Kërko

2020.11.21 "Il cielo sulla terra. Amare e servire per trasformare il mondo", volume della Libreria Editrice Vaticana 2020.11.21 "Il cielo sulla terra. Amare e servire per trasformare il mondo", volume della Libreria Editrice Vaticana 

Papa Françesku: krishterimi e shndërron botën përmes Ungjillit

Një tekst i panjohur i Papës botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit. Titullohet “Qielli mbi tokë: duaj e shërbe, për ta shndërruar botën!”. Vëllimi doli në librari sot më 24 nëntor, me parathënie të Martin Junge, sekretar i përgjithshëm i Federatës Luterane.

R.SH. - Vatikan

A mund të besojmë akoma tek lindja e një bote të re, më të drejtë e më vëllazërore? Thua vërtet mund të shpresosh në shndërrimin e shoqërisë, në të cilën jetojmë? Në një shoqëri, në të cilën nuk sundon ligji i më të fortit e arroganca e parasë, por respekti për njeriun e logjika e shërbimit pa asnjë interes? E përfytyroj shprehjen e fytyrës së shumëkujt, kur i dëgjon këto fjalë, këto pyetje “foshnjarake”. Një spërdredhje e lehtë buzësh, një nënqeshje ngarkuar me skepticizëm, ose, në rastin më të mirë, një shikim plot mëshirë…

Athua duhet të besojmë se bota është e pandreqshme me padrejtësitë e saj, që bërtasin në kupë të qiellit, aq sa të dëgjohen deri te froni i Zotit, duke kërkuar shpagim? E se ne, njerëzve të Kishës s’na mbetet tjetër, veç detyrës që të predikojmë nënshtrimin pasiv ose të  rikujtojmë parime sa të vërteta, aq edhe abstrakte?

S’ka mendje të ndershme, që të mund ta mohojë forcën shndërruese të krishterimit në rrjedhë të historisë. Sa herë që jeta e krishterë është përhapur vërtetësisht e lirisht në shoqëri, ka lënë gjithnjë gjurmë të njerëzimit të ri në botë. Që nga shekujt e parë, e reja më e madhe në planin shoqëror, qe vlerësimi i çdo njeriu, edhe i njerëzve me kufizime, edhe i skllevërve, që arrinte deri atje, sa ta konsideronte skllavërinë krejtësisht të padurueshme e t’i dënonte lojërat e gladiatorëve dhe shfaqjet gjakatare, që jepnin para publikut.

E edhe vlerësimi i veprës së murgjërve benediktinë në kohën e barbarëve, përballë braktisjes së arave, humbjes së kujtesës të kulturës greko-latine, bukurisë së thjeshtë të kishave romanike,  “naltimit, si lutje drejt qiellit, të kumbonareve të katedraleve gotike”, pa harruar refuzimin e fajdesë e pagesën e drejtë të punëtorit, radhitur në katekizëm! Ishte një botë e re, që lindte e merrte formë, dalëngadalë, brenda botës së vjetër në shpërbërje…

Si ndodhte kjo? Cili ishte sekreti i këtij shndërrimi? E çfarë mësimi mund të nxjerrim sot, ne, të krishterët e shekullit XXI?

Një mendimtar francez i viteve ’30 kujtonte se ndikimi i rëndësishëm i krishterimit mbi qytetërimin evropian ishte më shumë efekt anësor i dëshmisë së të krishterëve të parë, sesa plan i paramenduar; më shumë pasojë e një feje të jetuar thjeshtësisht, sesa rezultat i një programi kulturor-politik të hartuar në tryezë. 

E kjo ndodh kur krishterimi rrënjoset në Ungjillin, që i jep qytetërimit çka më të mirë në vetvete… Ta lëmë mënjanë këtë, për të hyrë më në thellësi: si mund të zbresim në zemër të një burimi, për të zbuluar atë forcë misterioze që, në mënyrë të paparashikuar, i shtyn gufimet e ujit, duke modifikuar pejzazhin dhe territorin përreth? Origjinën dinamike, transformuese kristiane mund ta gjejmë duke pasur parsysh përvojën e Apostullit të Popujve, Palit nga Tarsi, të cilin Zoti e rrëzoi nga kali në udhën e Damaskut, me një shikim të pushtetshëm e të mëshirshëm.

Familjariteti me Jezusin, rrënja e ndryshmit

Shikim i ri, ky, që lind nga takimi personal me dashurinë e Zotit!  E ndryshme, edhe mënyra me të cilën i krishteri angazhohet përkrah të të fundëmve, që sot kanë fytyrën e të moshuarve të vetmuar, të punëtorëve të papunë, të refugjatëve, të njerëzve të gjymtë. Nuk është aktivizëm “entuziast”, i cili nuk  zgjat shumë në kohë.

Një greminë e thellë i ndan profesionistët e entuziazmit, nga angazhimi, i cili nis prej përvojës së dhuratës, që merret. Kur u afrohesh me sinqeritet njerëzve të ligshtë, me dëshirën për t’i ndihmuar, nis t’i kuptosh edhe ligështitë e vetvetes. I kemi të gjithë! E të gjithë kemi nevojë për kujdes, kemi nevojë për shpëtim!

Eshtë edhe një tipar tjetër, që e dallon veprimtarinë e të krishterit në ndihmë të të fundmëve. Gëzimi, që buron gjithnjë, edhe përballë përvojave më negative e më të dhimbshme. Është shoqëria e një Pranie, që nuk varet nga rrethanat e jashtme, por dhurohet: familjariteti me Jezusin. Kjo, rrënja e ndryshmit.

Është shpresa, shpresa miturake, të cilën Charles Peguy e shikon si virtyt, që ecën gati-gati duke u fshehur pas fustaneve të dy motrave më të mëdha (fesë e dashurisë së krishterë), vogëlushja, që i mban motrat për dore e i ndihmon!

Shpresa për ndryshime

“Që të mos e duash të afërmin,

vogëlushja ime,

duhet të mbyllësh sy e veshë,

për të mos i parë

e për të mos i dëgjuar

britmat e thekshme të pikëllimit […]

Është shpresa - më thotë Zoti,

shpresa të mrekullon!

E s’mund të mos mahnitesh

kur njerëzit e varfër shikojnë

sesi u thithet palca e eshtrave,

e prap shpresojnë se nesër

punët do të shkojnë më mbarë.

Është shpresa. 

Më e madhja mrekulli e hirit tonë,

që më lë pa mend.

E hiri im duhet të ketë

një forcë të pabesueshme.

e të gurrojë nga një burim

si lumë që gurron përherë

duke e stërpikur me raven e gazit

vetveten e të tjerët!

 

Përkthyer lirisht

24 nëntor 2020, 09:21