Kërko

Imzot Marcos Pavan, drejtori i ri i korit të Kapelës Sikstine Imzot Marcos Pavan, drejtori i ri i korit të Kapelës Sikstine

Imzot Marcos Pavan është drejtori i ri i korit të Sikstinës

Në ditën kur Kisha kremton shën Çeçilien, Papa emëroi meshtarin brazilian, imzot Marcos Pavan, drejtor të Kapelës Muzikore Papnore, të cilën e drejtonte “ad interim” që nga korriku 2019

R.SH. - Vatikan

Një figurë poliedrike, jo vetëm në fushën muzikore. Në kurrikulumin e drejtorit të ri të Kapelës Muzikore Papnore, 58-vjeçarit, imzot Marcos Pavan - i emëruar sot nga Papa Françesku, në përkim me festën liturgjike të shën Çeçilies –bën pjesë edhe një diplomë në drejtësi, marrë në Universitetin e Sao Paolo të Brazilit, në vitin1985. Maestro i ri figuron në Urdhrin e Avokatëve të vendit latinoamerikan, edhe pas transferimit në Romë për studimin e filozofisë në Qendrën e atëhershme për Studime të Larta të Legjionarëve të Krishtit, si edhe për studimin e teologjisë në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit.

Imzot Pavan: pianist, studiues i këngëve gregoriane, koncertist

 Por është sigurisht formimi artistik dhe muzikor, që e solli meshtarin brazilian në korin e Kapelës Sistine, në vitin 1998, së pari si ndihmës i “Pueri Cantores” dhe, më pas, duke filluar nga 10 korriku 2019, si drejtor i përkohshëm i Kapelës Muzikore Papnore. Imzot Pavan ka studiuar teorinë e pianos dhe të muzikës në përgjithësi, teknikën vokale dhe këngët gregoriane, dirigjimin koral, si edhe ka bërë shumë koncerte, shoqëruar nga regjistrime në radio dhe televizion.

Kapela Muzikore, pjesë e Zyrës për Kremtimet Liturgjike Papnore

Që nga 17 janari, pas Motu proprio-s së Papës, Kapela Muzikore është pjesë përbërëse e Zyrës për Kremtimet Liturgjike Papnore, kryesuar nga imzot Guido Marini. Vetë Ati i Shenjtë pati shpjeguar se ky vendim merrej për të ruajtur dhe promovuar “trashëgiminë prestigjioze artistiko-muzikore, prodhuar ndër shekuj nga Kapela”, që konsiderohet “shprehje artistike dhe liturgjike e nivelit të lartë, në shërbim të kremtimeve solemne të Papëve”.

23 nëntor 2020, 10:33