Kërko

Shatrivani i Sirenës Shatrivani i Sirenës 

Muzetë e Vatikanit mbyllen për publikun deri më 3 dhjetor

Mbyllen Muzetë e Vatikanit! Vendimi u mor në përkim me masat e autoriteteve italiane për t’i bërë ballë situatës shëndetësore, krijuar nga Covid-19. Hyri në fuqi dje, 5 nëntor

R. SH. - Vatikan

Muzetë e Vatikanit, Muzeu i Vilave Papnore dhe Zyra e Gërmimeve Arkeologjike u mbyllën për publikun që dje e do të vijojnë të jenë të mbyllura deri më më 3 dhjetorin e ardhshëm. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Kompleksi i jashtëzakonshëm muzeal i Vatikanit u rihap për publikun qershorin e kaluar, pas gati tre muajsh mbylljeje për shkak të pandemisë. Po sëmundja u rikthye e me të, edhe masat për rimbyllje.

Rihapje plot risi

Rihapja u shoqërua me një sërë risish. Ndërmjet tyre, kujtojmë restaurimin  e Sallonit të Kostandinit, një nga katër sallat e Stancave të Raffaello-s. E - sidomos - u shoqërua me një  frymë të re bashkëpunimi. Kohët e fundit, në Cortile della Pigna, zemra e Muzeve të Papës, u restaurua Pigna prej bronzi, monument publik  i Romës perandorake, realizuar rreth shekullit  I pas Krishtit, ruajtur deri në vitet 1600 në Portikun e Bazilikës kostantiniane të Shën Pjetrit. Pas më se dhjetë muaj punimesh, u pastrua dhe u  mbrojt nga  agjentët atmosferikë, ashtu si edhe kapiteli romak, që i shërben si bazë. Restaurimi, i nisur aty nga fundi i 2019-tës, u ngadalësua  nga lockdown, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Muzetë e Vatikanit, peshtaf artesh

Muzetë e Vatikanit janë peshtaf artesh, që lidhin traditën me modernen. Aty ruhen koleksione të jashtëzakonshme, si ato egjiptiane, etruske, greke e romake, kristiane e epigrafike. Aty mund të soditësh kryeveprat e pikturës të shekujve të ndryshëm, e thesaret e njerëzimit, si Stancat e Raffaello-s dhe Kapela Sikstine, me afresket e Michelangelo-s. Muzetë, themeluar nga Papa Juli II në shekullin XVI, u pasuruan edhe me arte dekorative, koleksionet etnologjike, historike dhe veprat e artit modern bashkëkohor. Aty mund të sodistësh majat më të larta të mendimit e të artit njerëzor, krijuar në të gjitha epokat, nga lashtësia, në kohët tona.

E kësaj bote arti e historie i shtohen edhe Vilat Papnore të Castel Gandolfos, me kopshtet e tyre mahnitëse - edhe ato të mbyllura - në pritje që pandemisë t’i harrohet emri e të hapen përsëri portat, që të çojnë në takimin me bukurinë e krijuar nga mendja njerëzore në shekuj! Në ngadhënjimin e bukurisë mbi fantazmën e vdekjes, që endet sot kërcënueshëm nëpër udhët e botës!

06 nëntor 2020, 11:02