Kërko

 Kardinali Marian Jaworski Kardinali Marian Jaworski 

Ndërroi jetë Marian Jaworski, kardinali që ngriti përsëri në këmbë Kishën ukrainase

Mik i ngushtë i Gjon Palit II, i cili më 1998 e krijoi kardinal “in pectore” u shua të shtunën e kaluar, në moshën 94 vjeçare, Metropoliti i nderit i Lvivit, Marian Jaworski. Pas Luftës II Botërore i priu rilindjes së Kishës së Ukrainës, të martirizuar nga regjimi komunist.

R. SH. - Vatikan

Vdiq më 5 shtator, në moshën 94 vjeçare, kardinali polak, me shtetësi ukrainase, Marian Jaworski, i lindur në Lviv, më 21 gusht 1926.

Mik personal i Karol Wojtylës, pati humbur dorën e majtë gjatë një aksidenti rrugor.

I shuguruar meshtar në vitin 1950, Gjon Pali II e emëroi, më 1984 ipeshkëv titullar i Lambesi-t dhe administrator apostolik i Lvivit. I shërbeu Kishës së Ukrainës në kohën më të vështirë, kur Stalini po rrënonte me themel e pastaj edhe kur nisi të rilindte mbi rrënojat e veta. Shugurimin ipeshkvnor e mori nga kardinali Macharski, asokohe kryeipeshkëv i Krakovit.

Në vitin 1991 u emërua Kryeipeshkëv i Lvivit.

Më 1998 u krijua kardinal  in pectore, krijim që u publikua në Koncistorin e 2001-së, me titullin e Shën Sikstit. E “in pectore” do të thotë se emri i tij nuk u shpall publikisht, mbasi sulmi kundër kishës së Ukrainës vijonte e mund t’ia shndërronte titullin e kardinalit, në atë të martirit!

Më 2005 mori pjesë në konklavin, që zgjodhi Benediktin XVI.

Vetë Benedikti  XVI e pranoi dorëheqjen nga drejtimi i kryedioqezës së Leopolit, më 2008, për arsye të moshës së shkuar.

Nga viti 1992 deri 2008 ishte Kryetar i Konferencës ipeshkvnore ukrainase.

Tri vjet më parë presidenti polak Duda e dekoroi me Urdhërin e Shqiponjës së Bardhë, nderimi më i lartë që i bën Polonia bijve të vet më të shquar.

07 shtator 2020, 12:35