Kërko

Vatican News

2020-ta e Papës Françesku: forca e lutjes në kohën e pandemisë

2020-ta e Papës Françesku u karakterizua nga Lutja dhe emergjenca shëndetësore shkaktuar nga Covid-19. Mbrëmjen e 27 marsit 2020, e Premtja e Kreshmëve, qe çast i jashtëzakonshëm i lutjes në kohë pandemie, për ta ftuar njerëzimin të mos ketë frikë e t’ia besojë vetveten Zotit: “E kemi një shpresë - pohoi Ati i Shenjtë - në kryqin Krishtit u shëruam, atë kryq e përqafuam, që askush e asgjë të mos mund të na ndajë nga dashuria e Tij shëlbuese”.

R.SH. - Vatikan

E dielë, 8 mars 2020: vija e kufirit, që ndan “para” e “pas”, kalon  përmes kësaj date, kur besimtarët, të grumbulluar në Sheshin e Shën Pjetrit, me sytë ngulur tek dritarja e Engjëllit, prisnin Papën Françesku. Si zakonisht… Po kjo e së Dielës së Dytë të Kreshmëve, do të ishte një lutje e pazakonshme.

Engjëlli i parë i Tënzot transmetuar drejtpërdrejt në streaming

Ora trokiti 12.00. U hap një “dritare”! Po nuk ishte ajo, nga jemi mësuar ta shikojmë Françeskun çdo të diel në mesditë. Dritaren atë ditë e zëvendësoi ekrani, ku Papa u duk në këmbë, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik. Nuk ishte e çuditshme kjo pamje për besimtarët e mbledhur në Shesh. E kishin marrë vesh nga komunikata e Sallës vatikanase të Shtypit, e cila e dha që një ditë më parë njoftimin e ndryshimit, diktuar nga përpjekja për të shmangur rrezikun e përhapjes së Covid 19. Engjëlli i parë i transmetuar drejtpërdrejt në streaming, kishte në qendër të vëmendjes dashurinë me të cilën Jezusi na thërret t’i rrimë pranë. Gjithsesi Papa, që nuk mund t’i durojë distancat, në përfundim të lutjes “doli nga kafazi”, e u duk për një përshëndetje në dritaren e Engjëllit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit. Me shpresë se së shpejti do ta kremtonte sërish lutjen nga kjo Dritare!

 27 marsi çast i jashtëzakonshëm i lutjes në kohë pandemie

Nuk dihej akoma se pas pak ky Shesh i Shën Pjetrit, gjithnjë përplot, do të boshatisej për shumë kohë. Do të pushtohej nga heshtja, për t’u mbushur vetëm me lutjen e Papës, e me shpresat e botës. Papa ishte aty, vetëm, nën shi, mbrëmjen e 27 marsit,  e Premtja e Kreshmëve. Në atë çast të jashtëzakonshëm të lutjes në kohë pandemie, për ta ftuar njerëzimin të mos ketë frikë e t’ia besojë vetveten Zotit: “E kemi një shpresë - pohoi - në kryqin Tij u shëruam,  atë kryq e përqafuam, që askush e asgjë të mos mund të na ndajë nga dashuria e Tij shëlbuese”.

I paharrueshëm “afresku” i pikturuar nga  Papa mbrëmjen e 27 marsit, në Sheshin e Shën Pjetrit krejtësisht të boshatisur, vend i një adhurimi eukaristik dhe i një Urbi et Orbi,  shoqëruar vetëm nga tingëllimi vajtimtar i këmbanave, përzjerë me tingujt e borive të ambulancave. Çasti, kur Sheshi bosh buçiti nga fjalët e Françeskut: “U kujtuam se jemi mbi të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë, të çorientuar, por njëkohësisht të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të thirrur t’i lëvizim së bashku remat, të gjithë nevojtarë për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Mbi një barkë…. Të gjithë!”. Po “pikërisht kjo kohë e kapërthyer nga kriza, e lidhur me pandeminë e Covid 19, është koha më e përshtatshme që të gjejmë guximin për përfytyrimin e ri të së mundshmes, me realizmin, që mund të na e ofrojë vetëm Ungjilli”.

“Ja, pra, çka mund t’i zgjojë ndërgjegjet tona pakëz të anestetizuara nga ‘pandemitë’ e shumta, si lufta, uria, që trokitën edhe në portat tona, por që nuk na shqetësuan aq sa duhej, sepse nuk na kishin hyrë ende brenda në shtëpi. Duhet të jemi të bashkuar, për t’u bërë ballë pandemive, që pushtojnë botën: asaj të virusit, por edhe të urisë, të luftërave, të përbuzjes së jetës, të indiferencës”.

Papa në audienca të përgjithshme “ta shërojmë botën”

Lutja dhe emergjenca shëndetësore rikthehen edhe në katekizmat e audiencave të përgjithshme, gjatë gjithë vitit 2020: në të parën Papa i kushton një cikël të tërë, që nis më 6 maj  e rinis më 7 tetor. Me temën “Ta shërojmë botën”, Papa reflekton duke nisur nga muaji gusht, e duke vënë theksin posaçërisht mbi rëndësinë e vaksinimit universal. Një cikël i tretë katekizmi, nga janari - në prill, i kushtohet Lumnive. Deri tek ajo e 30 dhjetorit,  do të bëhen 46 gjithsejt, audiencat e përgjithshme të këtij viti e 58, kremtimet e Engjëllit të Tënzot dhe të Mbretëreshës Qiellore, gjatë të cilave Papa bëri një mori thirrjesh për paqen. Në homelinë e Natës së Pashkëve, kremtuar në Shën Pjetër, pati thënë: “T’i  bëjmë të heshtin britmat e vdekjes, mjaft më me luftra! Të ndalohen prodhimi dhe tregtia e armëve, sepse kemi nevojë për bukë e jo për pushkë”. Papa Bergoglio deshi ta kujtojë edhe një herë këtë temë, në qendër të vëmendjes së papnisë së Tij, pas dy lutjeve mariane. Në përfundim të Rruzares së majit, iu drejtua Zojës me fjalët: “Nxiti drejtuesit e Kombeve të punojnë me urti, zell, bujari, duke i ndihmuar njerëzit, të cilëve u mungon gjithçka e nevojshme për jetën, duke programuar rrugëzgjidhje shoqërore dhe ekonomike me largpamje e frymë solidariteti. O e Shenjtnueshmja Virgjër Mari, preki ndërgjegjet që shumat e mëdha, të cilat përdoren për të shtuar e për të përsosur armatimet, të përdoren për studime, që parandalojnë katastrofat e së ardhmes”.

Nga 9 marsi deri më 18 maj, me që në Itali kishat nuk mund të kremtonin në praninë e popullit, Papa autorizoi transmetimin e drejtpërdrejtë  audio-video të Meshës, kryesuar prej Tij çdo mëngjes, në orën 07.00, në Shtëpinë e Shën Martës: kremtimi i fundmë i drejtpërdrejtë u mbajt në Bazilikën e Vatikanit mëngjesin e 18 majit, ditë kur përkujtohej njëqind vjetori i ditëlindjes së Gjon Palit II.

Enciklika tretë e Françeskut “Fratelli tutti”

2020-ta është edhe viti i Enciklikës së tretë të Papës Françesku: më 4 tetor u publikua “Fratelli tutti”, enciklikë në të cilën Papa flet për vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore, si udhë kryesore për të ndërtuar një botë më të mirë. Pak më përpara, më 12 shkurt, botohet Nxitja apostolike “Querida Amazonia”, fryt i Sinodit të posaçëm për Rajonin panamazonik, mbajtur në tetor 2019. Në tekst ndjehet fort urimi i Papës për një Kishë  me fytyrë amazonike dhe skicohen udhët e reja të ungjillëzimit e të kujdesit për ambientin. Pesëvjetori i Enciklikës së dytë të Papës Françesku “Laudato si’”, u kremtua më 18 qershor, me dokumentin “Udhës, për kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët”, hartuar  nga Tryeza ndërdikasteriale e Selisë së Shenjtë mbi ekologjinë integrale, me synim që çdo i krishterë të krijojë lidhje të shëndetshme me gjithësinë”. Më 24 maj, pastaj, shpallet një vit i posaçëm, “Viti i Laudato si’”, ndërsa më 12 dhjetor Papa u dërgon një mesazh pjesëmarrësve në “High Level Virtual Climate Ambition Summit”, videokonferenca e OKB-së mbi klimën, për të ripohuar angazhimin e Vatikanit lidhur me reduktimin në zero të gazeve përgjegjëse për efektin serë, para vitit 2050.

Papa shpall Vitin e Shën Jozefit

Ndërmjet Letrave apostolike të 2020-ës, spikat “Patris corde”, botuar më 8 dhjetor, 150 vjet pas shpalljes së Shën Jozefit Pajtor i Kishës Katolike nga ana e të Lumit Piu IX. Me këtë rast Papa shpall edhe Vitin e Shën Jozefit, që do të përfundojë më 8 dhjetor 2021. Viti 2020, që po bën hapat e fundit, do të shoqërohej edhe nga disa kremtime të tjera, kryesuar nga Papa: më 26 janar, në Bazilikën e Vatikanit kremtohej Mesha për të Dielën e parë të Fjalës së Zotit, themeluar nga Papa më 2019. Mbrëmjen e 10 prillit, Sheshi i Shën Pjetrit kthehej në skenë të Udhës së Kryqit, shkruar nga të burgosurit në burgun “Due Palazzi” të Padovës. Në përfundim të ritit, Papa nuk mbajti asnjë fjalim, por heshtja e tij në lutje, foli më fuqimisht se çdo fjalë. E njëjta heshtje, përplot me fe, e shoqëroi, muaj më pas, në Sheshin e Spanjës, në Romë: ishtë agimi i 8 dhjetorit, Solemniteti i Zojës së Papërlyer, kur Papa u lut në heshtje të thellë, tek këmbët e shtatores së Virgjërës.

Më 12 prill, Pashkët e Ngjalljes. Bazilika, bosh. Pa besimtarë. Papa kryesoi Meshën në praninë e pak personave; shqiptoi edhe Urbi et Orbi, para Elterit të Dëshmisë. Këtë ditë doli në pah drama e Cabo Delgados së Mozambikut. Ndërmjet thirrjeve të ndryshme të Françekut për paqen në mesazhin drejtuar Romës e Botës, ishte edhe ajo për provincën lindore të vendit afrikan, prej tre vjetësh, skenë e një konflikti të dhunshëm. U duk sikur në atë ças Papa po e vendoste Cabo Delgadon në hartën e botës. Në Bazilikën e Vatikanit, më 22 nëntor, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, Papa përshëndeti panamezët e portugezët, përfaqësuar nga dy delegacione, të cilat do të bënin gjestin domethënës të kalimit  të Kryqit e të Ikonës së Marisë Salus Populi Romani, simbole të Ditës Botërore të Rinisë. Kalim i rëndësishëm i shtegtimit - kujtoi Françesku - që do të na prijë në Lisbonë më 2023. E më pas njoftoi edhe se kremtimin dioqezan vendosi ta transferojë duke nisur prej vitit të ardhshëm, nga e Diela e Larit, në të Dielën e Krishtit Mbret.

 Reformat drejt fundit me një sërë dokumentesh

Lidhur me reformat, në vitin që po shkon drejt fundit, Papa nënshkroi një sërë dokumentesh: në mars miratoi ligjin e ri, nr. CCCLI (351 me numrat arabë), me të cilin vendoset një sistem i ri gjyqësor në Shtetin e Vatikanit, duke zëvendësuar kështu, atë të vitit 1987, përcaktuar nga shën Gjon Pali II. Masa ishte e domosdoshme, edhe për shkak të ndryshimeve të shumta dhe të rëndësishme gjatë dy dekadave të fundit në legjislacionin e Shtetit të Vatikanit, veçanërisht në çështjet ekonomiko-financiare dhe kriminale, si pasojë e nënshkrimit të shumë konventave ndërkombëtare.  

Më 1 qershor  ishte radha e “kodit për kontratat dhe tenderat”, fryt i punës katërvjeçare të enteve të ndryshme të Selisë Apostolike, që do të shërbejë si pikë e vetme referimi për të gjitha realitetet vatikanase. Është fjala për një tekst, me titull “Normat mbi transparencën, kontrollin dhe konkurrencën e kontratave publike të Selisë së Shenjtë dhe të Qytetit të Vatikanit”, që përbëhet nga 86 nene, të cilëve u shtohen 12 të tjerë, për mbrojtjen juridike, në raste procesesh gjyqësore. Ky legjislacion i hollësishëm, i cili u publikua përmes një Motu proprio të Papës Françesku, ka parasysh Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, nënshkruar në Merida dhe zëvendëson rregulloret e mëparshme në fuqi në APSA (Administrimi i Trashëgimisë së Selisë Apostolike) e në Guvernatorat, duke u shtrirë edhe në të gjitha entet e Selisë së Shenjtë, që deri tani, nuk kishin ligje të veta për kontratat dhe tenderat.

Dokumenti u ndoq nga Statuti i Autoritetit të Informimit Financiar, që tani e tutje do të quhet Autoriteti i Drejtimit dhe Informimit Financiar (ASIF) e nga nënshkrimi, më 22 tetor, në Pekin, i Marrëveshjes së Përkohshme për emërimin e ipeshkvijve, me urimin që të kontribuojë pozitivisht në jetën e Kishës në Kinë, për të mirën e kinezëve e të paqes në botë. Kjo Marrëveshje, fryt i një afrimi gradual e reciprok, nënshkruar pas bisedimesh të gjata e të peshuara mirë, parashikon vlerësime periodike për zbatimin e saj. Ka të bëjë me emërimin e ipeshkvijve, çështje me rëndësi të madhe për jetën e Kishës, dhe krijon kushtet për një bashkëpunim më të madh në nivelin dypalësh. Gjithnjë në nëntor, me 10 të muajit, botohet Raporti mbi njohjen institucionale dhe procesin e vendimmarrjes së Selisë së Shenjtë lidhur me ish-kardinalin Theodore Edgar McCarrick, hartuar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, me mandat të Papës. Është fryt i impenjimit të Papës Françesku për të hetuar tërësisht çështjen McCarrick, fajtor për shpërdorim seksual të të miturve dhe të rriturve. Papa foli për këtë në audiencën e përgjithme  të 11 nëntorit: “Dje u botua Raporti mbi rastin e dhimbshëm McCarrick. Uroj  që lutja jonë për të gjitha viktimat e dhunës në botë, të na inkurajojë të jemi mjete të paqes dhe të pajtimit. Përsëris afërsinë time për viktimat e çdo abuzimi si dhe impenjimin e Kishës për ta shkulur nga rrënjët këtë të keqe”.

Koncistori VII i Papnisë së Françeskut

Nga fundi i vitit 2020 Papa ndryshoi përbërjen e Kolegjit Kardinalor. Më 28 nëntor, në Koncistorin VII të Papnisë së Tij, krijoi 13 kardinaj të rinj, duke i thirrur nga të katër skajet e botës: vende si Brunei e Rwanda “hyjnë për herë të parë në “gjeografinë e Kolegjit Kardinalor”

Mesazhi drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

2020-ta, veç të tjerash ishte për Papën edhe vit pa shtegtime ndërkombëtare. Lëvizi vetëm në Itali. Më 23 shkurt shkoi në Bari me rastin e Takimit të reflektimit e të përshpirtërisë “Mesdheu kufi i paqes”. “Ta ngremë zërin - u bëri thirrje ipeshkvijve të Mesdheut - për t’u kërkuar qeverive mbrojtjen e pakicave dhe të lirisë fetare. Persekutimi, viktima të së cilës janë sidomos - por jo vetëm - bashkësitë e krishtera, është plagë, që na e lëndon thellë zemrën e nuk mund të na lerë indiferentë”.  Pas Barit, Asizi, ku Papa, më 3 tetor, bëri një vizitë private e, mbi varrin  Varfanjakut, nënshkroi enciklikën “Fratelli tutti”, që do të publikohej një ditë më pas. Në këto 12 muaj Ati i Shenjtë regjistroi edhe një mori mesazhesh, ndërmjet të cilave, ai i 25 shtatorit e i 10 dhjetorit. I pari, drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku kërkon të marrë fund  gara e armatimit, të mbrohen të drejtat e emigrantëve e të rimendohen sistemet ekonomike-finaciare. Dënon ashpër edhe abortin. Videomesazhi i dytë u drejtohet pjesëmarrësve të takimit organizuar on line nga Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kushtuar krizës në Siri e Irak.

Viti 2021 fillon me shtegtimin e Papës në Irak

E pikërisht me Irakun do të fillojë edhe viti 2021 i Papës: më 7 dhjetor u dha njoftimi për shtegtimin e Françeskut në trojet irakiane nga 5 deri më 8 mars. Vizitë që Françesku e dëshiron prej kohe, që nga qershori 2019. Një sinjal në këtë drejtim ishte ai i 25 janarit 2020, kur Papa priti, në Vatikan, Barham Salihun, President i Republikës së Irakut. Do të jetë një urë, e cila do të lidhë vitin që po shkon, me atë që po vjen - besojmë - i ngarkuar me shpresa!

29 dhjetor 2020, 11:44