Kërko

Vatican News
Natale diGesù, adorazione dei pastori Natale diGesù, adorazione dei pastori 

Data e lindjes së Jezu Krishtit

Data e lindjes se Jezusit ka shumë mundësi të jetë viti 12 para Krishtit. Themi ka shumë mundësi, sepse Mateu shkruan se ylli, që panë Mbretërit dijetarë vijonte të lëvizte, derisa arriti tek grazhdi i Foshnjës së sapolindur: kjo lëvizje, astronomikisht krejt e pazakontë, mund të nënkuptohet edhe si një këshill për të mos i besuar vetëm astronomisë lidhur me caktimin e datës së lindjes tokësore të Birit të amshuar të Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Lidhur me datën e lindjes së Jezu Krishtit, që në fillim le të nisemi nga të dhënat ungjillore:

Mateu ungjilltar tregon: “Jezusi lindi në Betlehem të Judesë, në kohën e mbretit Herod. Disa Mbretër Dijetarë, që arritën nga Lindja në Jeruzalem, pyesnin: “Ku është Mbreti i Judejve që ka lindur? Kemi parë të ngrihet ylli i tij e kemi ardhur ta adhurojmë!”

Te Ungjilli i Lukës shkruhet: “Në ato ditë, një dekret i Qesar Augustit urdhëroi të bëhej regjistrimi i banorëve në të gjithë tokën. Ky regjistrim i parë qe bërë kur ishte sundimtar i Sirisë Kuirini”.

Betlehemi i Judesë,  vendi ku lindi Krishti, vetëm pak kilometra larg nga Jeruzalemi, ishte vendi i origjinës të familjes së mbretit David, birit të Jeses. Davidi është stërgjysh i Jezusit, e prandaj thirret “rrënja e Jeses”. Megjithatë Jezusi nuk njihet si “Betlemiti”, por si “Nazareni”, sepse fëmijërinë, adoleshencën e rininë i kaloi në Nazaret, fshat i Galilesë e jo i Judesë. Nazareti ishte vendi i Jozefit e i Marisë, prindërve të Jezusit.

Jezusi lindi në kohën e Herodit, mbretit të Judesë,
me origjinë idumease, që do të thotë gjysëm jude e gjysëm pagan. Herodi ishte mik i romakëve. Në Romë sundonte perandori i parë, Cezar Augusti, i cili qëndroi në fron të perandorisë nga viti 29 para Krishtit deri në vitin 14 pas Krishtit. Emri i tij fillestar qe Oktavian; më vonë këtij emri iu shtuan epitetet Cezar, per nder të aftësive të tij prej prijësi e pastaj August, si vulë e njohjes së pushtetit dhe autoritetit.

Jezusi lindi kur Cezar Augusti urdhëroi të bëhej regjistrimi i parë i popullsisë dhe kur sundimtar romak i Sirisë, por edhe i Feniçies, ishte Publio Sulpicio Kuirino. 

Po në ç’ vite qeverisi Kuirini, që qe sundimtar për dy mandate? Pyetja është themelore për të arritur tek viti i saktë i lindjes së Jezusit. Kuirini sigurisht nuk qe sundimtar në vitin 7 para Krishtit. Themi 7, sepse sipas astronomit Kepler, është ky viti i lindjes së Krishtit. Për astronomin, ylli i Mbretërve Dijetarë nuk ishte tjetër veçse bashkimi i Jovit e i Saturnit, që ndodhi pikërisht në vitin 7

Në astronomi “bashkim” quhet radhitja e dy trupave qiellore në të njëjtën gjatësi, ose në ‘ngritje vertikale’. I parë nga toka, fenomeni mund të duket si bashkim i dy trupave, në të cilin i vogli ndodhet poshtë të madhit.

Një almanak astronomik siro-babilonez thoshte edhe se në vitin 7 Jovi e Saturni zunë vend në të njëjtin konstelacion. Llogaritjet e mëvonshme dëshmuan se në vitin 7 nuk ndodhi një bashkim i mirëfilltë, sepse Jovi e Saturni mbetën gjithnjë larg më se dy diametra të dukshme nga hëna dhe, prandaj, nuk mund të shiheshin nga Toka si një yll i vetëm. Prej këndej lind pyetja: në se jo Kuirini, kush ishte qeveritar i Sirisë në vitin 7? Ishte Senzio Saturnino. 

Ndërsa Qurini, sundonte me siguri në vitin 6, vit në të cilin u bë një regjistrim tjetër, ai i Apameas. Shën Luka flet për regjistrimin e parë, jo për të dytin. Kasio Dioni shënon se regjistrimet e para Augusti i bëri në vitin 11 para Krishtit. Eshtë ky viti që na intereson për të përcaktuar datën e lindjes së Jezusit. Kështu mund të themi se regjistrimi i parë u bë nën qeverisjen e parë të Kuirinit.

Zhvendosemi përsëri në planin astronomik. Në vitin 11 ose rreth tij, ngjet diçka e rëndësishme astronomike, aq sa flitet për një yll. Vërtet në vitin 11 u duk një yll ndërmjet konstelacionit të Binjakëve, të Luanit, të Ofiukut, të Hidrës e të Akrepit. Ky yll u pa në tokën e Jezusit nga 26 gushti deri më 20 tetor të vitit 12 me një shkëlqim shumë më të madh se të atij që u duk, për shembull, në vitin 1910.

Pra, data e lindjes se Jezusit ka shumë mundësi të jetë viti 12 para Krishtit. Themi ka shumë mundësi, sepse Shën Mateu shkruan se ylli, që panë Mbretërit dijetarë vijonte të lëvizte, derisa arriti tek grazhdi i Foshnjës së sapolindur: kjo lëvizje, astronomikisht krejt e pazakontë, mund të nënkuptohet edhe si një këshill për të mos i besuar vetëm astronomisë lidhur me caktimin e datës së lindjes tokësore të Birit të amshuar të Hyjit.

25 dhjetor 2020, 11:41