Kërko

Vatican News

Guerrero: “Ja bilanci i Kuries Romake, në shërbim të Papës e të misionit të Kishës”

Intervistë me Prefektin e Sekretarisë vatikanase për Ekonominë, që paraqet bilancin e vitit 2019: “Ekonomia e Selisë së Shenjtë duhet të jetë si një shtëpi prej xhami, besimtarët kanë të drejtë të dinë si i përdorim fondet”.

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

“Besimtarët kanë të drejtë ta dinë si i përdorim fondet”. Atë Juan Antonio Guerrero Alves, Prefekt i Sekretarisë vatikanase për Ekonominë (SPE), shpjegon në këtë intervistë me mediat e Vatikanit, gjendjen e llogarive të Kuries Romake përsa i përket bilancit të vitit 2019.

Atë Guerrero, ju sapo i keni paraqitur bilancin e Kuries Këshillit për Ekonominë. Janë të shumtë ata, që kërkojnë nga Vatikani transparencë, t’u shpjegojë besimtarëve dhe të tjerëve mënyrën si i përdorin paratë dhe gjendjen e llogarive të Selisë së Shenjtë. Çfarë mund t’u thoni?

Kanë të drejtë ata, që kërkojnë transparencë. Ekonomia e Selisë së Shenjtë duhet të jetë si një shtëpi prej xhami. Këtë kërkon Papa nga ne. Ne nuk jemi pronarë, jemi kujdestarë të të mirave që kemi marrë. Për këtë arsye, në paraqitjen e bilancit për vitin 2019, dëshirojmë t’u shpjegojmë besimtarëve, në mënyrën më të kuptueshme të mundshme, cilat janë burimet e Kuries Romake, nga vijnë dhe si përdoren. Para së gjithash, duhet kuptuar se bilanci, që paraqesim nuk është i gjithë Kishës e as i gjithë Vatikanit, ku bën pjesë edhe bilanci i Guvernatoratit, IOR-i (një lloj banke e Vatikanit), Lëmoshët apo Oboli i Shën Pjetrit dhe bilanci i një sërë Fondacionesh, që bashkëpunojnë me dikasteret. Ai, që i paraqitëm Këshillit për Ekonominë është bilanci i Kuries Romake : 60 ente në shërbim të Papës dhe të misionit të tij në krye të Kishës. Bilanci i Selisë së Shenjtë është ndryshe nga të tjerët, nuk është si bilanci i ndërmarrjeve, nuk kërkon fitime. Prandaj, është normale të jetë në defiçit. Objektivi ynë është që shpenzimet të shkojnë të gjitha për misionin, që na është besuar, me kujdesin e duhur ekonomik dhe me guxim misionar. Duhet të kujdesemi që defiçiti të financohet si duhet me afat të gjatë e pastaj, duhet të besojmë në Provaninë Hyjnore, që vepron përmes bujarisë së besimtarëve.

Cilat janë pra, të dhënat e bilancit për vitin 2019?

Siç e kam thënë edhe në të kaluarën, sido që ta marrësh, Selia e Shenjtë nuk është një entitet i madh ekonomik. Kemi pasur të ardhura prej 307 milion €, kemi shpenzuar 318 milion €. Deficiti ynë është 11 milion. Kemi një kapital neto prej 1.402 milion euro. Ka shumë shkolla të mesme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë një vëllim hyrje-daljesh shumë më të lartë se ai, që tregohet në këtë raport për Kurien Romake. Nëse shtojmë edhe pasuritë e enteve të tjera, që përmenda më parë, arrihet në një kapital neto prej rreth 4.000 milion eurosh. Viti 2016 ka qenë i fundit pa defiçit. Tani, edhe për shkak të krizës së koronavirusit, nuk mund të them se s’kemi vështirësi.

Defiçiti prej 11 milion eurosh është shumë më i ulët se ai i bilancit të kaluar, kur arriti në 75 milion. Kjo edhe për investimet, që ka bërë Selia e Shenjtë. Vetëm se këto investime kanë përfunduar edhe në faqet e gazetave, sidomos kohët e fundit…

Jetoj në të tashmen. Lexoj gazetat. Ka mundësi që, në disa raste, Selia e Shenjtë, përveçse është këshilluar keq, është edhe mashtruar. Besoj se po mësojmë nga gabimet, ose pakujdesitë e së kaluarës. Tani duhet të përshpejtojmë, me nxitjen vendimtare dhe këmbëngulëse të Papës, procesin e njohjes, të transparencës së brendshme dhe të jashtme, të kontrollit dhe të bashkëpunimit ndërmjet dikastereve. Në ekipet tona, kemi përfshirë profesionistë të nivelit të lartë. Bashkëpunimi është një hap i madh përpara. Sekretaria a Shtetit, APSA dhe SPE bashkëpunojnë mirë. Sigurisht që mund të bëjmë gabime, ose të mashtrohemi, por më duket më e vështirë kjo kur bashkëpunojmë dhe veprojmë me kompetencë, transparencë dhe besim ndërmjet nesh.

Të dielën, në të gjitha kishat mblidhen lëmoshë për Papën, për të ashtuquajturin “Oboli i Shën Pjetrit”, fonde në dispozicion për bamirësinë e Atit të Shenjtë. Por çështja e Pallatit të Londrës i ka çorientuar besimtarët. A mund të sqaroni për çfarë shërben Oboli?

Lëmoshët e besimtarëve për Obolin janë një mënyrë konkrete bashkëpunimi me misionin e Atit të Shenjtë për të mirën e gjithë Kishës. Në vitin 2019, fondi mbuloi 32% të shpenzimeve për misionin e Selisë së Shenjtë. Ndërkaaq, struktura dhe shërbimet e saj mbulohen nga fonde vetjake. Të ardhurat e Obolit ishin 53 milion euro, nga të cilat 10 milion euro dhuruar për qëllime të veçanta. Me fjalë të tjera, fondi ka bashkëpunuar me misionin e Atit të Shenjtë për një shumë prej 66 milion eurosh, 23 më shumë nga sa u mblodhën. Kështu ka ndodhur gjatë viteve të fundit. Kjo do të thotë se edhe ka dekapitalizuar. Por gjithmonë për misionin për të cilin është destinuar. Oboli duhet administruar me urtinë e kujdestarit të ndershëm, ashtu siç bën çdo baba i mirë në familje, në mënyrë që t’i garantojë Papës ushtrimin e misionit të tij. Për sa di unë, humbjet për Pallatin e Lindrës nuk janë mbuluar nga Oboli, por nga fonde të tjera rezervë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Gjithsesi, duhet të jemi transparentë. Siç shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij të fundit për Veprat Papnore Misionare, “Kisha vazhdon gjithmonë të ecë përpara falë dy kacidheve të vejushës, falë kontributit të aradhes së njerëzve, që ndihen të shëruar e të ngushëlluar nga Jezusi, prandaj, me mirënjohje, dhurojnë çfarë kanë”. Detyra jonë është ta administrojmë dhuratën e tyre me ndershmërinë, maturinë dhe largpamësinë e babait të mirë të familjes.

Photogallery

Bilanci i Vatikanit i vitit 2019
01 tetor 2020, 16:22