Kërko

Kardinali Parolin duke folur në simpoziumin Never Again Kardinali Parolin duke folur në simpoziumin Never Again 

Parolin: i nevojshëm dialogu ndërfetar kundër antisemitizmit

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin e mbylli një simpozium virtual organizuar dje pranë Ambasadës së SHBA-ve pranë Selisë së Shenjtë, duke analizuar antisemitizmin në rritje, si dhe rrugën që duhet ndjekur për ta çrrënjosur.

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin mbylli simpoziumin online “Never Again: përballë rritjes globale të antisemitizmit”, organizuar nga Ambasadorja e SHBA-ve pranë Selisë së Shenjtë, Callista L. Gingrich, zhvilluar dje pasdite. Në fjalën e tij Kardinali Parolin solli kontributet e Papës Françesku, duke cituar edhe një letër - zbuluar kohët e fundit - shkruar në vitin 1916 nga Sekretari i asokohshëm i Shtetit, kardinali Gasparri.

Françesku, aleat i rëndësishëm

Duke hapur takimin, ambasadorja Gingrich kujtoi sulmin kundër hebrenjve më 2018-tën, në Pistburg, atë të kohëve të fundit në Jerzey City si dhe sulmet e tjera në New York. “Çdo shoqëri e lirë - theksoi - interesohet t’i japë fund kësaj prirjeje. Përndryshe vihet në lojë vetë demokracia”. Si foli për masat e marra nga admnistrata Trump për përballimin e fenomenit, ambasadorja amerikane e quajti Papën Françesku “Aletat i rëndësishëm në luftën  kundër antisemitizmit dhe mohimit të olokaustit”.

Gjatë diskutimeve të shumta, u theksua roli pozitiv i Kishës katolike  në luftën kundër antisemitizmit e në përpjekjen për të edukuar respektin ndaj vlerave hebraike. U kujtua edhe se Gjon Pali II ishte Papa i parë, që vizitoi Auschwitz-in si dhe një signagogë, duke i hapur, kështu, rrugën  Kishës për t’i përqafuar vëllezërit e motrat e fesë hebraike.

Nga breznia në brezni

Në fjalën e tij, Kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, pas vërejtjeve përfundimtare të simpoziumit, i bëri jehonë fjalëve të Papës Françesku, duke kujtuar se çdo formë e antisemitizmit “është refuzim i origjinës sonë të krishterë” e, prej këndej, kontradiktë. “Fratelli tutti” – theksoi - ofron një reflektim me vlerë mbi shtrembërimet e “koncepteve themelore” si demokracia, liria, indiferenca, humbja e kuptimit të historisë  dhe racizmi, që pasqyrohen edhe tek antisemitizmi.

Një dokument me vlerë, kundër paragjykimeve për shkaqe fetare

Kardinali kujtoi, pastaj, një dokument të zbuluar kohët e fundit, shkruar nga parardhësi i tij, Sekretari i Shtetit, kardinali Gasparri. Ishte përgjigje  e një Letre të Komitetit hebraik amerikan, që kërkonte përgjigje për dhunën kundër hebrenjve gjatë Luftës I Botërore. Duke u përgjigjur në emër të Papës Benedikti XV, kardinali Gasparri shkruante se të drejtat natyrore të njeriut “duhen mbrojtur e duhen respektuar edhe për bijtë e Izraelit, ashtu si për të gjithë njerëzit, sepse nuk do të përkonin me drejtësinë e me vetë fenë, nëse do të shmangeshin për shkak të ndryshimeve fetare”. Parolin e vlerësoi lart këtë dokument, që kërkonte drejtpërdrejt barazi për hebrenjtë duke iu kundërvënë haptazi paragjykimeve për shkaqe fetare.

Kujtesa

Kujtoi – në përfundim - se për t’i zhdukur format e ndryshme të urrejtjes, është e nevojshme kujtesa, kyç për  të ardhmen e detyrë  për t’ua transmetuar breznive të reja. Kardinali Parolin e përfundoi fjalimin në një atmosferë besimi e shprese :

“Shpresoj se sa më shumë që të krishterët e hebrenjtë ta thellojnë vëllazërimin, miqësinë shoqërore e dialogun, aq më pak do të jetë i mundshëm antisemitizmi, sepse ‘Mashtrimin e kanë në zemër ata, që kurdisin të keqen, por ata që këshillojnë paqen, janë gjithnjë plot me gëzim’” (Fjalët e Urta 12,20).

Shalom!

20 nëntor 2020, 11:27