Kërko

Braz de Aviz: Covid nuk i ndaloi rregulltarët tanë

Intervistë e kardinalit Braz de Aviz, Prefekt i Kongregatës së Instituteve të Jetës Rregulltare dhe Shoqërive të Jetës Apostolike të Selisë së Shenjtë. Vë në dukje përkushtimin dhe flijimin e shumë rregulltarëve gjatë këtij viti, që po shkon drejt fundit.

R. SH. - Vatikan

Ndërmjet pamjeve të vitit 2020, që të mbeten më shumë në kujtesë, sipas kardinalit João Braz de Aviz, Prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike së Selisë së Shenjte, është ajo e përkushtimit të rregulltarëve në misionin e tyre. Pa marrë parasysh vështirësitë e rënda,  shkaktuar nga pandemia, ata mbetën gjithnjë pranë njerëzve.

Vit i dhimbshëm, por edhe me shumë përfitime

“Rregulltarët e rregulltaret tona - shpjegon kardinali João Braz de Aviz, nuk u larguan nga të dashurit e tyre, nga misioni i tyre, por  mbetën në krye të detyrës". Shumë e morën edhe Covid-in, të tjerë pa marrë parasysh asnjë vështirësi e duke u bërë ballë shumë rreziqeve, punuan ndër spitale e në shërbimin publik, por edhe nëpër shtëpitë tona, për ta çuar pranë njerëzve, që lëngonin, afërsinë e Krishtit. Më preku në shpirt pamja e një fëmije, që mundi ta përshëndesë gjyshen përmes xhamave të spitalit, mbasi mjekët e kuptuan se ky gjest njerëzor e kjo ngrohtësi ishte e nevojshme, sepse sëmundja më e keqe në botë është pikërisht vetmia.  Për ta luftuar vetminë u munduan e mundohen rregulltarët tanë. Për këtë u bëmë ne! Këtë na kërkon Ungjilli. Është misioni ynë i parë.

Ky vit për mua ishte shkollë e vërtetë. Përfitova shumë nga rregulltarët, duke qëndruar pranë tyre, duke parë si e kryejnë misionin e tyre në një mori vendesh, duke u kujdesur për njerëzit, siç bën Papa Françesku, e duke vënë në jetë edhe të gjitha rregullat, që na kërkojnë autoritetet tona, mbasi kjo është e nevojshme për ta kapërcyer këtë situatë, por duke mos i lënë njerëzit në vetmi e braktisje, duke mos lejuar të dëshpërohen me mendimin se nuk kanë askënd e askush nuk mendon për ta, sepse ndoshta pikërisht kjo është sëmundja më e rëndë. Prandaj mund të them se, në këtë kuptim, ky vit ishte një shkollë e madhe.

14 dhjetor 2020, 12:32