Kërko

Vatican News

Imzot Forte: “Fratelli tutti” interpreton Ungjillin për botën e sotme

Sipas teologut Bruno Forte, kryeipeshkëv i Chieti-Vastos, themelet e enciklikës shoqërore të Papës Françesku janë teologjike, madje, “trinitare”. “Nga një vizion thellësisht ungjillor rrjedhin pasojat shoqërore”, shpjegon ai në intervistën me Vatican News.

R.SH. - Vatikan

Në enciklikën e tretë të Papës Françesku, “Fratelli tutti”, nënshkruar më 3 tetor në Asizi, koncepti i “vëllazërimit” i ka rrënjët në baza të fuqishme teologjike, që shtjellohen në tekst, duke iu referuar qartë “misioni të Birit dhe të Shpirtit Shenjt, përmendur shpesh e në mënyra të ndryshme”. Kështu mendon teologu Bruno Forte, kryeipeshkëv i Chieti-Vastos në Itali, që nënshkruan hyrjen e një botimi të komentuar të enciklikës shoqërore, publikuar nga Scholé-Morcelliana. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, imzot Forte e quan enciklikën “Fratelli tutti”, “interpretim i Ungjillit të bamirësisë për botën e globalizuar të mijëvjeçarit të tretë” dhe nënvizon ndikimin e “teologjisë së popullit” argjentinas, aq të dashur për Papën Françesku. Ta dëgjojmë:

Kam parasysh një kritikë, që i bëhet shpesh magjisterit të Papës Françesku: quhet magjister shoqëror, mjaft i impenjuar, por rrënjët e bazat e tij teologjike nuk dalin mjaftueshëm në pah. Mendoj se pikërisht “Fratelli tutti” i përgënjeshtron qartë këto paragjykime, sepse në enciklikë ideja kryesore e vëllazërimit, që qëndron në bazën e dashurisë shoqërore, të drejtësisë, si në çdo vend, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, është ide, që i ka rrënjët në bazën e saj teologjike. Bazohet, para së gjithash, në figurën e Atit Qiellor, para të cilit jemi të gjithë vëllezër, pastaj në atë të misionit të Birit, i cili na bën vëllezër në Krishtin si bij të adoptuar dhe më pas, në veprimin e Shpirtit Shenjt. Prandaj, më duket shumë e qartë se Papa Françesku kumton Ungjillin, pra, jo ndonjë doktrinë shoqërore si të tillë, por pasojat shoqërore të shndërrimit të zemrës në atë vëllazërim, që është dhurata e Zotit për njerëzit, nëmënyrë që t’i bëjë ata të aftë ta duan dhe ta mirëpresin njëri-tjetrin, si edhe të ndërtojnë një botë më të drejtë për të gjithë.

Pra, mund të themi se kategoria e “vëllazërimit”, në këtë enciklikë, shihet nga pikpamja drejtpërdrejt kristologjike…

Duke reflektuar pikërisht mbi motivin mbizotërues të këtij teksti, menjëherë më erdhi ndërmend një libër i vogël i teologut të ri të atëhershëm, Joseph Ratzinger, botuar në vitin 1960. Libri quhet “Vëllazërimi i krishterë” (Die christliche Brüderlichkeit). Një libër i vogël, por tejet i çmuar, pasi nxjerr në pah se ideja e vëllazërimit në krishterim ndryshon nga dy konceptime të tjera: nga ai i kësaj bote, sipas të cilit vëllazërimi bazohet vetëm në të drejtat e barabarta, pra, në vizionin e Revolucionit Francez dhe, nga ana tjetër, nga konceptimi elitar, vetë-referues dhe i mbyllur, që shpesh është konsideruar si një lloj alternative ndaj korrupsionit të botës. Në këndvështrimin teologjik të krishterë, vëllazërimi nuk është asnjëri nga këto dy vizione, por është dhuratë nga lart që na bën vëllezër, është dashuria shoqërore mbi të cilën bazohet mundësia e ndërtimit të një bote më të drejtë për të gjithë. Këto janë temat për të cilat Papa Françesku flet shpesh, duke nënvizuar aspekte të ndryshme gjatë shtjellimit të enciklikës.

Disa kanë shprehur frikën se etika e Papës Françesku, propozuar në këtë enciklikë shoqërore, i ka humbur rrënjët dhe identitetin e krishterë…

Nuk është aspak kështu, sepse krejt baza e asaj që propozon Papa Françesku në këtë enciklikë është teologjike e madje, “trinitare”. Prandaj, nuk është e vërtetë që jemi para një këndvështrimi, thjesht, të kësaj bote. Përkundrazi, është e vërtetë se tek “Fratelli tutti” shihen pasojat në këtë botë të këtij vizioni thellësisht teologjik dhe këto pasoja shprehen në idenë e zemrës së hapur ndaj botës, ndaj një bote më të drejtë, ku vlerësohet dinjiteti i njeriut dhe ai vendoset në qendër, ndaj një bote, që i thotë “jo” dënimit me vdekje, konsideruar i papranueshëm nga Papa, ndaj një bote, që i thotë “jo” luftës. Por gjithçka, duke u nisur nga i Tejetlarti, pra, nga baza teologjike e një Zoti, që dërgon Birin dhe Shpirtin Shenjt ndërmjet njerëzve që të realizojë ndërmjet tyre vëllazërimin, për të cilin flet Françesku. Rrjedhojat e këtij vëllazërimi janë ato shoqërore, të treguara në enciklikë. Për shembull, edhe vizioni i politikës në kapitullin e pestë, ai i një politike, që duhet të vihet në shërbim të së mirës së vërtetë të përbashkët, nuk është thjesht vizion i kësaj bote. Temat themelore, për shembull, ato të punës, për të cilën Papa Françesku ngul këmbë shumë, por edhe temat e drejtësisë dhe të paqes apo dënimi i sistemeve të padrejta botërore, shndriten të gjitha nga thellësitë e rrënjëve teologjike, prej të cilave frymëzohet Papa. Nga kjo pikëpamje, enciklika është vërtet tekst thellësisht ungjillor, thellësisht i krishterë.

Në veçanti, ju keni vënë re në tekst, gjurmët e së ashtuquajturës “teologji të popullit” argjentinas, aq të dashur për Papën Françesku e, shprehur qartë edhe në kujdesin, që i kushtohet “lëvizjeve popullore” në shumë prej paragrafeve…

Edhe kjo është një pikë, që e kam shumë për zemër, sepse vërtet që kjo enciklikë thotë gjëra thelbësore për gjithë “fshatin global”, por përmban fuqimisht edhe gjurmën, jo vetëm të magjisterit të këtij Pape, por edhe të identitetit të tij të thellë shpirtëror dhe teologjik. Të mos harrojmë se Papa Françesku e ka jetuar jetën dhe shërbesën e tij sidomos në Argjentinë, në Buenos Aires, ku ekziston kjo “teologìa del pueblo”, me mendimtarë, të cilët i ka njohur, vlerësuar dhe respektuar: Lucio Gera, për shembull, ose edhe Juan Carlos Scannone, Rafael Tello. Këta janë mendimtarë, që sigurisht, frymëzohen edhe nga “Teologjia e Çlirimit”, por, prej saj theksojnë më tepër pikërisht bazat teologjike të krishtera të impenjimit për drejtësi më të madhe shoqërore.

Kjo vlen, për shembull, edhe për etikën ekologjike?

Sigurisht! Edhe kjo ka përshpirtmëri të thellë dhe Papa Françesku e shtjellon, duke iu referuar figurës, që frymëzon enciklikën, Shën Françeskut, siç ndodh edhe me “Laudato si’”, edhe ajo me bazat teologjike trinitare, që përmenda më parë. Me fjalë të tjera, dashuria shoqërore që propozon Ati iShenjtë - “forcë e aftë të zgjojë mënyra të reja për të përballuar problemet e botës së sotme dhe për t’i risuar thellësisht, nga brenda, strukturat, organizatat shoqërore, sistemet ligjore” - nuk është tjetër, veçse interpretimi shoqëror i bamirësisë. “Teología del pueblo” e autorëve, që përmenda më parë, orientohet pikërisht në këtë drejtim. Po citoj, për shembull, një mendim të teologut argjentinas Rafael Tello, i cili thotë: “Çfarë themi kur flasim për popull? Jo thjesht struktura shoqërore të kësaj bote, por një grup njerëzish, që nuk ecin si individë, por si ind i një bashkësie të të gjithëve, për të gjithë”. Ky është këndvështrim shumë i afërt me krishterimin, sepse “communio” (bashkësia) e krishterë nuk është thjesht një shumë individësh për të garantuar interesa, por është bashkim i bazuar mbi rrënjë shpirtërore - veprimi i Shpirtit Shenjt, “Sequela Christi” – që orientohet në mbarë botën me frymën e shërbimit dhe të dhurimit të vetvetes. Në këtë kuptim, pra, unë nuk ngurroj të them se “Fratelli tutti” është interpretim i Ungjillit të bamirësisë për këtë botë të globalizuar, në fillim të mijëvjeçarit të tretë.

19 tetor 2020, 18:35