Kërko

Vatican News
Kardinali Tagle Kardinali Tagle 

Kardinali Tagle i fton të gjithë besimtarët ta lexojnë enciklikën e re të Papës “Fratelli tutti”.

Duke folur gjatë një videokonference të Caritas Internationalis, kardinali Tagle, kryetar i Konfederatës, i nxit të gjithë besimtarët ta lexojnë enciklikën e re të Papës Françesku, që të mësojnë, kështu, për të dashur konkretisht, universalisht e pa paragjykime.

R. SH. - Vatikan

Caritas Internationalis organizoi një webinar (videokonferencë) mbi temën “Fratelli tutti”, duke u thelluar në vlerat që ka për punën e organizmit. Synimi i konferencës ishte që të krishterët të thellohen në studimin e enciklikës, për ta bërë, kështu, realitet konkret në jetën e përditshme të bashkësive të mbarë botës.

Të lexohet e të meditohet Fratelli tutti

Kardinali Luis Tagle, kryetar i Caritas Internationalis, i inkurajoi të gjithë  ta lexojnë me fund Enciklikën sepse, shpjegoi, “Në të Papa Françesku realizon, me disa nga idetë e tij të mëparshme, një sintezë të re, ‘si përgjigje që i jepet kushteve aktuale të një bote të mbyllur’”. Dhe e bën këtë - nënvizoi kardinali Tagle - “duke  e shuar gjithnjë etjen në gurrat e traditës biblike dhe në mësimet morale e shoqërore të Kishës”. Tagle, më pas, vijoi reflektimin mbi “shenjat tejet të trishtuara të mungesës së dashurisë”, sëmundje nga e cila vuan bota jonë. Një mori shenjash, që tregojnë qartë se bota vijon të mbyllet më shumë në vetvete e të varfërit, të vuajnë  gjithnjë më shumë. Janë ata, që harrohen të parët. Ata, që shikohen shtrembër. Ata, që flaken. Ata, që trajtohen si hedhurina. Një botë e tillë e mbyllur në vetvete, duhet të na shqetësojë të gjithëve, sepse  ndikon tejet negativisht mbi njeriun, mbi ardhmërinë, mbi krijimin.

Dashuria universale

Kardinali Tagle thekson dy aspekte kryesore të Enciklikës. I pari - kujton - është ai i dashurisë universale e, në vijim, shpjegon se në Fratelli tutti   Papa argumenton se dashuria e krishterë është dashuri universale, sepse “kështu do Zoti. Zoti i do të gjithë!”. E kështu do edhe Krishti: “Ai i deshi të gjithë, sidomos ata, që shoqëria i shikonte shtrembër, si njerëz  të padëshirueshëm, të shtypur, të flakur në skajet e skutat e saj,  gjë që pastaj përsëritet në të gjitha epokat”. Edhe në tonën. Na e tregon shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë, nga e cila mund ta kuptojmë plotësisht ç’do të thotë dashuri universale.

Kultura e takimit

Pika e dytë, që nënvizohet, lidhet me kulturën e takimit. “Dashuria universale - vijon kardinali - rrezikohet të thjeshtohet në një parullë, ndërsa mund të bëhet realitet vetëm nëse realizohet përmes takimit konkret”. Kardinali Tagle kujtoi edhe fjalët, që Papa i përsërit shpesh: “Kush angazhohet në dialog, duhet ta njohë mirë identitetin e vet, për të mos e mohuar”. Po kështu, çdo komb ka të drejtë të ketë sistemin e tij politik, por politika kombëtare duhet të çojë në bamirësinë politike ndërkombëtare. Kardinali shpreson se “përmes kulturës së takimit, mund të gjindet një mënyrë më e mirë për të bërë politikën e për t’u marrë me ekonominë, një mënyrë më e mirë për krijimin e miqësisë në fushën kulturore e në zgjidhjen e konflikteve”. E gjithë kjo të çon tek e mira e përbashkët: do të jetë e mira e përbashkët që, në fund të fundit, do të shkojë në dobi të së mirës individuale.   

Së fundi, kardinali Tagle kujtoi edhe mësimet që mund të marrë Caritasi nga “Fratelli tutti”, ndërmjet të cilëve, bashkimi me Atin e Shenjtë, që të bëhemi të vetëdijshëm përballë sinjaleve të mbylljes së zemrave, të duarve, të mendjeve, të territoreve e të kulturës. Këto shenja janë shumë të ndjeshme - përfundoi. - Prandaj “Fratelli tutti” na kërkon “t’i hapim sytë e të jemi kërkues e të ndjeshëm përballë sjelljeve, që flasin për hapjen universale”.

13 nëntor 2020, 12:02