Kërko

Dita e të shuemve: ndjesa e plotë, përqafimi i Zotit

Ndjesa e plotë për besimtarët e vdekur, këtë vit, mund të kërkohet gjatë gjithë nëntorit, në ndryshim mga vitet e tjera, gjatë të cilave periudha e caktuar nga Kisha ishte nga 2 deri më 8 të muajit kushtuar të shuemve. Ndjesa e plotë zhduk pasojat, që lë mëkati, edhe pasi është falur.

R.SH. - Vatikan

Ndjesa e plotë është shenjë konkrete e përqafimit të Zotit për njeriun. Për këtë arsye, me një dekret të Pendestarisë Apostolike, kërkimi i kësaj ndjese për besimtarët e vdekur, është shtrirë gjatë gjithë muajit të nëntorit. Zakonisht, ajo mund të kërkohet nga 2 deri më 8 nëntor, por për shkak të pandemisë, Vatikani vendosi ta zgjerojë periudhën, për të mos krijuar grumbullime njerëzish. Vërtet, siç shpjegohet edhe në dekret, kjo ndjesë jepet me disa kushte, të cilat, gjithnjë për shkak të koronavirusit, kanë ndryshuar disi, si për shembull: “vizita në varreza dhe lutja për të vdekurit, edhe thjesht mendërisht”, pra, pa shkuar fizikisht ndër varre.

Ndjesa e 2 nëntorit mund të kërkohet çdo ditë

Risi edhe për ditën e sotme. “Ndjesa e plotë e 2 nëntorit – shkruhet në dekret – u jepet atyre, që shkojnë në një kishë, ose në një orator e thonë ‘Atynën’ e ‘Besojmën’ e mund të kërkohet jo vetëm të dielën e mëparshme, ose të dielën e mëpasme a në solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, por edhe në një ditë tjetër të muajit nëntor, që besimtarët mund ta zgjedhin sipas dëshirës”. Në këtë mënyrë, do të jetë e mundur edhe për të sëmurët, ose për njerëzit në karantinë, të kërkojnë ndjesën e plotë për të afërmit e tyre të vdekur, pasi mjafton të shkohet me mend në kishë a në varrezë.

Ndjesa e plotë i ka rrënjët në historinë e Izraelit

 Por, pse e kërkojmë ndjesën e plotë? Siç shpjegon Kisha, është fjala për zhdukjen e pasojave, që lë mëkati, edhe pasi është falur. Historia e saj i ka rrënjët në Izraelin biblik. Të shtatën ditë, thotë Bibla, Zoti pushoi, duke përuruar kështu një ditë në shenjën e pushimit, të përqafimit, të pajtimit. Izraeli e ktheu në thesar këtë trashëgimi historike e shpirtërore, duke caktuar një vit kushtuar faljes, me vëmendje të veçantë ndaj të varfërve e të braktisurve. Kisha e vazhdoi këtë udhë mëshire, edhe përmes ndjesës së plotë.

Shlyhet dënimi para Zotit

Mëkati na bën me faj para Zotit, pasi nuk ka të bëjë vetëm me ne, ndikon negativisht në gjithë Krijimin e Hyjit. Përmes rrëfimit, Kisha na e fal mëkatin e përmes ndjesës së plotë, shlyen edhe gjurmët e tij dhe dënimin, që duhet të vuajmë në botën e përtejme. Pikërisht kjo shlyerje mund të kërkohet këtë vit, gjatë gjithë muajit nëntor, për gjithë të vdekurit.

02 nëntor 2020, 11:01