Kërko

Vatican News
2020.08.11 -ONU logo New York - USA - Giornata mondiale - generico 2020.08.11 -ONU logo New York - USA - Giornata mondiale - generico 

OKB, Caccia: një angazhim ndaj varfërisë, mjedisit dhe terrorizmit

Në tre ndërhyrje në sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve tё Bashkuara, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë kujtoi rëndësinë e një qasje integrale për të zhdukur varfërinë, për të mbrojtur krijimin dhe për t'i dhënë fund terrorizmit ndërkombëtar.

R.SH. - Vatikan

Zhdukja e varfërisë, lufta kundër ndryshimit të klimës dhe terrorizmit ndërkombëtar: këto ishin temat e trajtuara nga Kryeipeshkvi Gabriele Giordano Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve tё Bashkuara, gjatë tre fjalimeve të mbajtura, mё 12 e 13 tetor, në Nju Jork, nё kuadrin e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve tё Bashkuara. "Plaga e varfërisë - tha në radhë të parë prelati - mbetet një nga sfidat më të mëdha globale të kohës sonë", aq sa numri i njerëzve të varfër në botë "vazhdon të jetë i papranueshëm i lartë".

Për më tepër, pasojat shoqёroro-ekonomike të pandemisë Covid-19 "e bëjnë situatën edhe më urgjente", me rrezikun që brenda vitit, "100 milion njerëz mund të përfundojnë në varfëri ekstreme, duke e ngritur, për herë të parë pas shumë dekadash, nivelin e rritjes sё varfërisë në nivelin global ”. E jo vetëm: siç vuri nё pah Imzot Caccia, "humbja e vendit të punës, mungesa e mundësive dhe mbrojtja e papërshtatshme sociale janë faktorë që kontribuojnë në rritjen e varfërisё, tё pabarazive më të mёdhe dhe tё mënjanimit".

Promovimi i arsimit dhe lufta kundër varfërisë farmaceutike

Çfarë të bëjmë atëherë? Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve tё Bashkuara, Imzot Caccia kujtoi, para së gjithash, rëndësinë e arsimit, "një nga katalizatorët thelbësorë për t’i lehtësuar familjet dhe komunitetet nga cikli i varfërisë". Për fat të keq, edhe pandemia ka ndikuar negativisht në këtë sektor, aq sa shkalla e braktisjes së shkollës "është rritur në mënyrë shqetësuese, madje dramatike". Një tjetër pikë thelbësore qё u vu nё pah nga Vëzhguesi i Përhershëm, ёshtё lufta kundër "varfërisë farmaceutike", ose mohimi i eksesit në kurat mjekësore dhe ilaçet e domosdoshme, ajo qё janё thelbësore pёr shёndetin e njerёzve. Kemi fjalёn për një faktor që, tha Imzot Caccia, "çdo ditë përkeqëson spiralen e përjashtimit dhe tё pabarazisë që shkon krah për krah me varfërinë dhe i bën të varfrit edhe më të padukshëm".

Dënim absolut i terrorizmit

Sa i përket terrorizmit ndërkombëtar, në fjalimin e tij të tretë, në sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve tё Bashkuara ,Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit pranё OKB-sё përsëriti se terrorizmi "shkel dinjitetin njerëzor e të drejtat themelore të njeriut" dhe se "asnjë arsye ideologjike, politike, filozofike, racore, etnike ose fetare nuk mund ta justifikojë atë kurrë". Në të vërtetë: "Përçmimi total i terroristëve për jetën dhe liritë themelore, krimet e tyre të patregueshme ndaj grave e fëmijëve dhe barbarizmi i egër i akteve të tyre të shkatërrimit - theksoi imzot Caccia - kërkojnë dënimin absolut". Për t'iu kundërvënë një dukurie të tillë, nevojiten standarde të larta që marrin parasysh "shtetin e së drejtës, të drejtat themelore të njeriut" dhe "respektimin e përpiktë të së drejtës ndërkombëtare".

15 tetor 2020, 10:56