Kërko

Vatican News
San Giovanni Rotondo, visita del Papa Francesco  San Giovanni Rotondo, visita del Papa Francesco  

Papa: At Piu, “përkëdhelje” e mëshirës së Zotit për të gjithë

Papa: At Piu ishte shërbëtor i mëshirës. Ishte ditë-natë në shërbim të apostullimit të dëgjimit. U bë përmes shërbesës së Rrëfimit, ledhatim i gjallë i Atit Hyjnor, që shëron plagët e mëkatit e freskon zemrën me paqen e tij. Nuk u lodh kurrë duke i pritur njerëzit, duke i dëgjuar e duke shkrirë kohë e forca për të përhapur parfumin e faljes së Zotit.

R.SH. - Vatikan

Sot kalendari kishtar përkujton festën liturgjike të Shën Piut nga Pietrelçina, meshtar rregulltar kapuçinë. Duke përshkruar figurën e Shën Piut, duhet të nënvizojmë dy aspekte themelore të fratit nga Pietrelçina: besnikërinë e tij ndaj Ungjillit dhe orientimin e vazhdueshëm drejt mbretërisë së qiellit. Atë Piu, që vazhdon të jetojë në misterin e Jezusit të vdekur e të ngjallur, ishte dishepull i Krishtit që nuk deshi tjetër veçse të donte e të vuante për Të. Ishte meshtar që nuk kërkoi gjë tjetër veçse të shkrihej në dashurinë për Zotin e për vëllezërit.

Ishte bir i sinqertë i Kishës, i cili edhe në rastet më të dhimbshme preferoi të mos mbrohej, duke e mohuar vetveten, i varrosur nën heshtjen e butë të bindjes së mundimshme, por të frytshme. Pra siç dihet nga të gjithë, At Piu nga Pietrelçina, frat kapuçinё e shenjt, nuk pati një jetë të qetë. Iu desh të përballojë shumë beteja të vështira.

Ashtu si Jezusi, luftën e vërtetë, betejën kryesore, Shёn Piu nuk e bëri kundër armiqve tokësorë, por kundër shpirtit të së keqes. ‘Stuhitë’ më të tërbuara, që e kërcënonin, ishin sulmet e djallit, nga i cili ai u mbrojt me armaturën e Zotit, me mburojën e fesë e me shpatën e Shpirtit Shenjt, që është fjala e Zotit.

Prandaj Shёn Piu e njohu thellë dramën e njeriut, u flijua, ofroi vuajtjet e veta dhe shkriu gjithë jetën për të lehtësuar dhimbjet, sëmundjet, vuajtjet e njerëzve, si simbol i mëshirës së Zotit, i Mbretërisë së tij që vjen, që është tashmë në botë . Ky, thёnё me pak fjalё, ёshtё misioni i Shën Piut nga Pietrelçina, i cili n i nxit të gjithë njerёzit e posaçërisht besimtarët të ecin në rrugën e shenjtërisë, të zbulojnë gëzimin, që buron nga feja e krishterë, të provojnë mëshirën e pakufishme tё Zotit, të jetojnë në bashkim me Krishtin, t’i përkasin Kishës së tij dhe ta jetojnë Ungjillin  nё jetёn e marrëdhëniet e përditshme. 

Duke u ndaluar tek plagët, që Zoti i dhuroi Shën Piut, mund tё themi se janё si simbol i bashkimit të ngushtë me Të e si dhuratë, e cila i shërbeu për të vijuar veprën e Krishtit në tre drejtime kryesore: duke kumtuar Ungjillin, duke zgjidhur mëkatet e duke shëruar të sëmurët në korp e në shpirt.

At Piu “përkëdhelje” e mëshirës së Zotit për të gjithë

E pёr Papёn Françesku At Piu ёshtё “përkëdhelje” e mëshirës së Zotit për të gjithë. Nё vijim ju propozojmë fjalёt e Papës Françesku drejtuar pjesëtarëve të grupeve të lutjes së At Piut nga Pietrelçina, ardhur nga të katër anët e botës në audiencën e 6 shkurtit 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan.

Me atё rast Papa Bergoglio kujtoi se “Bota ka nevojë si për bukën, për mëshirën e Zotit, atë mëshirë, së cilës Atë Piu nga Pietrelçina i shërbeu  aq, sa të bëhej për miliona njerëz, përkëdhelje e gjallë e Atit Hyjnor”. Kёshtu, pra, pohoi mes tjerash Papa Françesku, në prani të dhjetëra mijëra njerëzve, pjesëtarë të grupeve të lutjes së At Piut, ardhur nga të katër anët e botës në audiencën e 6 shkurtit 2016, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan.

Ju jeni, u tha Papa, centrale të mëshirës, që furnizojnë Kishën e botën me energjinë e dashurisë. At Piu nuk u soll nëpër botë, sepse për të bota kishte përmasat e një rrëfyestoreje e sepse ishte bota ajo, që sillej e vijon të sillet rreth tij, 50 vjet pasi mbylli sytë, për të shijuar gëzimin, që ndjen njeriu, kur vihet në paqe me Zotin. Sepse ai ishte “ledhatim” i Zotit!

Parfumi i faljes

Papa Françesku gjeti një shprehje delikate, tejet të ëmbël e në përkim të plotë me Jubileun, për të rikujtuar se Shën Piu nga Pietrelçina njihet edhe atje, ku shpesh nuk dihet gjë prej gjëje për Kishën. Papa fliste para një Sheshi të mbushur sa më s’zinte, para më se 80 mijë të devoçëmve të atit kapuçin, ardhur prej mijëra viseve. Shën Piu ju ndihmoi, pohoi Papa Françesku, ta zbuloni e ta provoni bukurinë e faljes, një shkencë, nënvizoi, që duhet ta mësojmë ditë për ditë:

“Mund të themi se At Piu ishte shërbëtor i mëshirës. Ishte ditë-natë, nganjëherë deri në rraskapitje, në shërbim të apostullimit të dëgjimit. U bë përmes shërbesës së Rrëfimit, ledhatim i gjallë i Atit, që shëron plagët e mëkatit e freskon zemrën me paqen e tij. Shën Piu nuk u lodh kurrë duke i pritur njerëzit, duke i dëgjuar e duke shkrirë kohë e forca për të përhapur parfumin e faljes së Zotit.

Kush lutet, nuk bën tregti

Forcën për ta jetuar këtë shërbesë të posaçme, kujtoi Papa, Atë Piu e merrte nga jeta e thellë shpirtërore. E kjo forcë ‘u ngjitej’ edhe të tjerëve aq, sa të ndikonte fuqimisht në krijimin e këtyre grupeve të lutjes, që frati i përvuajtur deshi t’i quante “fidanishte feje” e “vatra dashurie”. E kjo, sepse lutja, pohoi Papa, duke cituar at Piun, është forcë që vë në lëvizje botën:

“Lutja, atëherë, nuk është praktikë e mirë për të vënë sadopak në paqe zemrën. E as mjet devocioni, për të nxjerrë nga Zoti hiret e dëshiruara. Po të qe kështu, do të ishte thjesht pasojë e egoizmit. ‘Epo unë lutem për të qenë mirë, si të merrja një aspirinë: jo, nuk është kështu. Lutja është tjetër gjë! Është vepër mëshire shpirtërore, që dëshiron ta çojë gjithçka në zemrën e  Zotit”.

Lutja bën mrekulli

Papa Françesku gjeti edhe shprehje të tjera, për të hyrë sa më thellë në shpirtin e atyre, që e ndjejnë pushtetin e lutjes. Është kyç, që hap zemrën e Zotit, kyç i kollajshëm, i zakonshëm mbasi, shpjegoi, zemra e Zotit nuk është e blinduar me mjete të panumërta sigurie, sepse është thjesht zemër ati. E prej këndej:

“… grupet e lutjes janë centrale mëshire, centrale përherë të hapura, që përmes pushtetit të përvuajtur të lutjes, furnizojnë botën me dritën e Zotit e Kishën, me energjinë e dashurisë. Të jeni gjithnjë apostuj gazmorë të lutjes, i ftoi të pranishmit Papa. Lutja bën mrekulli. Apostullimi i uratës bën mrekulli!”.

Pranë  e pranë të sëmurëve

Nëse grupet e lutjes së At Piut janë mëshirë shpirtërore e mishëruar, “Shtëpia e Lehtësimit të Vuajtjes” është pol i shkëlqyer shëndetësor, jo vetëm puljez, që prej 60 vjetësh mishëron veprën e mëshirës trupore, të cilën Papa Françesku e quajti ‘të jashtëzakonshme’, për efektin e afrimit pranë të sëmurëve, që e nxiti at Piun të mendonte për ngritjen e një spitali:

“Të mjekosh sëmundjen, por sidomos të kujdesesh për të sëmurin. Mund të ndodhë që, ndërsa mjekojmë plagët e korpit, rëndohen plagët e shpirtit, që mjekohen shumë më ngadalë e më me vështirësi. Edhe njerëzit në grahma të vdekjes, nganjëherë në dukje të pavetëdijshëm, marrin pjesë në lutjen e bërë me fe pranë tyre e ia besojnë vetveten Zotit”.

Dëshiroj të vij tek At Piu

E ky mendim i solli në mendje Papës Bergoglio kujtimin e një miku të tij, prift, për një kohë të gjatë në gjendje kome. Gjendje e dhimbshme pavetëdijeje e nyje e vështirë për t’u zgjidhur në këndvështrimin mjekësor,  i cili një ditë erdhi në vete falë ndërhyrjes së një prifti tjetër, që ia doli mbanë të komunikojë me të sëmurin, duke e ftuar t’ia besonte qetësisht vetveten Zotit:
“Shumë njerëz kanë nevojë, shumë të sëmurë kanë nevojë për një fjalë, për një ledhatim, për forcë, që të mund ta përballojnë sëmundjen ose të nisen për takimin me Zotin; kanë nevojë të ndihmohen për t’ia besuar krejt vetveten Zoti.,  Ju jam shumë, shumë mirënjohës ju e të gjithë atyre, që u shërbejnë të sëmurëve me kompetencë, dashuri e fe të gjallë”.

Fjalët e fundit të Papёs Françesku ishin një përshëndetje, që u shndërrua në ftesë: “Kushdo që vjen në tokën tuaj të bukur - e unë kam shumë dëshirë të vij – mund të gjejë edhe në ju, pasqyrimin e dritës së Qiellit”.

23 shtator 2020, 10:23