Kërko

Vatican News

Tagle: sot kemi më shumë nevojë se kurrë për Nënë Terezën

Me rastin e festës Shën Nënë Terezës, kryetari i Caritas Internationalis reflekton, në mediat e Vatikanit, për “Nënën e të varfërve” dhe shembullin e bamirësisë së saj, që mund të na ndihmojë t’i bëjmë ballë edhe pandemisë!

R. SH. - Vatikan

Një jetë kushtuar krejtësisht shërbimit të të varfërve më të varfër! Shembulli i Nënë Terezës vijon të jetë forcë e pakundërshtueshme, që tërheq njerëz nga mbarë bota, besimtarë e jo. Shenjë e dukshme  e “forcës” të Shenjtores të të fundmëve është edhe fakti që pikërisht në ditën e përvjetorit të vdekjes së Murgeshës së Madhe, më 5 shtator 1997, njëherësh me kremtimin e kujtimit të saj liturgjik, Kombet e Bashkuara kremtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Kremtimi, i themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në rezolutën e adoptuar më 17 dhjetor 2012 e kujton shprehimisht Nënë Terezën si model i dashurisë për nevojtarët. “Duke pasur parasysh se bamirësia është në shërbim të   unitetit shoqëror e të paqes - vëren kardinali Luis Antonio Tagle në një reflektim me mediat e Vatikanit – Kombet e Bashkuara duan të sensibilizojnë  njerëz e organizata për t’i ndihmuar të tjerët me vepra  filantropike. E nënvizon më pas se “për Kishën është shumë domethënës fakti që Dita Ndërkombëtare të Bamirësisë kremtohet më 5 shtator, datë e vdekjes së Nënë Terezës, gruas  së njohur në mbarë botën, fitueses së Çmimit Nobel për Paqen, por që kishte si mision kryesor t’i shërbente Zotit e të varfërve”.

Pajtore e Caritas Internationalis

Kardinali Tagle kujton se Nënë Tereza është ndërmjet shenjtorëve pajtorë të Caritas Internationalis, president i të cilit është. Nënvizon më tej se “përmes Kongregatës fetare të Misionareve të Bamirësisë, themeluar prej Saj më 1950, shërbimi i Murgeshës shqiptare “pushtoi” mbarë botën, kudo kishte të varfër, të mjerë, të pastrehë, të papërfillur, të padashur. “Shën Nënë Tereza - vijon të reflektojë kardinali filipinas -  e shprehte dashurinë e saj të krishterë me gjeste të vogla, të bëra me shumë dashuri për tjetrin. Pa harruar se gjestet e vërteta të dashurisë mund të burojnë vetëm në një zemër, që di të dojë. Me bindjen se burimi i pashterrshëm i dashurisë e i bamirësisë është vetë Zoti, Zoti ynë i gjallë. “Zoti është dashuri”, lexohet në Letrën e Parë  të Gjonit, 4.8.  Emri i Zotit është dashuri. Zoti jep jetën, fal mëkatarët, mbron të ligshtit, ushqen tokën, vuan me të varfërit, shoqëron të braktisurit. Në Jezusin, "dashuria e Zotit e mundi vdekjen”. Çdo njeri - kujtoi akoma - u krijua sipas shëmbëllimit të Zotit, për të qenë fytyra e dashurisë së Tij përmbi dhe. Duke nënvizuar, më pas, edhe se "Nënë Tereza e pati lejuar Zotin, që është dashuri, ta shndërronte në mjet të dashurisë së Tij për të varfërit”.

Kryetari i Caritas Internationalis dhe prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve  shprehu bindjen se shpirti e shembulli i Nënë Terezës dhe Misionareve të Bamirësisë mund të na ndihmojë në këtë kohë pandemie, që ndjehet fort edhe në atmosferën festive të Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë 2020.

“Të gjithë - kujton kardinali Tagle - jemi të thirrur të kryejmë vepra dashurie, për të lehtësuar barrën tejet të rëndë të varfërisë e për të favorizuar stabilitetin dhe paqen". Por në frymen e Shën Nënë Terezës, besoj se reflektimi i këtij viti na  vë para pyetje shumë të thella: “Kush jam unë? Çfarë rinie po formojmë sot? A i respektojmë njerëzit, që janë ndryshe prej nesh? A e zgjoi pandemia në shpiritn tonë instinktin e dashurisë? Apo mbetëm indiferentë? Të trembur shumë më tepër për vetveten, sesa për njerëzimin, që vdes për ditë nga pak? A e kujtojmë shembullin e Nënë Terezës, që e kaloi gjithë jetën ndërmjet të gërbulurve të Indisë? Sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për dashurinë e vërtetë  të njerëzve të vërtetë. Kemi nevojë për Nënë Terezën!”.

05 shtator 2020, 10:20