Kërko

 Vangelo della XXXIII Domenica 'A' Vangelo della XXXIII Domenica 'A' 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Fjala e Zotit na kujton se çdonjërit prej nesh Hyji i ka dhënë talente e dhurata të veçanta për të mirën personale, të komunitetit e të mbarë njerëzimit. E Jezusi na fton t’i investojmë ato, t’i shtiem në punë për ta përmirësuar botën e për ta ndërtuar mbretërinë e Hyjit. Jemi afër përfundimit të këtij viti të Kishës, prandaj është kohë bilanci e programimi. Jezusi, me shëmbëlltyrën e talenteve, na fton t’i investojmë e t’i qesim mirë në punë dhuntitë dhe burimet e natyrës e hiret që kemi marrë prej Zotit, për rritjen tonë njerëzore e shpirtërore.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 33-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Jemi në të dielën e 33-të gjatë vitit liturgjik, do të thotë se jemi në të dielën e parafundit të këtij viti kishtar dhe Fjala e Zotit na kujton se çdonjërit prej nesh Hyji i ka dhënë dhanti, talente, dhurata të veçanta për të mirën personale, për të mirën e komunitetit dhe të mbarë njerëzimit. E pasi kemi marrë talentet a dhuratat prej Zotit, Jezusi na fton t’i vlerësojmë e investojmë ato, do të thotë t’i shtiem në punë për të përmirësuar botën dhe për të ndërtuar mbretërinë e Hyjit.  

Në Ungjillin e kësaj sё diele nga Mateu, përmes shëmbëlltyrës së talenteve, Jezusi na fton të reflektojmë mbi dhuratat që kemi marrë e edhe mbi mënyrën sesi duhen përdorur, për përhapjen e Mbretërisë së Hyjit. Pra, Fjala e Zotit na nxit për njё jetё nё thjeshtësi, vigjilencë, zell e aktive. Në shëmbëlltyrën e talenteve Jezusi na tregon historinë e tre shërbëtorëve të cilëve i zoti, para se të nisej për një shtegtim të largët, ua besoi pasurinë e vet. Dy prej tyre i vunë në punë paratë, që kishin marrë, duke i shumëfishuar. Ndërsa shërbëtori i tretë i fshehu në një vrimë. Si u kthye në shtëpi, zotëria u shprehu kënaqësinë dy shërbëtorëve të parë, ndërsa nga i treti mbeti krejtësisht i zhgënjyer. Ky shërbëtor, që e fshehu talentin, pa e vlerësuar, i bëri keq llogaritë: u suall sikur zotëria nuk do të kthehej kurrë më, sikur nuk do të vinte një ditë, kur do t’i duhej të jepte llogari për veprimin e tij. Talenti, mos tё harrojmё, nuk mund të shkëputet nga misioni, që duhet kryer e që Zoti ia beson çdo njёrit prej nesh.

Pasuritë e dhuntitë që morëm nga Zoti, nuk duhen mbajtur në kasafortë, por duhen përdorur për të tjerët, në dobi të pёrbashkёt: këtë nga kujton Jezusi nё fragmentin e Ungjillit tё kёsaj sё diele tё 33-tё gjatё vitit kishtar. Talentet, qё na i propozon shёmbёlltyra ungjillore nga Shёn Mateu (Mt 25,13-30), nuk janë cilësitë individuale, por pasuria, që na beson Zoti: Fjala e Tij, Eukaristia, besimi në Atin qiellor, ndjesa e Tij, domethënë, pasuritë e Tij më të çmuara, që ne jemi të thirrur t’i shumëfishojmë. Kështu, vrima e hapur në nё tokё nga shërbëtori i lig e përtac, tregon frikën nga rreziku, që e bllokon krijimtarinë dhe pjellorinë e dashurisë.

Zoti nuk u jep të gjithëve të njëjtat gjëra e as në të njëjtën mënyrë. Na njeh personalisht e na beson atë, që është e drejtë për ne; por në shpirtin e të gjithëve vë të njëjtin besim pa cak. Zoti na beson. Zoti shpreson në ne. Beson e shpreson në të gjithë, njëlloj! Të mos e zhgënjejmë! Të mos gënjehemi nga frika, por t’i përgjigjemi besimit me besim. Gjithë të mirat, që kemi marrë, janë për t’ua dhënë të tjerëve, e kështu shtohen.

Me shëmbëlltyrë ungjillore tё talenteve, Jezusi dëshiron t’u mësojë dishepujve të vet t’i përdorin mirë dhuratat që kanë marrë. Zoti e fton çdo njeri në jetë; i dorëzon edhe talente, duke i besuar njëkohësisht një mision për të kryer. Do të ishte marrëzi të mendoje se këto dhurata mund t’i përdorësh sipas qejfit, ashtu si është marrëzi të mos i përdorësh fare, duke treguar, kështu, se nuk e ke kuptuar vetë qëllimin e jetës.

Shën Gregori i Madh, duke komentuar këtё pjesё ungjillore, shkruan: “E prandaj është e nevojshme, o vëllezërit e mi, që të tregoheni tejet të kujdesshëm për ruajtjen e dashurisë së krishterë, në çdo veprim që duhet të kryeni” (Homeli mbi Ungjillin, 9,6). E pasi saktëson se dashuri e vërtetë është ajo, që të shtyn t’i duash njëlloj miq e armiq, shton: ”në se ndokush nuk e praktikon këtë virtyt, i humbet të gjitha pasuritë, i mungon talenti, që mori, e flaket jashtë, në errësirë”. Dashuria e krishterë është pasuria kryesore, të cilën të gjithë duhet ta përdorim, që të japë fryte të begata, sepse pa të, çdo dhuratë tjetër është krejt e kotë. Vetëm duke e praktikuar dashurinë e krishterë, edhe ne mund të marrim pjesë në gëzimin e Zotërisë sonë.

                                                                 Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Fu 31, 10-13. 19-20. 30-31)
Gruaja e përsosur punon me dëshirë me duart e veta.

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta.

Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm. Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t’i mungojë. Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet. Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta. Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin. Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua shtrin dorën të mjerëve.
Hijeshia është e rrejshme e bukuria është e kotë: gruaja që e druan Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar! Le t’i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saj! Fjala e Zotit.

Psalmi 128 (127)

Ref: Lum njeriu që ecën udhës së Zotit
_____________________________

Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës
së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
_____________________________
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
_____________________________
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
_____________________________

Leximi i dytë (1 Sel 5, 1-6) Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, për sa i përket kohës dhe momentit as nuk është nevoja t’ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën. Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç’ paqe dhe ç’ siguri!”, shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë, do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.
Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! Atëherë të mos flemë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë! Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mt 25, 14-30)
U dëftove besnik në sende të vogla, hyr në gëzimin e zotërisë tënd!

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. Njërit i dha pesë talente, tjetrit dy, e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij, e u nis për udhëtim. Menjëherë ai që mori pesë talente u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë. Po ashtu edhe ai që mori dy talente, fitoi edhe dy tjerë. Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.
Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. E si doli para ai që kishte marrë pesë talente, i qiti përpara edhe pesë tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talente, ja, edhe pesë tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talente e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talente, ja, edhe dy tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja tani gjënë tënde!’ Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talente! Sepse atij që ka do t’i jepet më, e do të ketë me shumicë; e atij që s’ka do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh’!” Fjala e Zotit.

14 nëntor 2020, 12:36