Kërko

Vatican News

Covid, paqja nuk arrihet me bark bosh

Papa Françesku thotë shpesh: nga pandemia mund të dalim më të mirë, ose më të këqinj. Kriza globale kërkon rimendimin e parametrave të bashkëjetesës njerëzore me solidaritet. Për këtë është menduar projekti “Covid 19, të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”, në bashkëpunim me Dikasterin vatikanas për Komunikimin dhe me atë për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor

R.SH. - Vatikan

Historia na mëson se krizat globale kanë qenë baza e revolucioneve të të uriturve. Në gjendjen aktuale, shkaktuar nga pandemia, nuk janë të paktë vëzhguesit ndërkombëtarë, që mendojnë se ka rrezik të ndodhë kështu edhe kësaj radhe. Maryann Cusimano Love, pedagoge në Universitetin Katolik të Amerikës, një nga ekspertet e ftuara nga Papa në Komisionin e Vatikanit Covid-19, në një koment për Vatican Neës, e hedh vështrimin në zonat më problematike të botës. Koronavirusi, pohon ajo, i ka keqësuar kushtet, në të cilat jetojnë popullsitë më nevojtare e përballja me mjerimin dhe me pasigurinë shëndetësore mund të ndezë shkëndijën e destabilizimit. “Për të parandaluar një gjë e tillë, duhet siguruar ndihma ushqimore edhe aty ku ka konflikte”, argumenton ajo, duke përmendur detyrën e Kishës për arritjen e paqes universale.

“Ta përgatisim të ardhmen”, jo “të përgatitemi për të ardhmen”

Papa Françesku i ka kërkuar Komisionit Covid-19 të “përgatisë të ardhmen” e jo “të përgatitet për të ardhmen”. “Në çastin, që do të dalim nga kjo pandemi, - vëren studiuesja e Universitetit Katolik të Amerikës - Kisha Katolike mund të na ndihmojë të imagjinojmë dhe të ndërtojmë një botë më të mirë, një botë ku mund të jemi më të lidhur, më të dashur, ku mund të ndërtojmë marrëdhënie më të mira me njëri-tjetrin, me planetin, me të varfërit dhe me Zotin. Siç thotë Shkrimi Shenjt, në Librin e Isaisë profet: ‘Ja, po bëj një gjë të re: [tani po lind,] a s’po e shihni?’ (Is 43,19). Kisha Katolike – vijon Maryann Cusimano Love - nuk është kishë kombëtare; ne punojmë përtej kufijve të çdo kombi, punojmë me afate të gjata, që e kapërcejnë ngjarjen e mëpasme, ose zgjedhjet e ardhshme; përveç kësaj, jemi furnizuesit më të mëdhenj të botës, përsa i përket ndihmës shëndetësore dhe ndihmës për më nevojtarët. Jemi një familje e vetme njerëzore e tepër shpesh sillemi si familje, që nuk funksionon”. Për të përballuar valën në rritje të nacionalizmit dhe ekstremizmit, Kisha imagjinon dhe përgatit një të ardhme të bazuar në lidhje më të mëdha ndërmjet anëtarëve të familjes njerëzore.

Marrëdhënie më të shëndosha ndërmjet nesh

Papa Françesku e ka denoncuar shpesh ekonominë aktuale “që vret”. E pas pandemisë, nuk mund të kthehemi në mënyrën e vjetër të zhvillimit ekonomik, që po tregon qartë të gjitha kufizimet e veta. Duhet të mos “investojmë më mbi një trilion dollarë në armët më të fundit bërthamore – jep një shembull pedagogia - kur këto para nevojiten urgjentisht për shëndetin dhe ushqimin”. Pandemia dëshmon qartë se sa shumë gjëra nuk janë thelbësore e cilat janë vërtet të rëndësishme, si shenjtëria e jetës, familjet, shtëpia jonë e përbashkët. “Fakti që fëmijët e mi studiojnë në internet dhe unë punoj nga shtëpia e kujdesem për të moshuarit – vëren Maryann Cusimano Love - do të thotë që kalojmë shumë më tepër kohë në familje e, edhe në natyrë. Gjatë pandemisë, natyra u përtëri dhe na bëri të kuptojmë se ende nuk është vonë për të bërë gjithçka duhet. Ekonomitë dhe vendet tona të punës mund dhe duhet të promovojnë marrëdhënie më të shëndetshme e më të pasura ndërmjet nesh dhe ndërmjet nesh e Tokës”.

Teoritë konspiracioniste nuk e ndihmojnë paqen

Sëmundjet, vijon të arsyetojë pedagogia e Universitetit Katolik të Amerikës,  mund të shkaktojnë luftë dhe konflikt. Vendet, që kanë hyrë në ciklin e konfliktit dhe të hakmarrjes, kanë nevojë për zhvillim ekonomik, sepse kështu mund të ndërpritet spiralja e dhunës. Por, pandemia e shkatërroi ekonominë globale. Ato vende në konflikt, që varen nga shitja e naftës - si Nigeria, Iraku e të tjera – tani, nuk kanë fonde për të arritur paqen, për të zbatuar marrëveshjet e paqes në Kolumbi, për t’ua riblerë armët e për t’u ofruar punë ish-milicëve, që ata të integrohen në jetën e shoqërisë. “Paqja – thekson anëtarja e Komisionit vatikanas Covid-19 - nuk arrihet me magji; kërkon punë plot durim dhe kohë. Përkundrazi, pandemia i shkatërron burimet dhe përpjekjet për arritjen e paqes”, vëren studiuesja, duke denoncuar shtimin e lëvizjeve të dhunshme nacionaliste dhe ekstremiste. Për të mos folur për teoritë konspiracioniste lidhur me koronavirusin, në kërkim të kurbanëve të kotë. Tani, më shumë se kurrë, nevojitet aftësia ndërmjetësuese e Kishës Katolike për paqen, përfundon Maryann Cusimano Love.

16 nëntor 2020, 12:58