Kërko

Vatican News
2020.08.22 Giovanni Paolo I - 26-08-1978 Elezione 2020.08.22 Giovanni Paolo I - 26-08-1978 Elezione 

Papa Gjon Pali I nё pёrvjetorin e vdekjes

Mësues i së vërtetës dhe katekist i pasionuar, Gjon Palin I, buzëqeshja e Zotit. Besnik ndaj traditës e i gatshëm për t’ia hapur portën së resë. Albino Luçiani e kreu në mënyrë shembullore misionin baritor, duke i shërbyer Kishës si bari i palodhshëm e duke e nxitur klerin dhe besimtarët të ndjekin idealin e vetëm e të përbashkët të Shenjtërisë.

R.SH. - Vatikan

Sot përkujtojmë 42-vjetorin e vdekjes së Papës Gjon Palit I. Pra si sot, 42 vjet më parë, më 28 shtator 1978, ndërroi jetë Papa Albino Luçiani, pas vetëm 33 ditë papnie. Ishte 65 vjeç. Qëndroi në fronin e Shën Pjetrit për një kohë tejet të shkurtër, por që i mjaftoi për të fituar dashurinë e njerëzve, besimtarë e jo.

Gjon Palit I qe një Papë i butë, por i vendosur, besnik ndaj traditës e i gatshëm për rinovim. Njeri “i ëmbël dhe i butë”, por njëkohësisht “i fortë në fe, i vendosur në parime, gjithnjë gati të mirëpriste me buzëqeshje. Papa Luçiani , lindi në Kanale d’Agordo, qe Patrik i Venedikut nga 1969 deri më 1978, kur u ul në fronin e Shën Pjetrit.

42-vjetori i fillimit të papnisë së tij u kujtua më 26 gushtin e kaluar, pikërisht në ditën kur Patriku i Venedikut, Albino Luçiani, qe ulur në katedrën e Shën Pjetrit. Një papni tepër e shkurtër, kjo e Gjon Palit I, që zgjati vetëm 33 ditë, e megjithatë qe tepër e ngarkuar me veprimtari, që mbetën në kujtesën e besimtarëve.

“Mësues i së vërtetës dhe katekist i pasionuar”: kështu e ka quajtur Papa Ratzinger Gjon Palin I, Papa Luçianin, “buzëqeshjen e Zotit”. Besnik ndaj traditës e i gatshëm për t’ia hapur portën së resë Shërbëtori i Hyjit, Albino Luçiani e kreu në mënyrë shembullore misionin baritor, duke i shërbyer Kishës si bari i palodhshëm e duke e nxitur klerin dhe laikatin të ndjekë idealin e vetëm e të përbashkët të Shenjtërisë.

Këtë e tregojnë edhe fjalët  e tij mahnitëse, me të cilat përshkruante dashurinë e Zotit: “Ne jemi objekt i një dashurie nga ana e Zotit, që nuk perëndon kurrë. E dimë: Ai i ka gjithnjë sytë e hapur mbi ne, edhe kur na duket se ka zbritur nata. Është atë. E më tepër akoma, është nënë. Nuk do të na bëjë keq; dëshiron të na bëjë vetëm mirë, të gjithëve. Bijtë, kur janë të sëmurë, duhen edhe më shumë nga nëna. E edhe ne, në se rastësisht sëmuremi nga ligësia e dredhojmë rrugë, kemi edhe më shumë shpresë se Zoti do të na dojë përsëri”.

“Përvuajtëria” ishte karakteristika kryesore e Gjon Palit I, vëren Papa aktual. “Humilitas” ishte motoja e tij ipeshkvnore, e për Gjon Palin I ky ishte një virtyt i domosdoshëm për ata që janë të thirrur në krye të Kishës. Në një nga katër audiencat e përgjithshme të mbajtura gjatë papnisë së tij tejet të shkurtër, tha ndër të tjera, me tonin familjar që e dallonte: “Po kufizohem në rekomandimin e një virtyti, shumë të dashur për Hyjin, i cili na ka thënë: mësoni nga unë, që jam i butë e me zemër të përvuajtur… Edhe nëse keni bërë gjëra të mëdha, thoni: jemi shërbëtorë të padobishëm. E vërejti: ‘Përkundrazi, prirja jonë është e kundërta: të dukemi’ (Mësimet e Gjon Palit I, f. 51-52). Përvuajtëria mund të konsiderohet testamenti i tij shpirtëror. Falë këtij virtyti, mjaftuan 33 ditë, që Papa Luçiani t’u hynte njerëzve në zemër.

Po përveç përvujtërisë, ka edhe virtytet të tjera që duhen vënë në dukje, si drejtësia dhe dashuria e krishterë. Dashuria e krishterë, nënvizonte Papa Luçiani në audiencën e parë të përgjithshme të 6 shtatorit 1978, është shpirti i drejtësisë: “Duhet ta duam të afërmin, ashtu si na porosit vetë Zoti. E unë ju këshilloj të kryeni jo vetëm vepra të mëdha dashurie, por edhe të vogla”.

Mëshira e Zotit ishte në qendër të vëmendjes në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 10 shtatorit 1978. Zoti e do çdo njeri, edhe atë, pohonte Papa Luçiani, që ka sëmundjen e shpirtligësisë: “Zoti na do të gjithëve, me një dashuri që nuk njeh perëndim. E dimë: i ka gjithnjë sytë e hapur mbi ne, edhe atëherë kur duket se mbi jetën tonë ka zbritur nata. Është Atë; e edhe më shumë Nënë. Nuk e do të keqen tonë, do vetëm të mirën, për të gjithë”.

Fjalët e shqiptuara gjatë audiencës së përgjithshme të 13 shtatorit 1978 mbeten edhe sot, në këtë Vit kushtuar Fesë, thirrje e fuqishme për çdo njeri:
“Jezusi ka thënë: askush nuk vjen tek unë, në se nuk e tërheq Ati im... Ja, pra, ç’është feja: t’i dorëzohesh Zotit, por duke e shndërruar jetën tënde. Gjë që nuk është aspak e lehtë”.

Në lutjen e fundme të Engjëllit të Tënzot, më 24 shtator 1978, Papa Gjon Pali I la testamentin e tij shpirtëror, sot thellësisht aktual, përshkuar nga thirrja për të qenë zemërbutë e të përvujtë: ”Njerëzia nganjëherë thotë: ‘Jetojmë në një shoqëri krejtësisht të zbrazët, krejtësisht të pandershme’. Kjo nuk është e vërtetë. Nuk janë shuar akoma të mirët, ka akoma njerëz të ndershëm. Ajo që duhet të mendojmë, është si ta përmirësojmë shoqërinë. Unë them: secili nga ne të përpiqet të jetë i mirë e t’ua ngjitë edhe të tjerëve mirësinë, përplot me butësinë e me dashurinë, që na e mëson vetë Krishti”.Nga Gjon Pali I, “Papa i buzagazit”, mbeten fjalët, gjestet, mësimet. E mbetet e pashlyeshme buzëqeshja e tij, në të cilën pasqyrohen përvujtëria, lutja e mëshira e krishterë.

28 shtator 2020, 10:00