj e pandalur na nxit t’i sjellim sytë tanë me mirënjohje të thellë nga Hyji, që është i Amshuar, që është Zoti i kohës dhe i jetës. T’i lutemi, pra, Zotit ta bëjë secilin nga ne, tharm të vërtetë shprese në mjediset e ndryshme, që të mund të ndërtohet për të gjithë një ardhmëri më e mirë.

Zotit t'ia besojme Vitin e Ri e t'i themi në Ty, o Zot shpresuam; në Ty, o Zot, do ta mbështesim rishtas shpresën tonë. Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde Hyjore, të cilën s'ka forcë që mund ta shuajë. Bëj që çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë, shëndetin, mbarësinë e paqen gjatë Vitit të Ri e  gjate tërë jetës. 

Urimi jonë për Vitin e Ri shndërrohet në lutje drejtuar Zotit, që t’i bëjë të frytshme përpjekjet e të gjithëve. T’ia besojmë, pra, Atij dëshirat e planet tona njerëzore. Zotit t’ia lartojmë lavdet e lutjen plot besim:

Ty, o Atë i jetës,

Zanafillën pa fillesë,

E mira e pambaruar e drita e amshuar,

Me Birin e me Shpirtin Shenjt,

Nderim e lumturi, lavdi e mirënjohje,

Në shekujt pa mbarim. Amen!

Në Ty, o Atë i jetës shpresuam

e në Ty do ta mbështesim përsëri shpresën tonë.

Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës,

duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde,

të cilën s’ka forcë që mund ta shuajë.

Urojmë që çdo njeri vullnetmirë të provojë e shijojë dashurinë dhe paqen tënde Hyjnore, o Atë i ynë Qiellor. Amen!”

Zoti që kurorëzon këtë vit, ju pasuroftë me dhanti e të mira të Tij Hyjnore gjatë Vitit të Ri! Gëzuar!

 

31 dhjetor 2020, 11:51