Kërko

Vatican News

Një shtëpi ekologjike për Rojet Zvicerane dhe familjet e tyre

U paraqit projekti për kazermën e Rojeve Zvicerane në Vatikan, që do të realizohet sipas kritereve të ekologjisë. Ajo do të zëvendësojë shtabin e tyre të përgjithshëm, duke strehuar edhe familjarët. Do të financohet nga një Fondacion zviceran.

R.SH. - Vatikan

“Jeta ime do të ishte e paimagjinueshme pa Rojet Zvicerane. Janë gjithmonë pranë meje, ditë e natë. Profesionaliteti, disiplina, maturia, besueshmëria dhe mirësjellja e tyre më mbushin me një ndjenjë të madhe mirënjohjeje. Janë të rinj të disiplinuar, që shërbejnë 24 orë çdo ditë për mbrojtjen e sigurisë time. Për këtë arsye, është jashtëzakonisht e rëndësishme që në Vatikan, i cili po bëhet gjithnjë e më shumë një atdhe i dytë edhe për gratë dhe fëmijët e tyre, të kenë strehime moderne e njëkohësisht të sigurta”. Këto janë fjalët e nënshkruara nga Papa Françesku, në paraqitjen e projektit për selinë e re të Rojeve Zvicerane.

          Presidenti i Fondacionit për Restaurimin e Kazermës së Rojeve Zvicerane, Jean-Pierre Roth, komandanti Christoph Graf, arkitektët Pia Durisch dhe Aldo Nolli dhe një delegacion i Fondacionit patën disa takime në Vatikan këtyre ditëve për të paraqitur projektin e ri. Janë të sigurt se do të gjejnë fonde e nevojshme nga donatorët e ndryshëm. Kazerma aktuale tregojnë qartë shenjat e kohës: “është prishur dhe nuk ka më kushtete e nevojshme për të strehuar Rojet në përputhje me rregulloret aktuale”, shkruan Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin në një letër për Fondacionin dhe donatorët. Kërkesat për më tepër hapësirë janë rritur me rreth 30 për qind për shkak të ndryshimit të rregullave në lidhje me martesën, sipas të cilave, tani, rojet zvicerane mund të martohen edhe gjatë shërbimit, duke marrë me vete familjen. Pas një studimi të kujdesshëm arkitektonik u llogarit që është e pamundur të sigurohet hapësira e nevojshme thjesht duke rinovuar ndërtesën aktuale. Ndërtesa e re, që do të ngrihet në të njëjtin vend, do të përdorë materiale nga e vjetra dhe do të ketë nevojë për pak mirëmbajtje, duke u përpjekur të respektojë të gjitha normat, që kërkon Papa Françesku në enciklikën “Laudato si’”. Do të jetë e para në Vatikan, që do të ketë një certifikatë ekologjike.

03 tetor 2020, 08:14