Kërko

Vatican News
Këshilli i Evropës Këshilli i Evropës  (AFP or licensors)

Parolin, Comece-s: të krishterët janë shpirti i Evropës

Një fjalim i pasur, i hollësishëm, ai i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, mbajtur dje në mbledhjen plenare të Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, i cili vuri në dukje rolin e Kishave në gjirin e Bashkimit dhe fushat kryesore të bashkëpunimit me institucionet, për të dhënë dëshminë e vërtetë të krishterë.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Pietro Parolin mori pjesë virtualisht në Asamblenë Plenare të Komisionit të Episkopateve Evropiane me 28 e 29 tetor  me rastin e 40-vjetorit të themelimit, duke u bërë sidomos zëdhënës i përshëndetjes dhe bekimit të Papës që, me këtë rast, e shprehu mendimin e tij përmes një Letre,  drejtuar pikërisht Sekretarit të Shtetit. Titullohet “Ëndrra për një Evropë të bashkuar, solidare, mike e njerëzve”. Mund ta lexoni në faqen tonë të internetit të datës 21 të tetorit, që sot numëron ditën e fundit.

Kisha, Papët, integrimi Evropian

Fjalimi mbahet në një kohë të paqartë, të vështirë, kur shumë vende  u goditën rëndë nga pandemia e “nuk shikojnë ende rrugëdalje nga kjo krizë shëndetësore, ekonomike e shoqërore”. Në këtë situatë, Kisha në Evropë është e thirrur ta kryejë me zell edhe më të madh misionin e të japë kontributin e saj, duke ofruar një mesazh feje, bashkimi, solidariteti, shprese.

Pasi kujtoi origjinën e procesit të integrimit evropian më 1950, me deklaratën e Robert Schuman dhe fillimin e projektit të unitetit mbikombëtar, garanci për paqen dhe kapërcimin e nacionalizmave, që e përçanë tepër gjatë Evropën, kardinali Parolin nënvizoi se Kisha e mbështeti gjithnjë procesin e integrimit, që nga kohët e Piut XII, tek shpallja, nga Shën Pali VI e Shën Gjon Pali II, e Shenjtorëve Pajtorë të Evropës e tek vizita në Parlamentin Evropian e Shën Gjon Palit II,  më 11 tetor 1988 dhe e Papës Françesku, më 25 nëntor 2014, me të cilat - kujtoi – afërsia e Kishës me Evropën u intensifikua edhe më shumë. E duhet kujtuar edhe se Françesku është Papa i parë jo evropian në më se njëmijë vjet.

Roli i COMECE e i CCEE në gjirin e Bashkimit Evropian

Shenjë e rëndësishme në gjirin e Evropës, sipas kardinalit Parolin, janë institucionet si COMECE, Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian, që nisi veprimtarinë e tij që më 3 mars 1980, duke pasur parasysh nevojën për marrëdhënie reciproke dhe bashkëpunim vëllazëror  të Kishave në Evropë ndërmjet tyre, me Institucionet evropiane dhe të natyrës diplomatike. Perspektiva e ndërlikuar dhe e çmuar e punës së COMECE është “të shoqërojë procesin politik të Bashkimit Evropian në zonat që i interesojnë Kishës dhe të komunikojë opinionet dhe vizionet  e Episkopateve lidhur me procesin e integrimit evropian”. Njëlloj i rëndësishëm edhe roli i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE)  që përbëhet nga Kryetarët e të gjitha Konferencave Ipeshkvnore, me rol baritor, por njëlloj të nevojshëm.

Vizioni evropian i Papës Françesku

Takimi me Plenaren, që sapo përfundoi, ishte rast shumë i përshtatshëm  për t’i folur gjithë Evropës për sfidat e sotme. Është zëri i Kishës, që i shtohet atij të Papës. Prandaj Kardinali u rikthye tek përmbajtja  e Letrës, drejtuar nga Papa pak ditë më parë, në prag të kësaj ngjarjeje. “Më duket se - pohoi Sekretari i Shtetit - qëllimi i Letrës së Papës ishte vijim i reflektimit mbi ardhmërinë e Evropës”, kontinent të cilin e ka shumë për zemër, posaçërisht për rolin qendror që pati e ka në historinë e njerëzimit. Si gjithnjë, reflektimi i Papës Françesku nuk synon të japë udhëzime  të sakta për hapat që duhen bërë. Synimi papnor është të japë këshilla për “trajektoren ideale dhe elementet kryesore, mbi të cilat duhet reflektuar që, më pas, kush mundet, edhe të veprojë”.

“Askush nuk shpëton i vetëm!”

Në perspektivën e Papës nuk ka kurrë koncepte abstrakte. Ka gjithnjë njerëz, në qendër të debatit për Evropën, sepse, pohoi Kardinali “Një Evropë” që do ta humbiste nga sytë njeriun, nuk mund të bëjë tjetër, veçse të shndërrohet në një tërësi procedurash burokratike e shterpe”, e kjo ka edhe më shumë rëndësi sot, kur duhet të përballojmë një pandemi, e cila nuk njeh kufij as procedura. Njeriu, pra, me ndjetet, shpresat e lidhjet e tij! Pa harruar mirëkuptimin e konceptit të lirisë, që shpesh keqkuptohet e interpretohet sikur njeriu ta kishte për detyrë të jetë i vetëm, i zgjidhur nga çdo leqe, pjesëtar i një shoqërie pa asnjë lloj përkatësie.

Po pandemia na fton t’i ndërrojmë stilet e jetës, të zbulojmë “identitetin komunitar”, i vetmi mbi të cilin mund të ndërtojmë, duke kapërcyer përçarje e kontradikta. E në të - theksoi kardinali Parolin - COMECE, ashtu si edhe CCEE, episkopatet dhe ipeshkvijtë e veçantë, kanë rolin themelor: ta jetojnë e ta pohojnë bashkimin kishtar, ta bëjnë të dukshme se i përkasin një bashkësie të vetme e se ndryshimet ndërmjet popujve nuk janë pretekst për të thelluar divergjencat, por për ta njohur pasurinë e Kontinentit tonë”.

Katër ëndrrat e Papës për Evropën

Në Letrën drejtuar kardinalit Parolin, Papa flet për katër ëndrra: katër ëndrra, sepse shekujt e qytetërimit nuk e kanë shteruar akoma aftësinë shtytëse, të mbështetur nga e vetmja bindje themelore: Evropa nuk mund të jetë e vërtetë, pa shtyllat mbi të cilat u projektua që nga  intuita e parë, domethënë, si hapësirë popujsh të bashkuar nga solidariteti, pasi qenë shndërruar në fushë tragjike shahu luftërash e muresh. Nga këto vlera burojnë edhe katër vizionet e Françeskut. Papa “ëndërron një Evropë mike të njeriut e të njerëzve. Një tokë, ku respektohet dinjiteti i të gjithëve e ku   njeriu është vlerë më vete e jo objekt i llogarive ekonomike, a mall tregu”.

Ëndërron një Evropë, që të jetë familje popujsh e bashkësi solidare, vëllazërore, jo tokë të shpërbërë në realitete vetmitare e të pavarura, krejt të paafta  për t’i kapërcyer sfidat e ardhmërisë.

Ëndrra e tretë  e Papës është ajo e një “Evrope solidare e bujare”, Evropë, që hap shikimin e portat, vend mikpritës, ku dashuria për tjetrin - virtyti më i lartë i krishterë - ngadhënjen mbi çdo formë të indiferencës e të egoizmit”.

 E, pastaj, ëndrra e katërt, të cilën Françesku e shpreh kështu: “Një Evropë  me laicitet të shëndetshëm, ku Zoti e Çezari ndryshojnë, por nuk kundërvihen”. Një Evropë, në të cilën Papa mendon se kanë marrë fund konfesionalizmat, por që shpresohet - uron -  edhe fundi i një farë laicizmi, i cili ia mbyll portat të tjerëve e posaçërisht Zotit, sepse dihet që një kulturë ose një sistem politik, që nuk ia hap portën Zotit, nuk mund ta respektojë as njeriun!

Më pas kardinali Parolin, duke kujtuar fjalët e Papës, theksoi se “njeriu dhe bashkësia janë themelet e Evropës, të cilën, si të krishterë,  dëshirojmë  e mund të kontribuojmë për ta ndërtuar, duke vënë gjithnjë në themel “dashurinë për njeriun”. Një dashuri e tillë konkretizohet me gjeste bamirësie e solidariteti e me vizionin e njeriut “që nuk mund të braktiset në vetvete kur jeton dramën  e shtatzanisë së padëshiruar, kur është i sëmurë e nuk mund ta mbartë më barrën e vuajtjes, kur është migrant, që arrin në viset tona shpesh herë viktimë e trafikantëve pa skrupuj”. Kjo bamirësi  për njeriun konkretizohet me gjeste bamirësie e solidariteti e me vizionin e njeriut, që nuk braktiset, por duhet, është i vetëdijshëm se lodhja e dhimbja, të shpërblyera nga Krishti e të ndriçuara nga Ungjilli i tij, nuk janë prova pa asnjë kuptim. Ky është roli publik i Kishës, që ndihmon dhe edukon e, duke respektuar autonominë e politikës, jep edhe kontributin për të mirën e shoqërisë.

Përparësitë e BE-së në bashkëpunim me COMECE

Prej këndej kardinali Parolin u ndal tek përparësitë, që i interesojnë Bashkimit Evropian e që mund të jenë objekt i bashkëpunimit të COMECE me institucionet evropiane. Kujtoi, këtu, si çështje të parë, kapërcimin e pasojave shëndetësore, shoqërore, ekonomike e njerëzore të pandemisë: proces i gjatë dhe i vështirë, në të cilin merr pjesë Komisioni Vatikanas Covid-19(VCC) me përqendrimin e vëmendjes tek kërkimi i investimeve për prodhimin e vaksinave si dhe për përdorimin e kujdesshëm  të mjeteve për kapërcimin e pandemisë.

Migrimet: të rishikohet Rregullorja e Dublinit

Kardinali Parolin u ndalua edhe te migracionet. I quajti tragjedi njerëzore  dhe kërkoi rishikimin e Rregullores së Dublinit.

Ambienti: projekti Green Deal, burim të mirash

Çështja e tretë me rëndësi të veçantë, ajo klimaterike e ambientale kërkon, sipas Papës “një kthesë të vërtetë ekologjike”.  Në këtë aspekt projekti Green Deal, impenjim për ta bërë Evropën kontineti i parë me ndikime klimaterike 0 brenda vitit 2050 është, sipas  kardinalit Parolin, interesant e domethënës, në dobi Evropës e të mbarë botës

Kujdes nga rreziqet e dixhitalizmit

Procesi i dixhitalizmit - kujtoi akoma kardinali Parolin - mund të sjellë rreziqe të reja, si humbja e vendeve të punës dhe përdorimi inteligjencës artificiale e i robotizimit. Prandaj Evropa, që synon të jetë protagoniste në këtë sektor, duhet të jetë edhe vigjilente e të shikojë në radhë të parë  zhvillimin e gjithanshëm të çdo njeriu dhe të mbarë popujve.

Pjesëmarrja në Konferencën për ardhmërinë e Evropës

Pa harruar fatet e Afrikës, kardinali Parolin kujtoi edhe rolin e rëndësishëm që mund të ketë Konferenca për ardhmërinë e Evropës, parë në dritën e sfidave të brendshme e të jashtme, dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës. Është – kujtoi kardinali Parolin - rast domethënës për ta rimenduar identitetin evropian dhe vlerat e tij, e jo më pak, edhe për t’i bërë institucionet evropiane më të afërta e më të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të Bashkimit dhe sfidave aktuale.

Urohet që Kisha të marrë pjesë, sidomos si partner, në këtë dialog të hapur, transparent e të rregullt me Kishat, i cili kujtohet në Nenin e 17-të të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian.

 

31 tetor 2020, 13:30