Kërko

Hinduistë në lutje Hinduistë në lutje 

Covid, vuajtje që të mëson mëshirën

Në mesazhin tradicional drejtuar hinduistëve për festën e Deepavalit, Dikasteri për Dialogun Ndërfetar, në gjurmët e Papës, kujton se solidariteti është udha, në të cilën duhet ecur drejt botës së pas-pandemisë

R. SH. - Vatikan

Ndjenjat fetare mund të jenë të ndryshme, por përballë së keqes së përbashkët të virusit global, krishterimi, ashtu si hinduizmi “na mësojnë  mirësinë e shpresën, edhe në çastet më të vështira”. Këtë theksojnë kardinali Miguel Angel Ayso Guixot dhe imzot Indunil Kodithuwakku Janakaratne Kankanamalage, përkatësisht president e sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, në mesazhin dërguar, si çdo vit, bashkësisë hinduiste, për festën e Deepavalit.

Pandemia kërkon guxim, për të mos u dëshpëruar

Në reflektimin, që shoqëron urimet për Festën e vitit 2020, nuk mund  të mos flitej për situatën planetare, shkaktuar nga Covid-19. Dikasteri  vatikanas inkurajon të përballohet sëmundja me frymë pozitive e me shpresë për të ardhmen, edhe përballë pengesave, në dukje të pakapërcyeshme, “sfidave shoqërore e ekonomike, politike e shpirtërore, ankthit, paqartësisë e frikës, që vijon të përhapet në të katër anët e globit”. Kjo nuk është ftesë për optimizëm foshnjarak. Dihet se në rrethana dramatike e ndër morte, “edhe shpresa e guximi zbehen”. Posaçërisht  kur shoqërohen me pasojat e rënda mbi ekonominë, mbi shërbimin shëndetësor, mbi edukimin e deri mbi praktikat fetare.

Zoti nuk do të na braktisë

Por përpjekjet tona - vijon mesazhi - bazohen mbi bindjen  se Zoti, që na krijoi e na mbron, nuk do të na braktisë, si dhe mbi konstatimin e “ndryshimeve pozitive”, që solli edhe koronavirusi në jetën shoqërore. Vuajtjet e përbashkëta e ndihma reciproke - vërejnë nënshkruesit e mesazhit - i afruan bashkësitë tona në solidaritet, në shqetësimin e përbashkët, në aktet e mirësjelljes e në ndihmën ndaj nevojtarëve. Këto shenja solidariteti na bënë ta vlerësojmë më thellësisht vlerën e bashkëjetesës, faktin e përkatësisë reciproke e të nevojës që kemi për njëri-tjetrin, për mirëqenien e të gjithëve e të shtëpisë sonë të përbashkët.

Kultura e pozitivitetit

Mesazhi i urimeve drejtuar hinduistëve na kujton ftesën e Papës për t’i ngjitur njëri tjetrit jo sëmundjen, po “shpresën”. “Shpresë ngjitëse”, bazuar mbi vlerat e traditave përkatëse fetare, për të krijuar kulturën e pozitivitetit. “Kjo festë kuptimplote - urohet - i davaritët retë e frikës, të ankthit e të çdo trazire e i mbushtë mendjet dhe zemrat me dritën e miqësisë, të bujarisë e të solidaritetit”.

 

06 nëntor 2020, 13:05