Kërko

Imzot Janusz S. Urbańczyk, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE, në Vjenë Imzot Janusz S. Urbańczyk, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE, në Vjenë

Konferenca Mesdhetare e OSBE-së. Urbanczyk: të përfshihen të gjithë në shoqëri e të mbrohet jeta

Fjalimi i imzot Janusz Urbanczyk, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE, në Vjenë, në Konferencën Mesdhetare 2020 të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë

R.SH. - Vatikan

Imzot Janusz Urbanczyk, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE-në e Vjenës, foli në Konferencën Mesdhetare 2020 të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, me temë “Promovimi i sigurisë në rajonin mesdhetar të OSBE-së, përmes zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes ekonomike”. Së pari, në konferencën, që u mbajt krejtësisht në internet, për shkak të pandemisë, prelati nënvizoi se “çështjet e sigurisë duhen trajtuar gjithnjë në nivel global”, duke i lidhur me “çështje të tjera, si siguria energjitike, ndryshimi i klimës, migrimi dhe kriza aktuale ekonomike e financiare, e përkeqësuar nga pandemia e Covid-19”.

Forma të reja varfërie

“Shpesh - shpjegoi ai - niveli ekonomik i një vendi është faktori i vetëm, që konsiderohet zhvillim”, por “zhvillimi, për të cilin po flasim, nuk mund të kufizohet vetëm në atë ekonomik”. Në të vërtetë, ai “duhet të favorizojë zhvillimin e çdo njeriu dhe të njeriut në tërësi”. Nuk mund ta ndajmë ekonominë nga realiteti njerëzor, ose zhvillimin e veçantë nga qytetërimi në të cilin ndodh. Në dritën e këtyre reflektimeve, imzot Urbanczyk foli për format e reja të varfërisë, krijuar nga pandemia Covid-19, “të cilat jo vetëm i përkeqësuan varfëritë ekzistuese, por shtuan edhe të tjera”. Nënvizoi kufizimet e sistemit shëndetësor, mungesën e informacionit të saktë dhe të arsimit, vuajtjet e shkaktuara nga izolimi shoqëror, dhunën në rritje dhe problematikat e reja.

Të mbrohen gratë

 Gjithashtu, vuri në dukje se janë gratë, që preken më shumë nga pasojat e pandemisë, duke kujtuar rolin vendimtar të tyre në ekonomi e në shoqëri. Ato mbajnë ngarkesën më të rëndë të punës, ndërmjet punës në internet, asistencës për fëmijët e të moshuarit, punëve të shtëpisë, mungesës së papaguar në punë, kur u duhet të rrinë në shtëpi me fëmijët e, edhe humbjes së vetë punës. Qeveritë kanë përgjegjësi për mbrojtjen e dinjitetit të tyre dhe duhet t’u sigurojnë pagë të përshtatshme e mbrojtje shoqërore, në një kohë, që ka nxjerrë në pah pabarazi të mëdha.

Përfshirja e të gjithëve në shoqëri dhe mbrojtja e shenjtërisë së jetës janë dy parimet themelore, mbi të cilat duhet të mbështeten politikat qeveritare, sipas imzot Janusz Urbanczyk. Vetëm kështu, mund të ndihmohen më nevojtarët në këtë emergjencë shëndetësore, duke shfrytëzuar mundësitë, që ofron pandemia, për të kërkuar zgjidhje të reja për të mirën e përbashkët dhe zhvillimin e gjithanshëm njerëzor të të gjithëve.

04 nëntor 2020, 13:42