Kërko

Vatican News
2020.10.01 Premio Ratzinger 2020.10.01 Premio Ratzinger 

Çmimi Ratzinger 2020 i shkon teologut Marion dhe filozofes Rowland

Francezi Jean-Luc Marion, teolog dhe australianja Tracey Rowland, filozofe janë fituesit e Çmimit Ratzinger 2020 dhe pritet të marrin Çmimin nga Papa Françesku më 14 nëntor. Dy shkrimtarët janë bashkëpunëtor të Revistës ndërkombëtare ‘Communio’.

R.SH. - Vatikan

Jean-Luc Marion, teolog francez, e Tracey Rowland, filozofe australiane e specialiste në filozofinë politike, bashkëpunëtor tё Revistës ndërkombëtare ‘Communio’ janë dy fituesit e Çmimit Ratzinger 2020 dhënë nga Fondacioni vatikanas Joseph Ratzinger.

Duke i paraqitur të dy studiuesit para shtypit Presidenti i Këshillit tё Fondacionit at Federico Lombardi dhe kardinali Ravasi, i cili është anëtar i Komitetit shkencor të Fondacionit Ratzinger, përmenden veprimtaritë e shumta tё Fondacionit, pavarësisht situatës sё krijuar nga pandemia dhe njoftuan se nëse gjithçka shkon mirë e sipas programit, më 14 nëntor në Vatikan, gjatё audiencës me Papën Françesku, nё një ceremoni me pjesëmarrje vogël, do të bëhet dorëzimi i çmimit, përndryshe gjithçka do të shtyhet pёr vitin e ardhshëm.

Profili i dy fituesve tё Çmimit Ratzinger 2020 fillon nga viti i lindjes, 1946 për Jean-Luc Marion. Reflektimi i Marion ёshtё zhvilluar nё dy drejtime themelore, atё tё historisë sё filozofisë, dhe atё tё fenomenologjisë. Marion është Akademik i Francës që nga viti 2008, autor i botimeve të shumta dhe drejtor i disa vëllimeve prestigjioze. Ka qenë edhe anëtar i Këshillit Papnor për Kulturën. Bashkëpunon rregullisht me Revistën ndërkombëtare ‘Communio’.

Tracey Rowland ka lindur në vitin 1963, ka kryer doktoratën në Universitetin e Cambridge mbi temën e marrëdhënieve ndërmjet teologjisë së shekullit të njëzetë dhe idesë së kulturës, duke iu referuar veçanërisht filozofisë së Alasdair MacIntyre, teologjisë së Henri De Lubac dhe Joseph Ratzinger. Nga veprat kryesore të saj dy i kushtohen mendimit të Joseph  Ratzinger dhe janё tё përkthyera në disa gjuhë: Feja e Ratzinger. Teologjia e Benediktit XVI (2008) dhe Benedikti XVI. Një udhëzues për ata që janë në mëdyshje (2017). Ka botuar mbi 150 artikuj. Është anëtare e Këshillit botues të Revistës ndërkombëtare ‘Communio’.

Me fituesit e rinj, numri i atyre qё kanё fituar Çmimin Ratzinger arrin nё 22 vetё, nga 15 vende e 5 kontinente të ndryshme. Me Profesoreshën  Rowland Çmimi Ratzinger ka arritur deri nё Oqeani.

At Lombardi kujtoi gjithashtu veprimtaritë e tjera të Fondacionit Ratzinger si Simpoziumi i IX i studimit ndërkombëtar organizuar nga Fondacioni në Budapest më 8-9 tetor 2019 në bashkëpunim me universitetin hungarez katolik "Pàzmàni Pèter", i cili iu kushtua temës: "Gjendja ekonomike, sociale dhe shpirtërore nё vendet e Evropës Qendrore në dritën e Doktrinës sociale të Kishës".

Nё pranverë janё botuar Aktet e Simpoziumit të mëparshëm, në anglisht nё bashkëpunim  Franciscan University Press: Fundamental Rights and Conflicts among Rights.

02 tetor 2020, 10:56