Kërko

Imzot Urbańczyk: “Të vlerësohen veçoritë, pasuria dhe forca morale e shpirtërore e grave”

Përfaqësuesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE-në e Vjenës flet në Konferencën III për rishikimin e çështjes së barazisë gjinore, duke motivuar mbështetjen e Vatikanit për vlerësimin e grave, siç parashikohet nga “Plani i veprimit i OSBE-së 2004”. Flitet për kontribute të veçanta dhe për faktin se gratë e burrat plotësojnë njëri-tjetrin: vetëm kështu mund të japin kontribut të rëndësishëm në shoqëri.

R.SH. - Vatikan

“Selia e Shenjtë është e bindur se hapi i parë drejt barazisë ndërmjet grave dhe burrave është njohja e rëndësisë së pjesëmarrjes dhe të impenjimit të grave në të gjitha fushat e jetës kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike, duke ofruar kështu këndvështrimin e drejtë mbi dinjitetin dhe aspiratat e brendshme dhe të patjetërsueshme të grave”. Kështu pohoi imzot Janusz Urbańczyk, përfaqësues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në selinë e OSBE-së në Vjenë, me rastin e Konferencës III për rishqyrtimin e çështjes së barazisë gjinore, mbajtur më 27 e 28 tetor. Prelati polak shprehu mbështetjen e Selisë së Shenjtë për arritjen e barazisë ndërmjet grave dhe burrave, siç nënvizohet në Planin e Veprimit të OSBE-së 2004 për këtë qëllim.

Imzot Urbańczyk theksoi se Selia e Shenjtë është e bindur që për t’ia arritur këtij qëllimi, “aspekt themelor i një shoqërie të drejtë dhe demokratike, bazuar në shtetin e së drejtës”, duhen bërë “hapa konkrete, praktike, të përditshme, të cilat e vlerësojnë kontributin e grave” dhe garantojnë “pagë të barabartë për punë të barabartë, të njëjtën mundësi në përdorimin e fondeve, të kapitaleve dhe të teknologjisë, mbrojtje për nënat që punojnë, drejtësi në ngjitjen e shkallëve të karrierës dhe në ndarjen e përgjegjësive familjare, si edhe njohjen e të drejtave dhe të përgjegjësive të barabarta si qytetare të një shteti demokratik”.

Megjithëse numri më i madh i grave në parlament apo në fusha me përgjegjësi, shpesh, do të thotë se janë më të përfshira në shoqëri, shpjegon prelati, kjo nuk mjafton. Gratë duhen vlerësuar për të gjitha aftësitë e tyre, për “gjeninë e tyre femërore, thelbësore për njerëzimin”, duke ruajtur veçoritë e tyre.

“Pikërisht, duke njohur dhe vlerësuar specifikën, pasurinë dhe forcën morale e shpirtërore të grave, mund të konsolidohen paqja dhe siguria”. Vërtet, kur gratë i ndajnë dhuratat e tyre me shoqërinë “përmirësohet vetë mënyra me të cilën shoqëria e kupton dhe e organizon vetveten, duke pasqyruar më mirë unitetin thelbësor të familjes njerëzore”.

Për ruajtjen e veçorive të grave, ka folur shpesh edhe Papa Françesku, i cili nënvizon se përpjekja për t’i zhdukur ndryshimet ndërmjet burrit e gruas nuk është zgjidhje për të drejtat e saj, por krijon problem për shoqërinë, pasi kështu, humbet pasuria unike dhe vlera e saj shpirtërore, duke e varfëruar njerëzimin.  Ati i Shenjtë ka theksuar shpesh se burri e gruaja plotësojnë njëri-tjetrin, duke ruajtur secili karakteristikat vetjake. Vetëm ky përplotësim kthehet në thesar për të gjithë.

28 tetor 2020, 16:15