Kërko

Vatican News

Dita e Peshkimit, Turkson: koronavirusi i ka shtuar problemet, është koha për veprim

Thirrje e fuqishme e prefektit të Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, në mesazhin për Ditën Botërore të Peshkimit, që kremtohet më 21 nëntor, për më shumë solidaritet dhe për ligje, të cilat përmirësojnë kushtet e jetesës dhe të punës së peshkatarëve e të familjeve të tyre. “Koha e fjalëve ka marrë fund. Është çasti për të vepruar!”, nënvizon kardinali Turkson, që përmend fjalët e thëna nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 21 shtator 2014

R.SH. - Vatikan

Kremtohet sot Dita Botërore e Peshkimit, që kujtohet çdo vit për të nënvizuar rëndësinë e këtij sektori, i cili punëson rreth 59,5 milion njerëz. Gjysma e punonjësve janë gra, pavarësisht se kjo mund të duket e çuditshme, pasi puna nuk është e lehtë. Azia ka numrin më të madh të punëtorëve të peshkimit, që përbëjnë 85% të forcës botërore të punës; ka edhe 3,1 milion anije, që përfaqësojnë 68% të flotës botërore të peshkimit.

Kushtet e peshkatarëve dhe Covid-19

         Kremtimi i këtij viti bie në një periudhë tejet të veçantë, për shkak të pasojave të pandemisë, që kanë ndikuar negativisht edhe mbi peshkimin. Në një mesazh të Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, vihet në dukje se distanicimi fizik, mbyllja e tregjeve të peshkut, zvogëlimi i klientelës së hoteleve dhe të restoranteve, ka shkaktuar probleme të mëdha në shitjen e peshkut të freskët e të prodhimeve dytësore të peshkimit. Covid-19 e ka keqësuar gjendjen, e cila, edhe më parë, paraqiste probleme kronike të lidhura  me peshkimin intensiv dhe me atë të paligjshëm, denoncon Dikasteri. Peshkatarët janë ndodhur para mbylljes së porteve, që nuk u kanë dhënë mundësi anijeve të ndërrojnë ekuipazhet, të cilat vuajnë edhe nga mungesa e mjeteve për mbrojtjen individuale kundër koronavirusit. Për pasojë, shumë nga peshkatarët janë infektuar, disa prej tyre kanë humbur edhe jetën, në pamundësi për asistencë mjekësore të menjëhershme. Shpesh, shkruhet në mesazh, të vdekurit janë hedhur në det, pa mundur të lajmërohet as familja. Shumica e peshkatarëve të botës, vëren Dikasteri vatikanas, për arsye të ndryshme, nuk përfshihen në “mbrojtjen shoqërore” bazë, dhënë nga qeveria, prandaj, për të mbijetuar duhet t’u drejtohen organizatave bamirëse dhe asistenciale.  E sektori i peshkimit vuan edhe nga fenomeni i punës së detyruar e nga trafiku i njerëzve. Edhe ky aspekt është keqësuar nga pandemia, pasi peshkatarët që kanë humbur punën, kthehen nëpër fshatrat e tyre, duke rënë pre e agjencive të punësimit, të cilat i detyrojnë të punojnë gati në kushte skllavërie, për të shlyer borxhet.

Zëri i Kishës

         Në mesazhin e nënshkruar nga prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Turkson, bëhet thirrje për solidaritet ndaj peshkatarëve dhe kërkohet mbrojtja e të drejtave të tyre themelore. “Koha e fjalëve ka marrë fund. Është çasti për të vepruar!”, nënvizon kardinali Turkson, që përmend fjalët e thëna nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 21 shtator 2014: “Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij, lulëzon edhe krijimtaria e sipërmarrja dhe njeriu mund t’i shtrijë iniciativat e tij të shumta në favor të së mirës së përbashkët”.

         Së fundi, kardinali Turkson bën thirrje të zgjidhet çështja e 18 peshkatarëve me kombësi të ndryshme, nisur nga Sicilia e Italisë e mbajtur në arrest në Libi që nga 2 shtatori, pa mundësi për të komunikuar me familjet.

20 nëntor 2020, 12:03