Kërko

Kardinali Michael Czerny Kardinali Michael Czerny

Czerny: në marrëdhëniet ndërmjet të rinjve dhe migrantëve, e ardhmja e shoqërive pas-Covid

Zv.sekretari i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor foli në një seminar online, organizuar nga Universiteti Sofia i Tokios, një vit pas vizitës së Papës Françesku. Vuri në qendër mësimet e traditës së krishterë dhe enciklikën “Fratelli tutti”, si udhëzues për brezat e rinj që të ndërtojnë një botë më të mirë pas pandemisë

R.SH. - Vatikan

Në botën që del nga pandemia e koronavirusit, roli i të rinjve do të jetë vendimtar në plazmimin e shoqërisë. Për të dalë më të mirë nga kjo krizë, duhet kapërcyer individualizmi dhe duhen ndihmuar më të brishtët e më të mënjanuarit, si migrantët dhe refugjatët. Këto janë idetë e shprehura nga kardinali Michael Czerny, zv.sekretar i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, gjatë fjalës së tij në konferencën online, organizuar nga Universiteti Sofia i Tokios, në Qendrën Katolike të Jezuitëve.

Efektet e pandemisë mbi migrantët

 Takimi në internet u mbajt një vit pas vizitës së Papës Françesku në Japoni, për të reflektuar mbi fjalët e Papës dhe, në veçanti, mbi mbrojtjen e të gjitha jetëve në këtë kohë të vështirë, kur bota përballet me pandeminë e koronavirusit. Kardinali Czerny u përqendrua në ndikimin, që ka Covid-19, mbi shtresat më të brishta të popullsisë, sidomos mbi migrantët, refugjatët, të zhvendosurit dhe viktimat e trafikimit. Edhe kohët e ashtuquajtura “normale”, pohoi kardinali, nuk janë normale për këta njerëz.

Në fakt, ata kalojnë muaj, në mos vite, plot pasiguri, ankth, me ushqim dhe strehim të pamjaftueshëm, në kushte të vështira shëndetësore. Harrohen edhe nga ligji, janë shpesh të papunë e gjithnjë ka rrezik të shfrytëzohen, ose të abuzohen. Me pandeminë, problemet janë shtuar: nuk gjenden kollaj as punët e vogla, të papaguara mirë; nuk mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës; vendi pritës kërkon zgjidhje për qytetarët e vet, duke i harruar të huajt, madje edhe qëllimisht. Ndërkaq, pikërisht në këtë periudhë koronavirusi, kontributi i migrantëve në shoqëri është thelbësor: mjafton të mendohet për punonjësit e bujqësisë, ose për ata që shpërndajnë e dorëzojnë pako.

“Virusi i madh” i padrejtësisë

Pandemia ka goditur një shoqëri, në të cilën mbretëron padrejtësia - një “virus i madh”, që i shtohet virusit “të vogël, por të tmerrshëm” të Covid-19, siç e quajti Papa - nga e cila mund të mbrohemi vetëm me antikorpet e drejtësisë, të qartësisë dhe të solidaritetit. Kriza pandemike ka nxjerrë në pah dobësinë dhe ndërvarësinë tonë. Në të vërtetë, po këta dy faktorë na bashkojnë e, nëse duam të dalim më të mirë nga kjo krizë, kujtoi kardinali Czerny, nuk duhet të biem sërish në tundimin e individualizmit, personal a kolektiv, shprehur shpesh përmes nacionalizmit politik dhe interesave të ngushta ekonomike.

Mësimet e enciklikës “Fratelli tutti”

Përgjigja e krishterë për krizën gjendet në traditën e mësimeve të fesë, siç del qartë nga enciklika e fundit e Papës Françesku “Fratelli tutti”, në të cilën Ati i Shenjtë bën thirrje për vëllazërim e miqësi shoqërore. Idealisht, theksohet në të, njerëzit nuk duhet të detyrohen të migrojnë dhe kanë të drejtë të shpresojnë për një jetë dinjitoze dhe zhvillim të gjithanshëm në atdheun e tyre, por kjo kërkon investime të mëdha dhe bashkësia ndërkombëtare nuk është shumë e impenjuar në këtë fushë. Prandaj, secili ka të drejtën të emigrojë për t’u realizuar në jetë, sidomos kur shtyhet nga tragjedi si uria, lufta dhe ndryshimi i klimës. Në këtë rrugë ka mjaft pengesa, duke filluar nga regjimet nacionaliste dhe populiste, që përpiqen të mbrohen pas mureve dhe pas ksenofobisë, të cilat nuk përkojnë me krishterimin. Përkundrazi, nënvizon Papa në enciklikë, kur njeriu mirëpritet, i jepet mundësia të jetë vetvetja dhe të kontribuojë në zhvillimin e shoqërisë.

Impenjimi i të rinjve

Të rinjtë kanë rol vendimtar në krijimin e kulturës së vëllazërimit e të solidaritetit. Respekti për historinë, për të moshuarit, për krijimin e Zotit dhe impenjimi për dialog ndërmjet brezave e për solidaritet, janë vlerat, që mund të themelojnë një shoqëri më të mirë, gjë që nënkupton, theksoi kardinali Czerny, edhe hapjen ndaj migrantëve dhe refugjatëve.

30 nëntor 2020, 11:57