Kërko

2020.06.13 Conferenza Stampa Giornata Mondiale Poveri 2020.06.13 Conferenza Stampa Giornata Mondiale Poveri 

Dita e IV Botërore e të Varfërve

Mё 15 nёntor bie Dita e IV Botërore e të Varfërve, e cila ka si temë "Shtria dorën tënde të varfërit" (khr Sir 7,32-37). Dita Botërore e të Varfërve, është Ditë e dëshiruar shumë dhe e themeluar nga Papa me Letrën Apostolike “Misericordia et misera”, në përfundim të Jubileut të Mëshirës mё 2016, me qëllim që e gjithë bashkësia e krishterë dhe njerëzore të ftohet t’ua zgjasë dorën të varfërve, të ligshtëve, burrave e grave, që u mohohet dinjiteti njerëzor.

R.SH. - Vatikan

Të dielën mё 15 nёntor kremtohet Dita e IV Botërore e të Varfërve, e cila ka si temë "Shtria dorën tënde të varfërit" (khr Sir 7,32-37). Dita Botërore e të Varfërve, kujtojmë, është Ditë e dëshiruar shumë dhe e themeluar nga Papa Françesku, me Letrën Apostolike “Misericordia et misera”, në përfundim të Jubileut të Mëshirës mё 2016, me qëllim që e gjithë bashkësia e krishterë dhe njerëzore të ftohet t’u zgjasë dorën të varfërve, të ligshtëve, burrave e grave, që u mohohet dinjiteti njerëzor. Dita Botërore e të Varfërve u fiksua tё kremtohet çdo vit në të Dielën XXXIII të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.

"Në dritën e Jubileut të Mëshirës kushtuar personave të përjashtuar nga shoqëria, ndërkohë që në të gjitha katedralet dhe shenjtëroret e botës mbylleshin Dyert e Jubileut të Mëshirës, - pohonte Papa Françesku në Letrën Apostolike “Misericordia et misera”- ​​e kuptova se, si shenjë e mëtejshme konkrete e këtij Viti të Shenjtë të jashtëzakonshëm, duhej të ishte kremtimi në mbarë Kishën, me rastin e së Dielës së XXXIII të kohës së zakonshme liturgjike, i Ditës botërore të të varfërve ".

Pra ishte vetë Papa Bergoglio, që njoftoi kështu, se si lindi iniciativa, si u konceptua Dita Botërore e të Varfërve në një nga momentet më të pazakonta dhe elokuente të Jubileut të Mëshirës Hyjnore, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të mbushur nga mijëra të pastrehë, të varfër dhe të mënjanuar nga shoqëria, pikërisht në Ditën e Vitit Jubilar të Mëshirës Hyjnore kushtuar atyre, më 13 nëntor 2016.

Për të krishterët, çështja e varfërisë është qendrore. E Papa Bergoglio nënvizon: “nëse duam të takohemi me të vërtetë me Krishtin, është e nevojshme që ta prekim Jezusin në trupin plot plagë të të varfërve”. Ndihma për tё varfrit nuk mund të jetë e rastësishme, është pjesë e jetës së të krishterëve, të cilët duhet ta dëgjojnë britmën e të varfërve e të impenjohen në favor të tyre.

Sipas Papës Françeskut tek të varfërit duhet të shohim edhe atë varfëri ungjillore, e cila nuk duhet humbur, e cila që natyrisht, nuk i bën njerëzit ta humbasin dinjitetin e jetës. Në këtë kuptim, të varfërit nuk janë problem, por janë pasuri, që duhet përdorur për të pranuar e jetuar thelbin e Ungjillit tё dashurisё.

Papa Françesku kujton se feja arrin të ngulitë në zemrën e të varfërve një “të vërtetë të thellë”: “u kthen shpresën e humbur para padrejtësive, vuajtjeve dhe pasigurisë së jetës.  Zoti - siguron Papa - i dëgjon të varfrit kur u merret nëpër këmbë dinjiteti e, pavarësisht nga kjo, kanë forcë t’i lartojnë sytë drejt lartësive, për të marrë dritë e ngushëllim. Krishti e dëgjon zërin e atyre, që persekutohen, në emër të drejtësisë së rreme, që shtypen nga politika të padenja për këtë emër dhe tmerrohen nga dhuna. Në atë masë - shkruan Papa Françesku- që arrihet t’u jepet kuptimi i drejtë dhe i vërtetë i pasurisë, njeriu rritet në humanitet dhe bëhet i aftë për ndarje të përbashkët, në “heshtjen e dëgjimit”.

Në Ditën Botërore të të Varfërv e jo vetëm  në këtë ditë, ftesa është ta ndjejmë të gjithë veten “borxhlinj” përballë të varfërve, - pohon Papa - në mënyrë që,  “duke ia shtrirë reciprokisht duart njeri-tjetrit, të realizohet takimi shëlbues i fesë, të bëhet faktike bamirësia e të lindë shpresa për të vijuar të sigurt udhën drejt Zotit, që vjen”.

14 nëntor 2020, 08:27