Kërko

Vatican News
2020.07.24 indigeni di Maranhão-Brasile-donazione di cibo-covid19 2020.07.24 indigeni di Maranhão-Brasile-donazione di cibo-covid19  (Diocese de Grajaú/MA)

Dita Misionare Botërore, misioni në kohën e pamdemisë

Drejt ditës që sivjet kremtohet më 18 tetor, vlojnë nismat e ungjillëzimit në pesë kontinentet dhe në "kontinentin dixhital". Të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë aktive në misionin e Kishës, nё saje tё mandatit tё Jezusit, me lutje dhe ndihmë konkrete.

R.SH. - Vatikan

Në fillim të muajit tetor, tё cilin Kisha katolike tradicionalisht ia kushton veprёs  misionare, e me rastin e festës së Shën Terezës së Lisiex, mbrojtëse qiellore e misioneve, Sekretari i Kongregatёs sё Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kryeipeshkvi imzot Protase Rugambwa, me origjinë nga Tanzania, kujtoi se misionarët janë gjithmonë pranё njerёzve që vuajnë, aq më shumë tani qё janё nё periudhën e krizës globale. "Ky është momenti i duhur për misionin, tha ai, "jemi ftuar sot të kumtojmë dhe të japim dashurinë e Zotit, veçanërisht aty ku ka vuajtje, mjerim dhe dëshpërim".

Angazhimi misionar gjatë pandemisë

Duke cituar Mesazhin e Papës Françesku për Ditën Misionare Botëror, të titulluar "Ja ku jam, më dërgo mua", kryeipeshkvi kujton se "në një kontekst të shënuar thellësisht nga pandemia e Kovid-19, nuk duhet tё shkurajohemi sepse misioni nuk është fryt i kapacitetit njerëzor, por vepër e Zotit: protagonisti i këtij misioni ёshtё Shpirti Shenjt Zot". Megjithë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia, anembanë botës vazhdon angazhimi për rritjen e ndërgjegjësimit për mbledhjen e posaçme të lёshmoshёs sё 18 tetorit, që do të përbëjë Fondin Universal të Solidaritetit që Veprat Papnore Misionare qё mbledhin çdo vit për të çuar pёrpara misionin e tyre nё ndihmë të Kishave vendore. Gjatë vitit 2020, shpjegon njё njoftim pёr shtypi i Kongregatës sё Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve dhe Veprave Papnore Misionare -Sekretariati Ndërkombëtar, kontributi është shprehur gjithashtu edhe nëpërmjet Fondit të posaçëm të urgjencës themeluar nga Papa pranë Veprave Papnore Misionare, për t’i ndihmuar komunitetet e prekura nga Kovidi-19.

Mesazhi për Ditën Misionare Botërore “Ja ku jam, më dërgo mua!”

Titullohet “Ja ku jam, më dërgo mua!”(Is 6,8) Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Misionare Botërore. Nis me fjalë mirënjohjeje drejtuar Zotit për angazhimin me të cilin, tetorin e kaluar, u jetua në të gjithë Kishën Muaji Misionar i Jashtëzakonshëm, me temë: “Të pagëzuar e të dërguar: Kisha e Krishtit me mision në botë”. Ndërsa në këtë vit të ngarkuar me vuajtje e sfida, shkaktuar nga pandemia e Covid 19 – kujton Papa  Françesku në Mesazh - udha misionare e Kishës vijon në dritën  e fjalës, që e gjejmë në tregimin e Isaisë Profet kushtuar thirrjes: “Ja ku jam, më dërgo mua!”. E pikërisht kjo është përgjigjja, gjithnjë e re, që i jepet thirrjes. Përgjigje, e cila vjen nga zemra e Zotit.

Jeta njerëzore lind nga dashuria e Zotit, rritet në dashuri e priret drejt dashurisë. Askush nuk përjashtohet nga dashuria e Zotit e, në flijimin e shenjtë  të Jezusit Bir përmbi kryq, Ati e mundi mëkatin dhe vdekjen. Për Zotin e keqja - e deri vetë mëkati - bëhen sfidë për të dashur, e për të dashur gjithnjë më shumë. Prandaj Misteri i Pashkëve, mëshira hyjnore, e shëron plagën e zanafillës së njerëzimit. Kisha, sakrament universal i dashurisë së Zotit për botën, vijon në histori misionin e Jezusit e na dërgon në të katër anët e botës që, përmes dëshmisë sonë të fesë e kumtimit të Ungjillit, Zoti ta tregojë përsëri dashurinë e Tij e të mund t’i prekë e t’i shndërrojë zemrat, mendjet, trupat, shoqëritë, kulturat në çdo vend e në çdo kohë. Këtë thekson Papa në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore, për t’u kujtuar të gjithëve se:

“Misioni është përgjigjja, e lirë dhe e vetëdijshme, që i jepet thirrjes së Zotit. Por këtë thirrje mund ta dëgjojmë vetëm kur jetojmë në lidhje personale dashurie me Jezusin e gjallë, në Kishën e Tij. Të gatshëm për t’iu përgjigjur Zotit: ‘Ja ku jam, o Zot, dërgomë mua!’. E këtë, jo në mënyrë abstrakte, po në të sotmen e Kishës e të historisë”.

Po si mund ta kuptojmë çka na kërkon Zoti?

Të kuptosh çfarë po na thotë Zoti në këtë kohë pandemie bëhet sfidë edhe për misionin e Kishës. Sëmundja, vuajtja, frika, izolimi kërkojnë përgjigje. Varfëria e njeriut, që vdes i vetmuar, që braktiset, që humbet punën e pagën, e atij që nuk ka strehë as bukë, kërkon përgjigje. Përgjigje na kërkojnë vëllezërit nevojtarë e edhe mbarë gjithësia- shkruan Papa në mesazh.

Të marrësh pjesë aktivisht në misionin e Jezusit e të Kishës së Tij

Të kremtosh Ditën Misionare Botërore do të thotë edhe të ripohosh se lutja, reflektimi dhe ndihma materiale e  lëmoshëve,  janë mundësi për të marrë pjesë aktivisht në misionin e Jezusit e të Kishës së Tij. Lëmoshët, që mblidhen në të dielën e tretë të tetorit, kanë për qëllim të mbështesin, në emrin tim - kujton në përfundim Papa - punën e Veprave Papnore Misionare, që të mund t’u përgjigjen nevojave shpirtërore e materiale të popujve e të Kishave të mbarë botës, për shëlbimin e të gjithëve.

01 tetor 2020, 18:55