Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kard. Parolin takon privatisht Kryeministrin Hoti
R.SH. - Vatikan
Sekretari i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin priti sot në një takim privat në Vatikan Kryeministrin e Kosovës, zotin Avdullah Hoti. Gjatë bisedimeve të përzemërta u fol për situatën aktuale në vend, për krizën shkaktuar nga pandemia Covid-19, për aspiratat e vendit drejt familjes evropiane, dialogun e stabilitetin në rajon.
Më pas u fol për rolin e komuniteteve fetare në vend dhe kontributin e Kishës katolike në veçanti, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shtetit e Kishës dhe ndërmjet të gjitha Bashkësive fetare në vend, për të mirën e përbashkët.
Kardinali Parolin tha se Selia Shenjtë përcjell nga afër e me vëmendje zhvillimet në vend, vlerëson kultivimin e vlerave që afrojnë, bashkojnë e çojnë përpara bashkëjetesën ndërmjet entiteteve të ndryshme të vendit. Nga ana tij kryeministri i Kosovës Hoti kujtoi arritjet e sfidat që ka shoqëria e vendit, me vokacion evropian.