Kërko

Vatican News

Kardinali Ravasi: “qëndrueshmëria e ambientit është e drejtë njerëzore”

Çështja e ambientit nuk është vetëm funksionale. Ka të bëjë me të drejtat e njeriut, në epokën bashkëkohore. Kështu foli kreu i Këshillit Papnor të Kulturës, në konferencën “Pesë vjet pas Laudato si’. Investime etike për një botë të qëndrueshme”

R.SH. - Vatikan

“Qëndrueshmëria nuk është vetëm fenomen teknik: ajo ka hyrë në të drejtat e njeriut të brezit a nivelit të katërt”. Kështu tha kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kard. Gianfranco Ravasi, në konferencën “Pesë vjet pas Laudato si’. Investime etike për një botë të qëndrueshme”, transmetuar në internet nga Salla Marconi e Radio Vatikanit.

“Nëse prish kuadrin në të cilin jemi zhytur, nuk cënon vetëm planin fizik, por vë në rrezik kejt ekzistencën e planetit dhe jetën tonë”, shpjegoi kardinali gjatë takimit të organizuar nga administratori i këshilltarëve të Südtirol Bank, Alfonso Meomartini (mik i shqiptarëve, të cilët i ka ndihmuar shumë), në bashkëpunim me mediat e Vatikanit. Shembulli, që përmendi prelati, është ai i pandemisë, e cila “lidhet a jo me çështjen ekologjike, ka hedhur në erë shumë modele”.

 Botës së ekonomisë, Ravasi i kujtoi detyrat biblike: “kultivo dhe ruaj” dhe “nënshtro dhe mbizotëro”. “Sipërmarrësi - shpjegoi ai - është ai që e udhëheq zhvillimin, me kujdesin për të parë përtej grigjës. Ndërsa, nënshtrimi është fjala e fshatarit, që lëvron tokën për ta bërë atë pjellore”. Pastaj, citimi i filozofit francez Paul Ricoeur: “Jetojmë në një epokë, në të cilën bulimia e mjeteve përkon me anoreksinë e qëllimeve”.

 “Financat janë mjet, instrument dhe ekonomia është ligji i shtëpisë së botës”, saktësoi kardinali, i cili, në vazhdën e mendimeve të fituesit të çmimit Nobel për ekonominë, Amartya Sen, pohoi: “Ekonomia duhet të kthehet sërish në një disiplinë humaniste, e cila ka si bazë filozofinë morale”. “Mos u bëni pre e shkëlqimit dhe e pushtetit të administrimit”, i ftoi kardinali Ravasi të pranishmit: “Të kujtohemi gjithmonë se puna nuk është thjesht burim për të jetuar, por është edhe dinjiteti i njeriut”.

13 tetor 2020, 14:38