Kërko

Vatican News
Françesku e Bartolomeu në takimin botëror të lutjes pëfr paqen Françesku e Bartolomeu në takimin botëror të lutjes pëfr paqen  (Vatican Media)

Papa: dashuria e Shën Andreut, forcë për kohë të vështira.

Papa Françesku i shkruan Patrikut ortodoks ekumenik Bartolomeu I, në ditën e festës së Apostullit, pajtor i Patriarkanës. Kardinali Koch merr pjesë, me një delegacion vatikanas, në Liturgjinë hyjnore, kremtuar në Stamboll.

R. SH. - Vatikan

Mund të bisedohet për paqen, por kjo nuk do të mund t’i shmangë nga bota luftërat, derisa njerëzit ta kuptojnë se janë vëllezër e motra. Për Papën e “Fratelli tutti” kjo është krejt e qartë. E këtë e shpreh edhe në mesazhin drejtuar Patrikut Bartolomeu I, në ditën e festës së Shëna Ndreut Apostull, lexuar nga kardinali Kurt Koch në përfundim të Liturgjisë Hyjnore,  kremtuar në Kishën e Shën Gjergjit, në Stamboll, në të cilën mori pjesë edhe delegacioni i Vatikanit.

Luftëra e jetë të grabitura

Duke kujtuar takimin ekumenik të 20 tetorit të kaluar në Romë, në Sheshin e Kampidolios, me Bartolomeun I e liderë të tjerë fetarë, Françesku, në mesazh, rroku me shikimin e tij mbarë botën, duke vërejtur se përveç pandemisë, lufta vijon të shkretojë vise të tëra të botës e konflikte të reja të armatosura vijojnë të grabisin jetë. “Padyshim - shkruan Papa - të gjitha nismat e marra nga entet kombëtare e ndërkombëtare për promovimin e paqes janë të nevojshme e të dobishme, e megjithatë konfliktet e dhuna nuk do të pushojnë derisa njerëzit nuk do të fitojnë vetëdijen se kanë përgjegjësi reciproke si vëllezër e motra.

Kisha motra

Papa shprehu, në mesazhin e festës, edhe dëshirën  për afërsi gjithnjë më të madhe e mirëkuptim më të thellë ndërmjet gjithë të krishterëve,  gjë që Kostandinopoja e ka shprehur para se Kisha katolike e kishat e tjera të impenjoheshin për dialog. E kjo pasqyrohet në letrën enciklike të Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike dërguar Kishave të mbarë botës njëqind vjet më parë. “Kur Kishat e ndryshme frymëzohen nga dashuria, ato mund të realizojnë shumë gjëra të mira për lavdinë dhe përfitimin  si të vetvetes, ashtu edhe të gjithë korpit të krishterë” - shkruan Papa.

Një delegacion i Selisë së Shenjtë, në Fanar

Ndërkaq një delegacion zyrtar i Selisë së Shenjtë është i pranishëm sot në Patriarkanën Ekumenike, për të marrë pjesë në Festën e Shëna Ndreut Apostull, themelues i Kishës së Kostandinopojës. Selia e Shenjtë shkëmben, kështu, vizitën tradicionale të delegacionit të Patriarkanës në Romë, me rastin e festës së Shën Pjetrit e Palit, duke marrë pjesë në kremtimet e Shën Andreut, në Fanar. Në delegacionin papnor, kryesuar nga kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e unitetit të të krishterëve, janë të pranishëm edhe imzot Brian Farell, sekretar i Dikasterit vatikanas si dhe Atë Andrea Palmieri, zëvendës-sekretar i të njëjtit dikaster. Delegacioni u prit dje, nga Patriku Ekumenik Bartolomeu në një atmosferë shumë të përzemërt.

“Gjatë takimit - lexohet në një notë të Patriarkanës ekumenike, mori pjesë  edhe arkimandriti Agathangelos Siskos, arkivist i Patriarkanës ekumenike dhe sekretar i Komitetit sinodal të dialogut me Kishën Katolike romake”.

Gjithnjë nga zyra e shtypit e Patriarkanës ekumenike mësojmë se dje Patriku Bartolomeu mori pjesë në një takim, pranë Pallatit Dollmabahçe, me ministrin e drejtësisë të Republikës së Turqisë, Abdulhamit Gül, përfaqësues i Presidencës turke, me ambasadorin Ibrahim Kalin e me krerët dhe përfaqësuesit e bashkësisë fetare jo myslimane.

“Gjatë takimit - lexohet akoma në notë - u shkëmbyen mendime për çështjet që kanë të bëjnë me pakicat fetare në Vend”.

30 nëntor 2020, 12:40