Vila Serena për të pritur familjet e refugjatëve
R.SH. - Vatikan
Vetë emri është kuptimplotë e, në këtë rast, shpresohet të sjellë mbarësi. Është fjala për Vilën Serena (që në italisht do të thotë “qetësi”), shtëpinë e Romës të Motrave Shërbëtore të Provanisë Hyjnore të Catania-s, që tani vihet në dispozicion për mikpritjen e refugjatëve, ardhur në Itali përmes korridoreve humanitare. Vila Serena synon të bëhet porti i tyre i sigurt, që u ofron një jetë më të qetë, pas kaq shumë mundimesh. Në të do të strehohen gratë mbetur vetëm, gratë me fëmijë, familjet e varfra.
Shtëpi për muajt e parë
Në një komunikatë, Lëmoshtaria Apostolike njofton se Vila Serena iu ofrua nga murgeshat Papës Françesku, për përdorim falas. Motrat Shërbëtore të Provanisë Hyjnore të Catania-s impenjohen prej kohësh në fushën e arsimit e kanë disa “shtëpi-familje” për të ndihmuar më të varfrit, duke i formuar e duke u kujdesur për ta. Vila Serena ndodhet në Romë, në via della Pisana. Në të do të strehohen deri në 60 vetë, kryesisht refugjatë në muajt e parë pas mbërritjes së tyre, të cilët më pas do të ndihmohen të gjejnë punë dhe shtëpi.
Duke dëgjuar Papën
Është përgjigjja ndaj ftesës së Enciklikës së Papës “Fratelli tutti”, ku Ati i shenjtë kërkon të mirëpriten ata, që ikin nga luftërat, persekutimet dhe fatkeqësitë natyrore. Vila i është besuar Bashkësisë së Shën Egjidit, e cila, që nga viti 2015, “ka hapur korridore humanitare për refugjatët nga Siria, Briri i Afrikës dhe së fundmi, edhe nga Greqia, në veçanti nga ishulli i Lesbos”. Një veprimtari, në të cilën janë përfshirë mbi 2600 vetë, një pjesë e madhe prej të cilëve janë të mitur.