Kërko

Shpella e Betlehemit dhe Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit Shpella e Betlehemit dhe Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit 

Krishtlindje në Shën Pjetër: së shpejti do të arrijnë Shpella e Betlehemit prej qeramike dhe Bredhi i kuq slloven

Simbolet e Festave të mëdha dimërore parashikohet të arrijnë në Sheshin e Shën Pjetrit të premtën, më 11 dhjetor, në orën 16.30 - duke kapërcyer pengesat e pandemisë - të prituara me një ceremoni, kryesuar, si zakonisht, nga Kryetari dhe Sekretari i Përgjithshëm i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Paradite delegacionet e vendeve nga vijnë Bredhi dhe Shpella e Betlehemit, do të priten në audiencë nga Papa.

R. SH. - Vatikan

Shenjë shprese e besimi për një botë, që pret padurueshëm Jezusin, me sigurinë se Zoti do të vijë përsëri në mes të popullit të vet, për ta shpëtuar e për ta ngushëlluar, në këtë vit të jashtëzakonshëm, kur ka më shumë nevojë për Të! Ky është mesazhi kryesor, që dëshirohet të shprehin dy simbolet në kohën e emergjencës shëndetësore, ndërsa shtegtojnë drejt Sheshit të Shën Pjetrit, ku drejtohen, plot shpresë, sytë e mbarë botës.

Përurimi tradicional

Përurimi tradicional, sipas programit, parashikohet për datën 11 dhjetor, në orën 16.30, në atmosferën e kufizimeve shkaktuar nga pandemia,  me një ceremoni të kryesuar, si zakonisht, nga kardinali Giuseppe Bertello dhe imzot Fernando Vérgez Alzaga, përkatësisht Kryetar dhe Sekretar i Përgjithshëm i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Në të njëjtën ditë - në mëngjes - delegacionet e vendeve nga vijnë Bredhi e Betlehemi - Castelli e Kočevje - do të priten në audiencë nga Papa Françesku, për paraqitjen zyrtare të dhuratave. Bredhi e Betlehemi do ta stolisin Sheshin e Shën Pjetrit deri më 10 janar, Festa e Pagëzimit të Zotit.

Shpella e Betlehemit, prej qeramike italiane

Sivjet, pra, dhuruesit e simboleve të Krishlindjes janë Italia e Sllovenia. Shpella e Betlehemit, me shtatore të madhësisë natyrale,  sivjet do të vijë nga Castelli, në provincën e Teramos, qendër e rëndësishme për qeramikën që nga shekulli XVI. Është simbol kulturor për gjithë Abruzzo-n, por edhe objekt i artit bashkëkohor, me rrënjë të thella në punimin tradicional të qeramikës kastelane.

Vepra u realizua nga nxënësit dhe profesorët e Institutit të artit “F.A. Grue”, liceu i sotëm artistik shtetëror për vizatimin i cili, në dhjetëvjeçarin 1965- 1975, ia kushtoi veprimtarinë didaktike temës së Krishtlindjes. Në Sheshin e Shën Pjetrit do të vendosen vetëm disa pjesë të koleksionit të brishtë, të përbërë nga 54 shtatore. Do të vihen mbi një pedanë të ndritshme, rreth 125 metra katrore, me një pjerrësi të lehtë, që do të rrethojë një pjesë të Obeliskut. Në njërën anë do të vendosen skulpturat, që paraqesin Mbretërit Dijetarë; në qendër, pastaj, në pikën më të lartë të pedanës, do të jetë grupi kryesor i Krishtlindjes, me Engjëllin përmbi Familjen Shenjte, simbol i mbrojtjes së Shëlbuesit, Marisë e Jozefit.

Bredhi i kuq, nga Sllovenia

Në Sheshin e Shën Pjetrit do të lartohet edhe Bredhi madhështor, 28 metra i gjatë, me diametër 70 centimetër, që vjen nga Sllovenia juglindore, e pikërisht nga komuna e Kočevje, mbi lumin Rinža. Rajoni i  Kočevje është një nga trojet sllovene, ku pyjet mbulojnë 90% të sipërfaqes. Bredhi i kuq, i zgjedhur për Sheshin e Shën Pjetrit, u rrit pranë Kočevska Reka, pylli i dytë slloven, që përfshihet në listën  e Pasurisë Botërore të Unesco-s.

Bredhi, që nga lashtësia, është simbol i pjellorisë ndaj, sipas traditës popullore përdoret shpesh, sidomos në festën e 1 majit e gjatë kremtimeve të Krishtlindjes. Në rajonin e Bela Krajina, për festën e Shën Gjergjit, është  traditë  të  organizohet një procesion, me një bredh të zbukuruar me lule e copa stofe.

Bredhi më i gjatë në Evropë - “Sgermova smreka”, 61,80 metra i gjatë, naltohet mbi masivin e Pohorjes, pikërisht në Slloveni. Eshtë reth 300 vjeç, me perimetër 3 metra e 54 centimetra e diametër më se një metër.

Me nisjen e tyre, nga vendet dhuruese, nis të ndjehet atmosfera e Festave të mëdha të këtij dimri krejt të jashtëzakonshëm, që ka aq shumë nevojë për dritë – e shëndet!

30 tetor 2020, 13:34